Pompeo fillon turneun në Evropën Qendrore

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka paralajmëruar të martën për rritje të autoritarizmit të udhëhequr nga Rusia, Kina dhe Irani, që përbën kërcënim për liritë në gjithë botën.

Teksa ka nisur vizitën e tij në Republikën Çeke, Pompeo ka nderuar forcat amerikane që kanë çliruar perëndimin e Çekosllovakisë së dikurshme më 1945, si dhe ka folur me lavdi për vlerat e përbashkëta amerikane dhe çeke.

Duke vizituar monumentin “Faleminderit Amerikë” , në qytetin e Pëllzenit, Pompeo ka bërë thirrje për vëmendje në mbrojtjen e vlerave demokratike, të fituara pas Luftës së Dytë Botërore, dhe më vonë pas shkatërrimit të ish-Bashkimit Sovjetik.

“Vlen të kujtojmë, madje edhe kur festojmë, që pasi autoritarizmi është ende gjallë në Pekin, Moskë dhe Teheran, ende ka punë për të bërë”, ka thënë ai në një fjalim të shkurtër.

Pompeo synon të shfrytëzojë vizitën e tij, që vazhdon edhe të mërkurën, për t’i shtyrë përpara nikoqirët e tij që ta luftojnë ndikimin rus dhe atë kinez.

Rusia dhe Kina janë aktive në rritjen e rolit të tyre në gjithë kontinentin evropian, në fushat si energjia, infrastruktura dhe telekomunikimet, trend të cilin Shtetet e Bashkuara synojnë ta ndalin.

Pompeo do të qëndrojë dy ditë në Republikën Çeke përpara se të shkojë në Slloveni, Austri dhe aleatin e afërt Poloninë, e cila mezi po pret të mirëpresë disa nga trupat amerikane që pritet të largohen nga Gjermania.

SHIKONI EDHE: Zyrtarët gjermanë e lusin Kongresin amerikan të ndalë planet e Trumpit

Të mërkurën Pompeo pritet të diskutojë për rrjetin 5G me përfaqësues të kompanive teknologjike çeke dhe amerikane dhe më pas do të takohet me kryeministrin çek, Andrej Babis.

Pompeo gjithashtu do të mbajë një fjalim në senatin e këtij vendi si dhe do të zhvillojë një takim të shkurtër me presidentin çek, Milos Zeman, i cili konsiderohet i afërt më Rusinë.

Rrjeti 5G dhe energjia në fokus të vizitës

Fokusi i vizitës së sekretarit Pompeo do të jetë në fushatën që Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë për të bindur vendet që t’i shmangen kompanisë kineze Huawei, në rrjetet e tyre të teknologjisë së rrjetit 5G. Uashingtoni e konsideron si një kërcënim serioz këtë kompani, pasi thotë se të dhënat e përdoruesve të rrjetit 5G mund të bien në duart e Partisë Komuniste të Kinës.

Your browser doesn’t support HTML5

Përplasja e superfuqive shkaku i rrjetit 5G

Me kryeministrin çek, Pompeo do të diskutojë edhe rreth bashkëpunimit për energjinë bërthamore dhe Nismën e Tre Deteve, një platformë politike për të nxitur lidhjet mes vendeve në Evropën Qendrore dhe Lindore, duke mbështetur projektet e infrastrukturës, energjisë dhe ato digjitale, transmeton Zëri i Amerikës.

Më pas, Pompeo do të qëndrojë në Slloveni ku do të nënshkruajë një marrëveshje bilaterale për sigurinë e rrjetit 5G.

Pompeo do të jetë i pari Sekretar Shteti që nga viti 2011, që do të vizitojë Slloveninë. Sipas Zërit të Amerikës, Sllovenia do të bashkohet me ato vende në të ashtuquajturin "Rrjetet e Pastra 5G" për përdorimin e kompanive të besueshme për infrastrukturën kritike të telekomunikacionit, atë të ruajtjes dhe analizimit të të dhënave, si dhe për aplikacionet e telefonave celularë.

SHIKONI EDHE: Pompeo: SHBA-ja synon krijimin e një koalicioni global kundër Kinës

Në Austri, delegacioni i lartë amerikan do të takojë kancelarin, Sebastian Kurz, për bisedime mbi tregtinë SHBA-Austri dhe përfshirjen e Austrisë në misionet paqeruajtëse në të gjithë botën.

Austria është selia e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara që është përgjegjëse për monitorimin e zbatimit nga Irani të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me fuqitë botërore, nga e cila Shtetet e Bashkuara janë tërhequr.

Të shtunën, sekretari do të vizitojë Poloninë për të diskutuar për vendosjen e trupave të tërhequra nga Gjermania. Pentagoni ka thënë kohët e fundit se Shtetet e Bashkuara do të tërheqin rreth 6,400 ushtarë nga Gjermania dhe do t’i zhvendosin afro 5.600 tek aleatët e tjerë të NATO-s.

Administrata e Donald Trump ka lidhje të ngushta me presidentin polak Andrzej Duda, i cili kishte vizituar Shtëpinë e Bardhë disa ditë përpara se të rizgjidhej në qershor.

Ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të vendosin të paktën 1,000 trupa shtesë në Poloni.

Një çështje tjetër që ndërlidh preokupimet e të dyja vendeve është edhe gazsjellësi rus.

SHIKONI EDHE: Gjermania kundërshton ligjin e SHBA-së për projektin Rrjedha Veriore 2

Polonia e sheh gazsjellësin “Rrjedha Veriore 2”, i cili do të dyfishonte kapacitetin e eksportit të gazit të Rusisë përmes Detit Baltik, si një kërcënim për sigurinë energjetike të Evropës.

Muajin e kaluar, Departamenti amerikan i Shtetit tha se njerëzit që bëjnë investime ose përfshihen në aktivitete në lidhje me gazsjellësin “Rrjedha Veriore 2”, përfshirë anijet që përdoren për instalimin e tubacioneve dhe shërbimet inxhinierike në dislokimin e tubacioneve, mund të përballen me sanksione amerikane.

"Është një paralajmërim i qartë për kompanitë se ndihma dhe forcimi i projekteve me ndikim keqdashës të Rusisë nuk do të tolerohet", tha Sekretari Pompeo gjatë një konference shtypi më 15 korrik.

Përgatiti: Kestrin Kumnova