Në kërkim të një jete më të mirë: Emigrantët afganë punojnë në plantacione çaji në Turqi
Më 6 korrik, një punëtor emigrant nga Afganistani duke mbledhur gjethe çaji në malet e lagjes Hopa të Artvinit, Turqi.
Dekada të shumta të konflikteve, katastrofave natyrore dhe vështirësive ekonomike, kanë bërë që varfëria të shpërndahet në shoqërinë afgane, duke rezultuar në vështirësi të njerëzve për të fituar para për jetesë.
Në lagjen Hopa, një emigrant afgan shihet duke bartur një thes të mbushur me gjethe çaji nëpër një kodër.
Sipas OKB-së, gjysma e 40 milionë banorëve të Afganistanit kanë pasiguri akute ushqimore, ndërsa 6 milionë janë në prag të krizës së urisë. Të dëshpëruar nga pamundësia për t'i ushqyer familjet e tyre, shumë afganë kanë lënë vendin e tyre të lindjes në kërkim të punësimit në vendet fqinje.
Një afgan duke vendosur thasë të mbushur me gjethe çaji për t'u peshuar dhe kontrolluar në një qendër blerjeje.
Turqia vazhdon të ketë numrin më të madh të refugjatëve në mbarë botën, pasi numri i personave të zhvendosur me forcë në të gjithë botën për shkak të konfliktit, dhunës dhe persekutimit, ka arritur nivele rekord.
Gjatë sezonit të korrjes, emigrantët afganë duke bërë një pushim dreke të ulur në mes bimëve të çajit.
Në Turqi janë rreth 300.000 afganë - 183.000 janë të regjistruar zyrtarisht dhe pjesa tjetër të paregjistruar. Edhe pse refugjatët e regjistruar zyrtarisht kanë të drejtë për kujdes shëndetësor, mijëra emigrantë pa dokumente nuk mund ta kenë këtë të drejtë.
Gjatë dekadës së parë të shekullit XXI, gjeorgjianët përbënin pjesën më të madhe të punëtorëve sezonalë në plantacionet e çajit në Turqi. Megjithatë, rënia e vlerës së lirës turke në vitet e fundit e ka bërë këtë punë sezonale më pak tërheqëse për gjeorgjianët.
Një afgan, i cili jeton në Turqi në tre vjetët e fundit, tha se megjithëse vjelja e gjetheve të çajit është e vështirë, ai fiton 1400-1500 lira (54 dollarë) në ditë. Kjo është e barasvlershme me mbi një të katërtën e të ardhurave mesatare mujore në Afganistan.
Turistëve vendas u shërbehet çaj gjatë vizitës së tyre në një plantacion çaji në Trabzon.
Mes krizës së kostos së jetesës, tkurrjes së rezervave valutore dhe me lirën që po arrin në nivelet rekorde më të ulëta, Ankaraja ka shtyrë dhjetëra mijëra afganë të kthehen në vendin e tyre që është në kufi me Iranin ose i ka deportuar drejtpërdrejt në Afganistan.
Pronari i plantacionit të çajit në Rize shfaq një pankartë të presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, i cili ka qenë në detyrë tash e 20 vjet.
Si udhëheqësi më jetëgjatë i vendit, Erdogan përdori me sukses qëndrimin agresiv të opozitës kundër imigracionit për të fituar besimin edhe të votuesve të rinj, për një tjetër mandat në fillim të këtij viti.
Rritja e deportimeve ka të ngjarë t'i atribuohet, të paktën pjesërisht, opinionit publik turk që lufton kundër refugjatëve dhe emigrantëve. Në një sondazh të vitit 2021 të kryer nga Avrasya Research Company për të vlerësuar opinionin publik turk për afganët, sirianë, irakianë dhe azilkërkuesit, 76 për qind e të anketuarve u pajtuan me deklaratën se "hyrja e këtyre njerëzve në Turqi duhet të parandalohet dhe ata duhet deportuar urgjentisht”.
Një çift i veshur me veshje tradicionale duke bërë fotografi, në një fushë çaji ku punëtorët afganë kanë zëvendësuar tashmë punëtorët gjeorgjian.