Politizimi i administratës shtetërore në Maqedoni dhe vendosja e kuadrove të dëshmuar partiakë në pozita drejtuese në institucione shtetërore, është i pranishëm edhe në Qeverinë e re.
Partitë politike kanë shkëmbyer akuza pas vendimeve të Qeverisë për shkarkimin e qindra drejtorëve nga pozitat udhëheqëse në ndërmarrje të ndryshme publike dhe shtetërore.
Sikur edhe më parë, opozita akuzon pushtetin për revanshizëm politik, ndërsa ky i fundit arsyetohet se ndërrimet bëhen për shkak të politizimit të institucioneve me njerëz partiakë, ndërsa në fakt, edhe kjo bën të njëjtën, siç ka bërë qeveria e kaluar duke vendosur në poste kuadrot e saj më të dëshmuar në politikë.
Në një vendim të saj të fundit Qeveria ka njoftuar për rreth 70 shkarkime dhe emërime drejtorësh, ndërsa një gjë e tillë ka ndodhur edhe në institucionet shëndetësore, ku brenda një dite në poste drejtuese të klinikave apo spitaleve të Maqedonisë janë emëruar më shumë se 50 kuadro të reja.
Njohësit e çështjeve politike thonë se politizimi i institucioneve në Maqedoni ka arritur kulmin dhe se një qasje e tillë e partive duket e pafund. Meritat partiake dhe jo ato profesionale janë kriteri bazë për punësim madje edhe në shërbimet më të ulëta në administratë.
Edhe vozitës apo pastrues në ndonjë ndërmarrje publike nuk mund të punësohesh nëse nuk je dëshmuar në parti, e të mos flasim për drejtues të institucionit, thotë Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës për gazetari hulumtuese.
“Edhe kjo qeveri nuk arriti të instalojë një praktikë tjetër në përzgjedhjen e drejtuesve të institucioneve, apo të vendosë kritere më të ashpra profesionale dhe standard se kush do të mund të drejtojë institucione të caktuara. Por, kemi të kundërtën dhe si kritere përzgjedhjeje vlen se kush sa ka bërë më shumë për kauzën e partinë dhe ai zgjidhet në krye të institucionit".
"Pra, në këtë rast nuk merren parasysh përgatitjet apo aftësitë e tij profesionale që të menaxhojë apo të ketë sukses në atë institucion”, thotë Neziri duke e vlerësuar qasjen e partive jo vetëm të gabuar, por edhe të dëmshme për shoqërinë.
Ai thotë se edhe Maqedonia duhet të ndjekë shembullin e shteteve të zhvilluara, ku administrata përzgjidhet në bazë të meritave profesionale dhe menaxhuese, e jo në bazë të asaj se kush çfarë ka bërë për partinë.
“Mendoj se duhet të ketë një reformë jo vetëm institucionale, ligjore, por ajo më shumë duhet të jetë në kokat tona, në mentalitetin kolektiv në Maqedoni se në vende të caktuara, në pozicione të caktuara duhet të vendosen njerëz adekuatë. Pra, posteve t’u gjenden njerëz që dinë të udhëheqin e jo njerëzve t’u gjenden poste. Mendoj se duhet të hapet debati për reformimin e mentalitetit politik lidhur me përzgjedhjen kadrovike në institucionet tona të përbashkëta”, vlerëson Neziri.
Edhe Temellko Ristevski, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin “Fon” të Shkupit, thotë se politizimi i administratës mbetet pika më neuralgjike e funksionimit të institucioneve me pasoja të ardhmen e shoqërisë.
“Problemi qëndron në atë se tani anëtarësia bën presion ndaj partisë apo drejtuesve të tyre për të marrë atë që edhe i është premtuar gjatë fushatës zgjedhore, për punësime, apo edhe emërime në poste drejtuese. Ata kërkojnë shpërblimin e premtuar, ndërsa kreut të partisë kjo i konvenon pasi kështu ai mendon se ruan kontrollin mbi votuesit apo të personave që vlerëson se kanë qenë kyç në grumbullimin e votave”, thotë Ristevski.
Ai vlerëson se sistemi i përzgjedhjes së kuadrove në poste drejtuese në bazë të meritave partiake dhe jo atyre profesionale, do të ketë pasoja të mëdha ndaj funksionimit apo të ngritjes së nivelit të shërbimeve në administratë. Ne, thotë Ristevski edhe një kohë të gjatë do të jemi viktima të partizimit të institucioneve, të cilat janë jashtë çdo niveli të përgjegjësisë, dhe kjo para së gjithash për shkak të politizimit të skajshëm të tyre.
“Nuk ka dilema rreth asaj se çfarë kuadrosh duhet të vendosen në postet drejtuesve. Ata duhet të jenë ekspertë të dëshmuar, njerëz të cilët e dinë punën e tyre. Nuk them se të gjithë janë njerëz të vendosur në bazë të meritave partiake, pasi në mesin e tyre mund të ketë edhe ekspertë të fushës, por s’ka dyshime se shumica e tyre, për të mos thënë të gjithë janë edhe partiakë të dëshmuar apo që janë vendosur në poste joadekuate duke marrë parasysh përgatitjen e tyre profesionale”, thekson Ristevski.
Politizimi i administratës shtetërore në vazhdimësi kanë qenë temë e polemikave të ndryshme. Ajo numëron rreth 150 mijë punonjës, por një numër të saktë nuk ka, meqë numërimi bëhet varësisht interpretimeve se kush bën pjesë në të.
Institucionet ndërkombëtare vazhdimisht kanë bërë thirrje për reforma dhe uljen e numrit, por në vend të kësaj, ka ndodhur e kundërta, numri i administratës është rritur e me këtë edhe i akuzave për politizimin dhe partizimin e saj.