Konsumatorët në Gjermani duhet të përgatiten për çmime të larta të energjisë në periudhë afatgjatë, ka thënë ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck të hënën, 2 maj.
“Ne duhet të vazhdojmë të llogarisim në çmime më të larta”, ka thënë Habeck në Berlin, duke theksuar se shteti nuk mund të absorbojë të gjitha rritjet e çmimeve të energjisë – as për kompanitë, as për konsumatorët.
“Kjo është e vërteta e hidhur dhe e rëndë”.
Ai ka thënë se Qeveria federale ka krijuar një mori programesh për ndihmë për të garantuar likuiditet dhe për të mbajtur në treg furnizuesit e energjisë.
SHIKONI EDHE: Çfarë qëndron pas vendimit rus për t'i ndërprerë furnizimet me gaz?“Mirëpo ato – dhe nuk mund ta kursej askënd nga ky mesazh i rëndë – nuk ka mundësi të parandalojnë rritjen e çmimeve”, ka thënë ai pas një takimi me përfaqësues të bizneseve të vogla dhe të mesme.
Shumica e kompanive kanë kontrata afatgjata, çka ka mundësuar bllokim të çmimeve, ka thënë ai.
Kjo nënkupton që një numër i kompanive nuk do të përjetojnë pasojat deri më 2023 – dhe çmimet për disa produkte do të rriten vetëm atëherë.
Ministri gjerman ka thënë se ekonomia është nën presion të madh.
Përveç sfidave me energjinë, tregu po përballet edhe me mungesë të punëtorëve të kualifikuar.
Zinxhirët e furnizimit po ashtu janë bërë të cenueshëm për shkak të luftës në Ukrainë dhe pandemisë së koronavirusit.