Ministrat e BE-së, më 10 maj, diskutojnë për Ballkanin Perëndimor

Selia e Komisionit Evropian në Bruksel

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të diskutojnë për situatën në Ballkanin Perëndimor në një takim më 10 maj, konfirmoi për gazetarët selia e BE-së.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë pritet të jetë një ndër pikat kryesore të bisedimeve.

Në takimin që do të kryesohet nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borell, do të marrë pjesë edhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Lajçak pritet t’i informojë ministrat në lidhje me përgatitjet për një raund të ri të bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë.

SHIKONI EDHE: Borrell dhe Kurti: Rinisja e dialogut Kosovë-Serbi, në qershor

Në kuadër të debatit për situatën në rajon, sipas njoftimeve të zyrtarëve në Bruksel, do të diskutohet “qasja gjeopolitike e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor”.

Burime të BE-së thanë se debati nuk do të përqendrohet në procesin e anëtarësimit të vendeve të rajonit.

“Edhe pa diskutim, është e qartë se Ballkani Perëndimor ka perspektivë evropiane. Ne do të merremi me politikën e jashtme [në atë takim]”, tha një zyrtar evropian.

Ai paralajmëroi se ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë për ndikimin e vendeve të treta në Ballkanin Perëndimor, sepse, siç tha, është e qartë se situata “ka ndryshuar dukshëm kur bëhet fjalë për ndikimin e jashtëm në vendet e rajonit”.

“BE nuk insiston në ekskluzivitetin e pranisë në rajon, por është e rëndësishme që BE të jetë e pranishme dhe të jetë një lojtare kryesore”, tha zyrtari evropian.