Krijimi i tregut të përbashkët rajonal apo si njihet ndryshe me emrin mini–Shengen, është më i avancuar dhe më përfitues sesa Marrëveshja për tregti të lirë, CEFTA, thotë Arian Zeka, kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë.
Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, më 10 nëntor kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për tregun e përbashkët rajonal. Ky zotim është marrë në samitin e Sofjes që u mbajt në kuadër të Procesit të Berlinit dhe u bashkëkryesua nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut.
Samiti i Sofjes është zhvilluar online dhe Kosova u përfaqësua nga kryeministri Avdullah Hoti, e pos tij morën pjesë edhe liderët e shteteve të rajonit: Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Në samit morën pjesë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Zeka: Tregu rajonal, përgatitje për integrim në BE
Republika e Kosovës, thotë Zeka, është zotuar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, se do t'i bashkohet zonës së mini-Shengenit, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019.
SHIKONI EDHE: Kosova në mini-Shengen, përmes Uashingtonit“CEFTA parasheh lëvizjen e lirë të mallrave, ndërsa me zonën e mini-Shengenit, me krijimin e një zone të unifikuar ekonomike do të mundësohet edhe promovimi i të ashtuquajturave 'katër liri' që përtej lëvizjes së mallrave, përfshin edhe lirinë e lëvizjes së shërbimeve, njerëzve, por edhe kapitalit. Çka do të thotë se është një avancim i Marrëveshjes së tregtisë së lirë të Evropës Qendrore”, thotë Zeka.
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e zonës së tregtisë së lirë, përmes Marrëveshjes për tregti të lirë, e njohur me shkurtesën, CEFTA.
CEFTA është një marrëveshje ndërkombëtare e krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Krasniqi: Nëse nuk eliminohen barrierat e CEFTA-s, nuk nevojitet marrëveshje tjetër
Por, ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Vesel Krasniqi, tha se krijimi i një tregu të përbashkët në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor do të lehtësonte qasjen e bizneseve vetëm nëse shtetet përkatëse nuk vendosin barriera tregtare.
“Nëse nuk eliminohen barrierat, atëherë nuk na duhet një marrëveshje tjetër me barriera të njëjta”, tha Krasniqi.
Kosova në vitin 2007, një vit para shpalljes së pavarësisë, është anëtarësuar në këtë mekanizëm. Por, jo gjithmonë është zbatuar nga shtetet nënshkruese, konkretisht nga shteti i Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës, shtete këto që nuk njohin pavarësinë e Kosovës.
SHIKONI EDHE: Kosova akuzon Serbinë për shkeljen e CEFTA-sPor, Arian Zeka, thotë se me funksionalizimin e tregut të përbashkër rajonal, Kosova për të shtrirë prezencë e saj në këtë treg, duhet të fokusohet jo vetëm në aspektin e mallrave, por edhe në ofrimin e shërbimeve të ndryshme.
“Po ashtu për profesionistët e rinj nga Kosova, për fuqinë punëtore që të ofrojë shërbimet e tyre brenda kësaj zone të re, kurdo që ajo të funksionalizohet. Krejt rajoni i Ballkanit Perëndimor do të duhej të shfrytëzonte këtë si mundësi të re para integrimit në Bashkimin Evropian, atëherë kur të gjitha barrierat do të eliminohen në tërësi. Realisht edhe presioni konkurrues do të jetë më i madh, por edhe mundësia e përfitimit të një tregu që do të kalojë mbi 30 shtete, do të jetë më i madh në një treg mbi 500 milionë banorësh”, thekson Zeka.
Edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se nga zotimet e samitit të Sofjes “përfituese janë të gjitha vendet, përfshirë edhe Kosovën, sepse është ndryshe kur ke qasje në një treg që ka shumë më tepër konsumatorë për të funksionuar dhe shitur produktet”.
Sipas tij, kjo mbi të gjitha ndikon shumë në tërheqjen e investimeve, në rritjen e konkurrencës dhe përgatitjen e këtij tregu për integrim në BE.
"Ajo që për ne është shumë e rëndësishme është se ky treg nuk e zëvendëson tregun e përbashkët me BE-në, por e rrit integrimin ekonomik në mes vendeve”, ka thënë Hoti.
Barrierat tarifore dhe jotarifore që kanë paraqitur disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor
Vendet e Ballkanit Perëndimor, ndër vite kanë vendosur barriera tregtare mes njëra-tjetrës. Serbia dhe Bosnjë Hercegovina pothuajse në vazhdimësi kanë krijuar barriera tregtare ndaj produkteve ‘Made in Kosova’, duke mos njohur dokumentacionin që lëshohej nga ky shtet.
Serbia vazhdon të mos respektojë shenjën e konfirmitetit gjatë importit të produkteve, shenjë kjo që tregon se produkti është në konformitet i vlerësuar në aspektin e sigurisë dhe shëndetit, sipas standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Përveç shenjës së konfirmitetit, shteti Serbisë pengon bizneset dhe prodhimet e Kosovës që kalojnë transit nëpër territorin e saj.
SHIKONI EDHE: Barrierat ekonomike sfidojnë bashkëpunimin tregtar në rajonin e Ballkanit
Pikërisht për shkak të këtyre problemeve, Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018, kishte vendosur taksën 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, si kundërpërgjigje ndaj politikave të këtyre dy shteteve kundër shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në mekanizma e organizata ndërkombëtare.
Derisa në prill të këtij viti, qeveria e kaluar e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti, ka zëvendësuar taksën me masën e reciprocitetit. Por, me të marrë detyrën, kryeministri, Avdullah Hoti hoqi masën e reciprocitetit.
Barriera të ndryshme kanë paraqitur edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Përfaqësues të prodhuesve në Kosovë kishin pohuar se autoritetet shqiptare po pengojnë prodhuesit nga Kosova, siç ishte rasti i akcizës së birrës, pastaj procedurat e zhdoganimit në Shqipëri, pagesa e skanerit, noterizimi i analizave, mosmarrja për bazë e çmimit të faturës nga Dogana Shqiptare e shumë pengesa tjera.
Kurse problemet me Maqedoninë e Veriut ishin në muajin qershor të vitit të kaluar, kur Shkupi zyrtar kishte vendosur barriera tarifore për rastin e peshkut. Më pas, Qeveria e Kosovës ishte kundërpërgjigjur duke vendosur masa reciprociteti për disa produkte të Maqedonisë së Veriut.