Ministrat nga Grupi i Shtatë demokracive kanë shprehur të martën mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe e kanë dënuar atë që e cilësuan si “retorikë të papërgjegjshme dhe kërcënuese atomike” nga ana e Rusisë.
Ata gjithashtu paralajmëruan se mbështetja që Koreja e Veriut po ia jep Rusisë shënon përshkallëzim të rrezikshëm të konfliktit, me pasoja të mëdha për sigurinë evropiane dhe indo-paqësore, si dhe i bënë thirrje Kinës, aleates së kamotshme të Koresë së Veriut, që të veprojë kundër saj.
“Përdorimi i një rakete balistike me rreze të mesme nga Rusia më 21 nëntor është dëshmi shtesë e sjelljes së saj përshkallëzuese dhe të pakujdesshme”, thanë ata në një komunikatë në përfundim të takimit të tyre në Itali.
SHIKONI EDHE: Motivet prapa sulmit të Rusisë në Ukrainë me raketë balistike“Mbështetja jonë për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës do të mbetet e palëkundshme”, thanë ata.
Rusia është duke çarë përpara përgjatë vijave të frontit në lindje të Ukrainës, ku forcat ruse kanë arritur t’i shënojnë disa prej fitimeve më të mëdha territore prej vitit 2022.
Ministrat e Jashtëm nga shtetet e G7-së: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Kanadaja, Gjermania, Franca, Italia dhe Japonia, shpresojnë se do të mundë të fillojnë me lëshimin e të hollave nga një marrëveshje huaje prej 50 miliardë dollarësh, të cilat burojnë nga asetet e ngrira ruse, deri në fund të këtij viti.
Ata gjithashtu u zotuan se do të veprojnë kundër grupeve që e ndihmojnë Rusisë t’i shmangë sanksionet e vendosura kundër saj, pasi ajo e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës para gati tri vjetëve.
Deklarata e tyre e përbashkët u lëshuan në fund të takimit dyditor në juglindje të Romës, ku mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha.
SHIKONI EDHE: Izraeli e bombardon Bejrutin, teksa liderët e tij pritet të vendosin për armëpushimMinistrat gjithashtu u përpoqën ta rrisin trysninë ndaj Izraelit për ta pranuar një marrëveshje armëpushimi me Hezbollahun në Liban, duke thënë se “tani është koha për ta arritur një marrëveshje diplomatike”.
Ata i bënë thirrje Qeverisë së Izraelit ta lehtësojë ndihmën humanitare për popullsinë civile në Rripin e Gazës, Bregun e okupuar Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor.