Eset Meha, njëri prej punëtorëve të suspenduar të kombinatit metalurgjik Trepça, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se do të ndjekë hapa ligjorë për ta kundërshtuar vendimin e marrë ndaj tij.
Meha dhe katër punëtorë tjerë janë suspenduar prej datës 27 tetor, dhe në arsyetimin e udhëheqësisë përmendet “rrezikimi i shëndetit dhe jetës së punëtorëve”, si dhe “keqpërdorimi i të drejtës për grevë”.
Punëtorët e Trepçës janë në grevë prej 24 tetorit, në kërkim të kushteve më të mira të punës.
Pagat e minatorëve në Trepçë sillen nga 700 deri në 900 euro, varësisht përvojës dhe përgatitjes profesionale.
SHIKONI EDHE: Gjysma e jetës nën tokë: Minatorët kërkojnë kushte më të miraAi ka thënë se ka tentuar të hyjë në minierë, pas marrjes së vendimit për suspendim, mirëpo nuk i është lejuar hyrja nga punëtorët e sigurimit.
Meha pretendon se vendimi ndaj tij është marrë sepse ka qenë ndër më të zëshmit në kërkesat e punëtorëve.
Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë se edhe pse gjendja shëndetësore e minatorëve grevistë po keqësohet, ata nuk do ta ndalin nga greva pa u realizuar kërkesat.
Mes tjerash, Meha u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të marrin masa për përmbushjen e kërkesave të minatorëve, teksa ka kritikuar zyrtarët institucionalë që nuk kanë vizituar minatorët prej nisjes së grevës.