Mbyllet pikëkalimi kufitar në Merdare

Pikëkalimi kufitar në Merdare. Fotografi nga arkivi.

Është mbyllur pikëkalimi kufitar në Merdare, për shkak të vendosjes së barrikadave në Serbi rreth dy kilometra nga ky kufi.

Kështu njoftoi mbrëmjen e 27 dhjetorit Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë.

Merdarja - një prej pikëkalimeve kufitare me Serbinë - përdoret në masë të madhe nga diaspora kosovare për hyrje-dalje nga Kosova.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se “grupet kriminale serbe kanë bllokuar pikën kufitare në Merdare”.

“Njoftohen të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

MPJD udhëzon qytetarët që tashmë kanë hyrë në Serbi, që t’i përdorin pikat kufitare në Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të marrin rrugë përmes Maqedonisë së Veriut -pikëkalimi kufitar i Preshevës - përmes Shkupit.

Gabim në server

Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!

Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web

Më 27 dhjetor, në veri të Kosovës janë vendosur dy barrikada të reja, njëra nga to në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve - vendbanim multietnik, ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë - dhe rruga ku është vendosur barrikada është një prej rrugëve që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.

Barrikada në këtë lagje është e para e vendosur brenda ndonjë qyteti në veri, që kur disa serbë lokalë nisën bllokimin e rrugëve më 10 dhjetor.

Barrikadat e tjera janë të vendosura kryesisht në rrugë magjistrale që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Serbët lokalë që 18 ditë kanë ngritur barrikada në veri, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq. Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Pantiq dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar me 27 dhjetor se ka vizituar disa njësi të Ushtrisë së Serbisë “diku midis Kralevës dhe Rashkës”, dhe paralajmëroi një takim me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, por pa dhënë më shumë detaje.

Komuna e Rashkës në Serbi gjendet afër kufirit me Kosovën.

Që kur janë ngritur barrikadat, në veri të Kosovës janë shënuar një numër i incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.

Cak i sulmeve kanë qenë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), patrulla të KFOR-it dhe gazetarët.

Qeveria e Kosovës tha të hënën se është në komunikim të vazhdueshëm me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe po pret që ata të veprojnë, duke theksuar që Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet për të hequr barrikadat.