Partneriteti mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është gjithnjë e më i fuqishëm pasi bazohet në vlerat e përbashkëta të të dyja vendeve, është thënë gjatë një takim që ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj ka pasur me Zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Përmes një njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, thuhet se Mehaj dhe Escobar diskutuan edhe sfidat aktuale dhe ato të ardhshme potenciale të mjedisit të sigurisë, si dhe format më efektive të menaxhimit të tyre.
“Të dy u pajtuan se të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së si dhe vizioni për të ardhmen janë në funksion të plotë të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit rajonal dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.
Diplomati i lartë amerikan, sipas njoftimit e përgëzoi Kosovën për mbështetjen e ofruar misionit të NATO-së në evakuimin e refugjatëve nga Afganistani si dhe e theksoi që FSK-ja ka shënuar arritje domethënëse me bashkë-zbarkim me ushtrinë e SHBA-së.
“Ministri Mehaj e njoftoi Escobarin me vizionin dhe qëllimet e tij strategjike, si dhe prioritetet e Qeverisë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes dhe nga ai mori mbështetjen e plotë në realizimin e tyre”, shtoi njoftimi.
SHIKONI EDHE: Hovenier: Do ta inkurajoj Kosovën për konstruktivitet dhe fleksibilitet në dialogMinistri Mehaj është duke qëndruar në Shtetet e Bashkuara dhe gjatë vizitës atje ka marr pjesë në ekspozitën "AUSA 2021", ku ka takuar udhëheqësit e disa kompanive amerikane të industrisë së mbrojtjes.
Kosova i ka rritur investimet në fushën e mbrojtjes gjatë periudhës së fundit.
Në muajin qershor, Qeveria e Kosovës ka shqyrtuar propozimin për blerjen e dronëve nga Shtetet e Bashkuara për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Mehaj i pati thënë kabinetit qeveritar se blerja e katër dronëve amerikanë bëhet për nevoja të ngritjes së kapaciteteve për inteligjencë, vëzhgim dhe zbulim.
Më 2018, përmes ndryshimeve ligjore ka nisur transformimi i mandatit të FSK-së në forca të armatosura.
Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet.
Vitin e kaluar Kosova ka pranuar një kontingjent me automjete të blinduara të blerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për FSK-në.
Përgjegjësitë e reja të FSK-së kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, qytetarëve, pronave dhe interesave të Republikës së Kosovës, si dhe mbështetje ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në operacionet ndërkombëtare.
Me planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, planifikohet që numri i pjesëtarëve të FSK-së të arrijë në 5 mijë pjesëtarë aktivë dhe 2 mijë e 500 rezervë.