Mijëra persona besohet se kanë vdekur si pasojë e një stuhie të fuqishme që ka shkaktuar përmbytje shkatërruese në Libi.
Të paktën 700 trupa të pajetë janë zbuluar deri më tani, tha Ministria e Shëndetësisë për Libinë lindore. Autoritetet shëndetësore në Derna thanë se numri i viktimave ka arritur në 2.300.
Stuhia Daniel ka zbarkuar në Libi të dielën, duke i detyruar autoritetet që të shpallin gjendje të jashtëzakonshme.
Shtatë pjesëtarë të ushtrisë së Libisë janë zhdukur në operacionet e kërkim-shpëtimit.
Zyrtarët në lindje kanë nisur të zbatojnë orë policore, ndërsa shkollat dhe dyqanet janë mbyllur.
Teksa numri i viktimave rritet, Kryqi i Kuq i Libisë ka thënë se të paktën 150 shtëpi janë shkatërruar.
Ndonëse administrata me bazë në Bengazi është marrë me situatën në lindje të shtetit, rivalja e saj, Qeveria e njohur nga komuniteti ndërkombëtar në Tripoli, është përfshirë, po ashtu.
Kryeministri Abdulhamid Dbeiba, ka thënë se i ka urdhëruar të gjitha agjencitë shtetërore që t’i adresojnë dëmet pas përmbytjeve, derisa Zyra e Kombeve të Bashkuara në Libi, ka thënë se është duke e vëzhguar situatën nga afër.
Libia është ndarë në dy administrata rivale prej vitit 2014, pas vrasjes së liderit Muammar Gaddafi, më 2011.
Të dyja qeveritë i kanë shpallur tri ditë zie, për t’i nderuar viktimat e stuhisë Daniel.
Shkencëtarët për klimën kanë tërhequr vërejtjen se ndryshimet klimatike nënkuptojnë më shumë sasi të ujit gjatë sezonit veror, çka mund të rezultojë me stuhi intensive.
SHIKONI EDHE: Meteorologët e OKB-së thonë se vera e sivjetme theu rekordin e nxehtësisë