Mosvotimi i rezolutës për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit nuk duhet të shihet si mosvlerësim i rolit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thotë për Radion Evropa e Lirë, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
Kusari-Lila thotë se është absurde që Lidhja Demokratike e Kosovës, të kërkojë nga qeveria aktuale të zbatojë këtë marrëveshje, pasi në të përfshihet edhe ‘mini-Shengeni’, nismë të cilën, ditë më parë, e kundërshtoi kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Kanë qenë disa pika për të cilën ne edhe në kohën kur ishim opozitë në kuvend kemi kërkuar që të mos jenë pjesë e çfarëdo marrëveshjeje eventuale, pika këto që ishin konfirmuar atëbotë nga vetë ish-kryeministri, Avdullah Hoti se nuk do të jenë pjesë. Njëra prej tyre është ‘mini-Shengeni’ apo tash i riemëruar si ‘Open Balkan’ dhe tjera kishte të bënte me ndarjen e resurseve të Kosovës në shfrytëzim me Serbinë siç është rasti i Ujmanit”, tha Kusari-Lila.
SHIKONI EDHE: Kuvendi nuk e miraton rezolutën për zbatimin e Marrëveshjes së UashingtonitTë premten, Kuvendi i Kosovës dështoi të miratojë një rezolutë ku i bëhej thirrje Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti që të zbatojë Marrëveshjen e Uashingtonit të arritur më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.
Kusari-Lila tha se Qeveria Kurti mbetet e përkushtuar për një partneritet strategjik me SHBA-në.
“Janë dy parime përmbajtjesore. E para është që në asnjë mënyrë ose në asnjë formë mosmbështetja e kësaj rezolute sot nuk lidhet me mosvlerësimin e rolit të SHBA-së, e kundërta. Si Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeveria e Kosovës mbeten të përkushtuara në një partneritet strategjik, i cili është i veçantë për Kosovën dhe popullin e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne do të vazhdojmë me bashkëpunimin në të gjitha sferat në veçanti edhe në raport me procesin e dialogut. Parimi tjetër është që Kosova në dialogun nuk hyn si palë e cila duhet të konsiderojë se duhet të vazhdojë të bëjë kompromise të mëtutjeshme, por si dy shtete që do të diskutojnë për një të kaluar, ku Serbia ishte agresori dhe Kosova viktima”, tha Kusari-Lila.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja pret që Kosova dhe Serbia t'i përmbahen marrëveshjes së UashingtonitMarrëveshja e Uashingtonit u nënshkrua nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Marrëveshja e Uashingtonit për normalizimin e raporteve ekonomike ndër të tjera, parasheh angazhimin e Kosovës dhe Serbisë në ndërtimin e lidhjeve rrugore dhe hekurudhore, për të lidhur kryeqytetet e tyre në mënyrë që të përmirësojnë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve, zhvillime këto që mund të tërheqin investime perëndimore.