Mijëra afganë në përpjekje për t'u larguar nga vendi

Refugjatët afganë në një kamp strehimi të improvizuar në Chaman, një qytet pakistanez në kufi me Afganistanin, 31 gusht 2021.

Dy ditë pasi u bë tërheqja e plotë e forcave të huaja nga Afganistani, turma të afganëve janë parë në drejtim të kufijve të vendit në përpjekje për t’u larguar.

Aeroporti i Kabulit është marrë nën kontrollin e talibanëve dhe fluturimet ende nuk kanë rifilluar.

I gjithë vendi është nën kontrollin e grupit militant, që e mori pushtetin, pas 20 vjetësh të prezencës së forcave të huaja të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

Qeveria e njohur nga OKB-ja nuk ka më pushtet efektiv në territorin e Afganistanit dhe presidenti, Ashraf Ghani, është larguar nga vendi më 15 gusht kur talibanët morën kontrollin e Kabulit.

Vendi po përballet me boshllëk administrativ pasi ende nuk dihet se me çfarë ligje dhe rregulla do të qeverisin talibanët. Ata kanë thënë se së shpejti do të formojnë një qeveri dhe u kanë bërë thirrje afganëve të qëndrojnë në vend.

Por, shumë banorë afganë kanë frikë, pasi ende kanë në kujtesë regjimin taliban që kishte sunduar vendin nga vitet 1996 deri më 2001. Atëbotë ishin zbatuar rregullat e rrepta në bazë të Ligjit islamik -Sheriatit, duke kufizuar të drejtat e njeriut, në veçanti të grave.

Një grua tha se kishte parë militantët talibanë duke rrahur gra me shkopinj jashtë një banke në kryeqytetin afgan.

"Është hera e parë që kam parë diçka të tillë dhe me të vërtetë më frikësoi", tha 22-vjeçarja, në kushte anonimiteti, sepse kishte frikë për sigurinë e saj.

SHIKONI EDHE: Gazetarja në Kabul: Plane të rrënuara, ëndrra të shkatërruara

Të mërkurën (1 shtator) në rrugën e Kabulit janë parë rradhë të gjata të njerëzve që prisnin para bankave.

Militantët islamik janë përqëndruar në kontrollin e bankave, spitaleve dhe institucioneve qeveritare, pas tërheqjes përfundimtare të forcave amerikane të hënën.

Mijëra afganë po shkojnë në drejtim të kufijve të vendit me Iranin, Pakistanin dhe shtetet e Azisë Qendrore.

Agjencia Reuters raporton se në Torkham, një vendkalim i madh kufitar me Pakistanin një zyrtar pakistanez ka thënë se "një numër i madh njerëzish po presin në anën e Afganistanit për hapjen e portës".

Raportohet se mijëra njerëz u dyndën në pikën kufitare Islam Qala midis Afganistanit dhe Iranit.

"Vlerësova se kalimi në territorin e Iranit ishte një lloj lehtësimi për afganët", tha një afgan që ishte në mesin e një grupi prej tetë personash që kaluan në Iran.

Edhe Irani ka një regjim që shtyp të drejtat e njeriut.

SHIKONI EDHE: Çfarë do të ndodhë pas largimit të SHBA-së nga Afganistani?

Më shumë se 123.000 njerëz u evakuuan nga Kabuli përmes transportit ajror të udhëhequr nga SHBA-ja, por dhjetëra mijëra afganë që nuk kishin mundësi të evakuohen përballen me rrezik.

Vetëm Gjermania vlerëson se midis 10.000 dhe 40.000 punonjës afganë që ende punojnë për organizatat për zhvillimin e Afganistanit dhe që ndihen të rrezikuar, kanë të drejtë të evakuohen në Gjermani.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara përmes një rezolute u bëri thirrje talibanëve që t’iu mundësojnë afganëve të largohen nga Afganistani.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, ka thënë se talibanët janë në bisedime me Katarin dhe Turqinë për menaxhimin e aeroportit në kryeqytet.

Talibanët kanë shpallur një amnisti për të gjithë afganët që kanë punuar me forcat e huaja.

Por, ata ende nuk e kanë formuar një qeveri të re. Ministri i jashtëm i Pakistanit, i cili ka lidhje të ngushta me talibanët, tha të martën se ai priste që brenda pak ditësh Afganistani të kishte një "qeveri konsensuale".

Your browser doesn’t support HTML5

Afgania e ikur në Shqipëri: Ndihem në faj që jam gjallë

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara lëshuan një leje që garanton vazhdimin e lehtësimit të ndihmave humanitare në Afganistan edhe pse talibanët janë në listën e zezë, tha një zyrtar i Departamentit të Thesarit për Reuters.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara janë të vetëdijshme për kërcënimin që paraqet IS-K, një degë e grupit terrorist Shteti Islamik me bazë në Afganistan, i cili mori përgjegjësinë për sulmin vetëvrasës me bombë të javës së kaluar jashtë aeroportit të Kabulit. Sulmi la të vrarë 13 pjesëtarë të shërbimit amerikan dhe shumë civilë afganë.

IS-K është një armik i Perëndimit dhe talibanëve. Shtetet e Bashkuara nuk kanë përjashtuar mundësinë e sulmeve ushtarake kundër IS-it në Afganistan.

Përgatiti: Kestrin Kumnova