Mësimi online dhe librat digjitalë, të dëmshëm për nxënësit

Tablete digjitale që përdoren nga nxënës për mësim online. Foto nga arkivi.

Një propozim-ligj i Ministrisë së Arsimit për libra digjitalë, ka thelluar kundërshtimet në Maqedoninë e Veriut, në kohën kur ky vend tani një vit ka mbyllur të gjitha shkollat fillore, të mesme edhe ato universitare.

Ekspertët thonë se arsimi kërkon zgjidhjen e shumë problemeve tjera para se të kalohet në digjitalizimin e librave. Psikologia Edlira Destani, thotë se librat digjitalë do të dëmtojnë shëndetin mental të nxënësve në kohën kur po përballemi me probleme të shumta me mësimin online.

Sociologu Ilija Acevski, shprehet që gjendja epidemiologjike është shqetësuese, por që duhet patur kujdes edhe me izolimin që po dëmton rëndë fëmijët dhe këtë gjendje do ta rëndojnë edhe më shumë librat digjitalë duke i izoluar fëmijët në shtëpitë e tyre.

Dallime në qëndrim ka edhe mes partive politike ndërsa prindërit kanë nisur të organizohen në rrjete sociale duke paralajmëruar edhe protesta.

SHIKONI EDHE: Ligji për librat digjitalë nxit bojkot të mësimit

Institucionet duhet të bëjnë çmos për kthimin e nxënësve në shkolla, pasi mësimi online jo vetëm që ka dështuar, po edhe ka lënë pasoja të rënda te fëmijët, thotë për Radion Evropa e Lirë, Edlira Destani, psikologe për fëmijë.

Ajo thotë se pasojat do të jenë edhe më të rënda, nëse realizohet projekti i radhës i Ministrisë së Arsimit për librat digjitalë. Sipas saj, në vend se t’i kthehen shkollave dhe teksteve mësimore, fëmijët do të lidhen edhe më shumë me pajisjet elektronike, që edhe ashtu po dëmtojnë rëndë shëndetin mendor, duke i privuar nga kontaktet me shokët e mësimdhënësit, që kanë rol shumë domethënës në socializimin e tyre.

SHIKONI EDHE: Maqedonia e V., pa kushte për librat digjitalë 

“Mësimi online ju ka reduktuar fëmijëve jo vetëm kohëzgjatjen, por edhe interaktivitetin që kanë pasur me njëri-tjetrin dhe që e ndjejnë të nevojshme çdo ditë e më shumë. Fëmijët ndjehen të vetëm në ato hapësira shtëpiake ku ndjekin mësimin online, sepse shkolla gjithmonë është konceptuar jo vetëm si vend për të mësuar, por edhe si vend për socializim. Fëmijët po shfaqin tendenca për të prishur, jo për të ndërtuar. Kanë filluar të shfaqin bulizëm, kanë filluar të kyçen shumë më tepër në rrjetet sociale dhe këto rrjete nuk janë thjesht ide për socializim, por përkundrazi, janë bërë shumë të ndjeshëm për fëmijët dhe këtë po e vërejnë edhe prindërit”, thotë Destani, duke shtuar se izolimi që po zgjat më shumë se një vit, ka shkaktuar ankth dhe depresion te fëmijët, por edhe rënie të madhe të rezultateve në shkollë, meqë mësimi online ka bërë të kundërtën.

Sociologu Ilija Acevski, thotë se gjendja epidemiologjike është shqetësuese dhe se duhet patur kujdes, por që në anën tjetër, izolimi po dëmton rëndë fëmijët, andaj sipas tij, por edhe psikologes Edlira Destani, vendi duhet të ndjekë praktikat e shteteve tjera, në veçanti ato të shteteve fqinje si të Kosovës, Shqipërisë e Serbisë, që nuk kanë ndërprerë procesin mësimor dhe nuk kanë ndonjë gjendje të rënduar me sëmundjen COVID-19.

Acevski thotë se propozimi i ri për librat digjitalë do të shkaktojë edhe më shumë çrregullime te fëmijët, pasi ata në njërën anë do të lidhen edhe më shumë me pajisjet elektronike, ndërsa në anën tjetër do të ballafaqohen me përmbajtje të ndryshme mësimore.

“Unë me siguri të madhe e them se do të ketë një përzierje të përmbajtjes së mësimeve. Nuk do të jenë njësitë mësimore që përmbajnë librat sikur ato elektronike që do të marrin fëmijët përmes formave të ndryshme. Do të përballemi me një konfuzion të madh, nëse nuk do të kemi një kontroll të detajuar mbi programet mësimore. Ne nuk do të kemi mësim normal, ne po eksperimentojmë me fëmijët dhe kjo doemos se do të ketë pasoja të rënda në ndërtimin e arsimimin e fëmijëve”, thotë profesori Ilija Acevski.

SHIKONI EDHE: Libra digjitale e shkolla pa karrige

Ndërkohë, eksperti për çështje të teknologjisë informatike dhe komunikimit, Ilija Gospodinov, thotë se digjitalizimi duket i vështirë dhe i dëmshëm për fëmijët, për shkak të problemeve që kanë më mësimin online si dhe mbylljen e shkollave, por që si proces duhet të vazhdojë, por të jetë i kombinuar me librat e shtypur.

“Mendojmë se metoda më e mirë për të zbatuar një reformë të tillë, është që librat të jenë në dispozicion edhe në formën e shtypur, por edhe në formën digjitale. Digjitalizimi duhet të inkurajohet, pasi nga kjo do të kishte përfitime edhe për vetë anëtarët e tjerë të familjes. Por, koha në të cilën ne ndodhemi, mësimi online, mbyllja e shkollave dhe probleme të tjera, kanë bërë që të refuzohet si pjesë e reformës. Fëmijët mund të përvetësojnë mësimin digjital, por ata që nuk e kanë një mundësi të tillë, duhet t’ju sigurohen tekste që të mund të kemi një mësim kualitativ, të njëjtë për të gjithë fëmijët”, thotë Gospodinov.

SHIKONI EDHE: Reformat në arsim në kohë pandemie, nxisin polemika

Propozim-ligji për librat digjitalë ka nxitur polemika edhe mes partive politike, pasi ato në opozitë e konsiderojnë atë si të dëmshëm, ndërsa kërkojnë edhe kthimin e nxënësve në shkolla.

Ndërkohë kundër reformës arsimore, janë ngritur edhe prindërit të cilët janë tubuar në rrjetet sociale, duke paralajmëruar edhe protesta.

Në Maqedoninë e Veriut, që nga paraqitja e pandemisë së COVID-19 në mars të vitit të kaluar, shkollat janë mbyllur ndërsa mësimi zhvillohet online mes problemesh të shumta, mungesës së rrjetit të internetit në shumë shkolla, si dhe të pajisjeve nga një numër i konsiderueshëm i nxënësve në gjendje të rëndë ekonomike.