Migrantët nga Azia Qendrore joshen të punojnë në Ukrainën e pushtuar

Punëtorët duke punuar në një ndërtesë të shkatërruar në Mariupol, qytetin ukrainas që është nën kontrollin e forcave ruse.

Urmat ka nënshkruar një kontratë pune për një kompani ruse, që do t’i paguajë atij rreth 120 dollarë në ditë për të mbledhur trupat e ushtarëve të vrarë rusë në vijat e frontit në Ukrainë.

Ky punëtor migrant nga Kirgizia, që nuk deshi t’i publikohej mbiemri, tha se ishte i vetëdijshëm me rreziqet që përfshin kjo punë dhe se ai e ka diskutuar këtë çështje me migrantët e tjerë kirgizë që punojnë në zonat e luftës në Ukrainë.

“Ata më treguan se nganjëherë janë cak i sulmeve dhe se ka edhe të vrarë”, tha Urmat për Shërbimin Kirgiz të Radios Evropa e Lirë. “Personat e bëjnë këtë lloj pune për shkak të situatës së tyre të dëshpëruar, disa kanë borxhe”.

Qindra migrantë nga Azia Qendrore janë punësuar nga kompanitë ruse për të punuar në territoret ukrainase, të pushtuara nga Rusia, pavarësisht paralajmërimeve nga qeveritë e tyre që të mos shkojnë në Ukrainë. Kievi po ashtu ka deklaruar se këta punëtorë do të shihen si bashkëpunëtorë të pushtuesve rusë.

SHIKONI EDHE: Pasaportë ruse në këmbim të shërbimit ushtarak

Shumica e migrantëve punojnë në sektorin e ndërtimit në qytetet e shkatërruara nga lufta, sikurse Mariupoli. Punë të tjera përfshijnë edhe hapjen e llogorove dhe mbledhjen e trupave të pajetë.

Disa gra migrante nga Azia Qendrore kanë thënë se atyre u është ofruar punë në spitalet ushtarake, mensa dhe fabrika në pjesët e pushtuara në lindje të Ukrainës.
Paratë janë motivi kryesor për migrantët.

Për shembull, vende pune në ndërtim në territoret ukrainase të kontrolluara nga Rusia po ofrohen me rroga që sillen nga 2.000 deri në 3.300 dollarë në muaj, vlerë që është shumë më e lartë sesa fitojnë punëtorët në Rusi.

Përderisa rrogat e punëtorëve migrantë dallojnë shumë në rajone të ndryshme ruse, disa prej tyre i thanë REL-it më 7 mars se fitojnë nga 600 deri në 1.200 dollarë në muaj.

Të bllokuar në Ukrainë

Vendet e punës në Ukrainë reklamohen nëpër ueb-faqe, grupe në Telegram dhe në rrjete të tjera sociale. Migrantët po ashtu kanë dëgjuar për këto vende pune edhe nga punëdhënësit e tyre apo nga punëtorët e tjerë nga Azia Qendrore, tha Sorbon K., një punëtor nga Taxhikistani.

Surbon tha se ai fiton rreth 1.200 dollarë në muaj si punëtor në ndërtimin e një rruge, një punë që ai tha se “është një prej punëve që paguhet më së shumti” për punëtorët e pakualifikuar sezonalë në Surgut, qytet në perëndim të Siberisë ku ai jeton.

“Shumica e migrantëve [nga Azi Qendrore] e dinë se këtu jo të gjithë janë të interesuar për të shkuar për të punuar në Ukrainë, por kohë pas kohe dëgjoj se dikush po shkon atje”, tha ai. “E di një shtetas taxhik shkoi për të punuar në Mariupol dhe më pas bindi edhe familjarët e tij që t’i bashkoheshin”.

Vendet e punës në Ukrainë reklamohen si vende pune që janë të sigurta dhe për të cilat punëtorët paguhen mirë. Por, dhjetëra migrantë që punojnë në Ukrainë janë ankuar se nuk po i marrin rrogat të cilat u ishin premtuar.

SHIKONI EDHE: “Po ngordhim si miza”: Fshati rus përballet me mungesë burrash

Disa prej punëtorëve të zhgënjyer kanë tentuar të largohen nga Ukraina, por rojet kufitare ruse nuk i kanë lejuar që të hyjnë në territorin e Rusisë.

