Michel: Ballkani Perëndimor, prioritet strategjik për BE-në

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. Foto: 14 qershor 2022, Podgoricë.

Ballkani Perëndimor më shumë se kurrë tani është prioritet strategjik për Bashkimin Evropian, tha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, gjatë vizitës zyrtare në Mal të Zi më 14 qershor.

“Është koha të përshpejtohet procesi i integrimit të Malit të Zi në BE, për të përmbushur standardet e kërkuara në kapituj. Ne qëndrojmë me shtetin tuaj dhe rajonin”, tha Michel gjatë një konference të përbashkët për media me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

Zyrtari i lartë evropian shtoi se gjatë takimit me Gjukanoviqin kanë biseduar për propozimin e tij për krijimin e një “Bashkësie gjeopolitike evropiane”.

“Ne e kemi sqaruar se qëllimi nuk është që të zëvendësohet procesi i integrimit evropian të shtetit, por integrim i drejtpërdrejt politik si një mundësi për t’u takuar në nivel të liderëve në mënyrë që të promovohet mirëkuptimi i përbashkët politik dhe përparim i përbashkët në integrimin drejt BE-së”, tha Michel.

Në fillim të majit, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se ishte për krijimin e një “komuniteti evropian politik” që do t’i lejonte shtetet që nuk janë në BE, përfshirë Ukrainën dhe Mbretërinë e Bashkuar, t’i bashkohen këtij unioni që do të kishte në thelb vlerat evropiane.

SHIKONI EDHE: E vërteta e planit “pa ndjenja” të Macronit mbi zgjerimin e BE-së

Michel po ashtu theksoi se BE-ja ka vepruar e bashkuar qëkur Rusia nisi agresionin ndaj Ukrainës, në mënyrë që ta sanksionojë ekonomikisht Rusinë dhe pranoi se Mali i Zi po respekton plotësisht politikën evropiane.

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, tha se vizita e Michelit është tregues i përkushtimit të BE-së për evropianizimin e Ballkanit Perëndimor.

“Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është i barabartë me integrimin”, tha Gjukanoviq, duke shtuar se pushtimi rus i Ukrainës po ashtu paraqet sulm ndaj sistemit të vlerave evropiane.

Gabim në server

Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!

Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web

I pyetur nga gazetarët për nismën rajonale “Ballkani i Hapur”, Michel tha se BE-ja gjithmonë do të mbështesë të gjitha nismat rajonale që nxisin zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin, por po ashtu respekton vendimet e ndërmarra nga shtetet individuale.

“Ballkani i Hapur” është nismë e iniciuar më 2019 nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Deri më tani, shtetet e tjera të Ballkanit, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina ende nuk i është bashkuar të njëjtës.

Duke folur për “Ballkanin e Hapur”, Gjukanoviq tha se Mali i Zi ndërmerr vendime brenda institucioneve dhe bazuar në interesat e saj dhe theksoi se nismat që veçse ekzistonin para “Ballkanit të Hapur” duhet të shfrytëzohen për bashkëpunim.

SHIKONI EDHE: Plus apo minus? Kosova jashtë "Ballkanit të Hapur"

Ai kujtoi se ideja për një treg ekonomik rajonal është iniciuar në Procesi i Berlinit gjatë një samiti të mbajtur në Sofje.

“Derisa të shfrytëzohen të gjitha kapacitetet e asaj nisme, më duket e pakuptimtë të flasim për nisma të reja që do të ishin një zëvendësim i keq i asaj që po ndodh tashmë nën ndërmjetësimin e BE-së”, tha Gjukanoviq.

Ai u pyet nga gazetarët që të komentonte edhe për qëndrimin e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili deklaroi pasi së fundmi u detyrua të anulonte një vizitë në Ukrainë se një prej arsyeve ishte përpjekje për të parandaluar Rusinë që të mbështeste “Ballkanin e Hapur”.

SHIKONI EDHE: Lavrov: Anulimi i vizitës në Serbi, i pashembullt

Gjukanoviq tha se Rusia haptazi vepron në mënyrë shkatërruese ndaj Evropës dhe fuqizon të gjitha forcat euroskeptike.

“Nisma ‘Ballkani i Hapur’ ka dalë nga euroskeptikët, të cilët në një pikë dyshuan në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Nuk ka vend për këtë skepticizëm dhe unë u binda nga biseda që zhvillova me zotin Michel”, tha Gjukanoviq.

Gjatë vizitës zyrtare në Mal të Zi, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, po ashtu u takua me kryeministrin, Dritan Abazoviq, dhe më pas zhvilloi një drekë pune me anëtarët e Qeverisë së Malit të Zi.

Më herët gjatë ditës, Michel është mirëpritur në aeroportin e Podgoricës nga ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ranko Krivokapiq.

“Arritja e zyrtarit të lartë evropian në Mal të Zi është tregues se dyert e BE-së janë më të hapura se kurrë”, shkroi në Twitter Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi.

SHIKONI EDHE: Michel viziton Kosovën javën e ardhshme

Michel do të qëndrojë edhe në Kosovë më 14 dhe 15 qershor.