Merkel në Kiev: Gazi natyror nuk duhet të shndërrohet kurrë në “armë gjeopolitike”

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy. Gusht 2021.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se gazi natyror nuk duhet të përdoret kurrë si armë gjeopolitike dhe ka përkrahur zgjatjen e marrëveshjes për partneritet strategjik me Ukrainën, kur ajo të skadojë më 2024.

Merkel i ka bërë këto komente më 22 gusht në një konferencë për media në Kiev me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.

Merkel është duke realizuar vizitën e saj të fundit në Ukrainë, para se t’i përfundojë mandati, pas zgjedhjeve që mbahen në Gjermani muajin e ardhshëm.

Vizita e saj në kryeqytetin ukrainas vjen dy ditë pas takimit që ka zhvilluar me presidentin rus, Vladimir Putin në Moskë.

Merkel është kritikuar për mbështetje të projektit Rrjedha Veriore 2, për të cilin Kievi, Uashingtoni dhe disa vende tjera paralajmërojnë se do të forcojë pozitën e Moskës në Evropë sa i përket energjisë.

Në konferencën për media, Zelenskiy ka thënë se bisedimet për zgjatje të marrëveshjes për transit të gazit me Rusinë janë të paqarta.

SHIKONI EDHE: Merkel: Pavarësisht mosmarrëveshjeve, Moska dhe Berlini duhet të bisedojnë

Ai ka thënë se dëshiron të kuptojë se ku mbetet Ukraina pas skadimit të marrëveshjes më 2024.

Merkel ka qenë mbështetëse kyçe e Kievit prej kur Rusia ka aneksuar rajonin ukrainas të Krimesë dhe ka nisur të mbështesë formacionet separatiste në disa pjesë në lindje të Ukrainës më 2014.

Si pasojë e këtij konflikti kanë vdekur 13,200 persona.

Merkel ka thënë në një konferencë për media se ajo do të vazhdojë “të punojë për integritetin territorial të Ukrainës”, derisa të jetë në pushtet.

SHIKONI EDHE: SHBA emëron këshilltar për zbatim të Marrëveshjes Rrjedha Veriore 2

Megjithatë, Merkel është kritikuar për qëndrimin e saj ndaj Rrjedhës Veriore 2, projekt që do të dyfishojë furnizimet me gaz natyror nga Rusia në Gjermani.

Më herët gjatë këtij viti, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur marrëveshje për Rrjedhën Veriore 2, duke iu dhënë fund mospajtimeve për projektin pothuajse të kompletuar që mundëson dërgimin e gazit natyror të Rusisë në Gjermani, nën Detin Baltik.

Berlini dhe Uashingtoni janë pajtuar për të mbështetur bashkërisht Ukrainën, si dhe për ta luftuar Rusinën nëse e shfrytëzon energjinë për presion politik.