Më 25 shkurt, një shtetas kirgiz që kishte punuar për një kompani ruse në Ukrainë i tha REL-it se rojet kufitare ia ndaluan që të kthehej në Rusi.

Ky person – i cili kërkoi që të mos i publikohej emri për shkaqe sigurie – tha se kishte shkuar në Mariupol së bashku me rreth 400 punëtorë të tjerë, përfshirë 20 shtetas kirgizë. Ai kishte arritur në Mariupol në maj të vitit 2022, pasi ky qytet ukrainas ra nën kontrollin e forcave ruse.

“Erdha në Mariupol pasi nënshkrova kontratë me një kompani ndërtimore ruse dhe kam punuar për më shumë se tetë muaj”, tha ai për REL-in gjatë një interviste dhënë përmes telefonit nga lindja e Ukrainës. “Vendosa që të largohesha nga Ukraina më 24 shkurt, por rojet kufitare ruse nuk më lanë që të hyja sërish në Rusi. Ata më thanë se emri im ishte ‘në listën e zezë’ dhe unë nuk e di se si ka ndodhur kjo”.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të verifikojë këto pretendime të këtij personi. Diplomatët kirgizë në Moskë kanë thënë se ata po tentojnë që ta qartësojnë këtë situatë.

Në Rusi gjenden miliona punëtorë migrantë nga Kirgizia, Taxhikistani dhe Uzbekistani – ish-shtetet sovjetike që për dekada të tëra përballen me nivele të larta të papunësisë.

“Një vendim i pamoralshëm”

Kompanitë ruse raportohet se po tentojnë të punësojnë edhe gratë nga Azia Qendrore që po vuajnë dënime në burgjet ruse. Sipas raportimeve, ato po synohet që të rekrutohen për të punuar në Ukrainë në këmbim të parave dhe lirimin nga veprat penale.

Tilekmat-ata, një banor i qytetit jugor kirgiz, Osh, tha se vajza e tij 31-vjeçare po shërben gjashtë vjet burgim në Rusi për akuza që kanë të bëjnë me trafikimin e drogës.

Ky baba ka frikë se vajza e tij – që është infermiere me profesion – do të joshet që të shkojë të punojë në Ukrainë. Së fundmi, ajo e ka pyetur babanë e saj që t’i dërgojë diplomën e saj të mjekësisë.

“Nuk do t’i dërgoj asnjë dokument”, tha Tilekmat-ata për REL-in. “Asaj i është premtuar se do të marrë një pagë prej 1.200 dollarësh në muaj. Rusët thuhet se po rekrutojnë punëtorë shëndetësorë nga burgjet”.

Tilekmat-ata është i bindur se vajza e tij “duhet të qëndrojë aty ku është” dhe të vuajë pjesën e mbetur të dënimit me burg në vend se të shkojë në Ukrainë.

SHIKONI EDHE:

Ushtarët rusë: “Pse duhet të luftojmë kundër tankeve vetëm me mitralozë”Lufta do të përfundojë kur...

Khosiyat Safarmatova, ish-mësuese e matematikës nga provinca taxhike Sughd, ka jetuar shumicën e dekadës së fundit në provincën ruse Tiumen, një destinacion mjaft popullor për dhjetëra mijëra punëtorë migrantë nga Azia Qendrore.

Safarmatova tha se ajo njeh dhjetëra taxhikë dhe uzbekë nga lagjja e saj kanë shkuar të punojnë në qytetet ukrainase të okupuara nga rusët ose “që po e shqyrtojnë mundësinë që të shkojnë atje”.

“Ajo çfarë më duket më interesante është se shumica e tyre nuk e mendojnë se shkuarja në Ukrainë për të punuar është që e drejtë apo e gabuar. Për ta është thjesht një punë e radhës”, tha ajo.

Si shumë rusë, shumica e migrantëve në Rusi besojnë narrativit të Moskës sa i përket luftës dhe fajësojnë Ukrainën dhe shtetet perëndimore për nisjen e saj.

“Disa njerëz e menduan shkuarjen në Ukrainë, por në fund vendosën që të mos shkonin për shkak të rreziqeve të ndryshme, apo sepse ata menduan se ishte e pamoralshme apo gjë e gabuar”, shtoi ajo.

Përgatiti: Mimoza Sadiku