Haradinaj: Mini-Shengeni rrit ndikimin rus dhe kinez në rajon

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se nuk është në interes të Kosovës përfshirja në “Mini-Shengenin” mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke i quajtur këto plane si zgjerim të ndikimit rus dhe kinez në Ballkan.

Ai tha se Mini-Shengeni nuk është në interes as të liberalizimit të vizave dhe proceseve integruese evropiane, por sipas tij, është proces që ka vetëm një interes; zgjerimin e ndikimit ruso-kinez në Ballkan, me epiqendër Beogradin.

Krijimi i “Mini-Shengenit” mes vendeve të Ballkanit është një nismë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

SHIKONI EDHE: Pse Kosova ia ka drojën “Mini-Shengenit” ballkanik?

Të tre udhëheqësit tashmë kanë mbajtur dy takime të përbashkëta, njëri në Novi Sad dhe tjetri në Ohër. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e kishte kundërshtuar pjesëmarrjen në takimin e Ohrit.

“Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave, por, Kosova nuk mund të jetë pjesë e një Samiti të tillë në te cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavarur”, kishte shkruar në rrjetin social Facebook, presidenti Thaçi.

Thelbi i kësaj nisme qëndron në krijimin e një tregu të përbashkët dhe një destinacioni të vetëm investimesh.

“Mini-shengeni për të cilin po na fton Vuçiqi, po na fton Edi Rama dhe Zaevi është vetëm zgjerim i ndikimit rus dhe kinez në Ballkan, nuk është interes i Kosovës as i Evropës. Rusia dhe Kina janë të instaluara në të gjitha aspektet në Beograd, janë në ekonomi siguri dhe politikë. Kur në bëjmë rregulla të njëjta me automatizëm kjo influencë e instaluar në Beograd, bëhet edhe e jona”, deklaroi kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj në një konferencë për media në Prishtinë.

Video nga arkivi: Për apo kundër "Mini-Shengenit" ballkanik?

Por, Shtetet e Bashkuara e kanë mirëpritur iniciativën e Ballkanit Perëndimor për krijim të një “Mini-Shengeni”, si mënyrë për të nisur lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.

“Ne besojmë se në mënyrë që kjo iniciativë të jetë e suksesshme, duhet të përfshihet i gjithë rajoni, bashkë me Qeverinë e Kosovës”, është thënë në komunikatën e ambasadës amerikane në Gjermani.

Mes tjerash, në këtë shkresë përmendet edhe se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump është e fokusuar në të ndihmuarit e gjithë rajonit për të krijuar mundësi ekonomike dhe vende të punës për të rinjtë.

Takimi i radhës mes liderëve të Ballkanit Perëndimor do të mbahet në Durrës më 21 dhjetor, në të cilin pritet të jetë e ftuar edhe Kosova.