Gjenda në mediat në Maqedoni nuk ka ndryshuar në krahasim me periudhën e qeverisë paraprake. Mediat që kohë më parë kritikonin pushtetin, tani janë vënë në shërbim të opozitës së atëhershme apo pushtetit të tanishëm. Kështu vlerësojnë njohës të fushës mediale, duke tërhequr vërejtjen për fenomenin e pranisë së klientelizmit në media.
“Vlerësoj se Maqedonia ka shumë probleme në fushën e mediave dhe një ndër to është lidhja e drejtpërdrejtë mes politikës dhe medias në njërën anë dhe biznesit dhe medias në anën tjetër”, thotë Sefer Tahiri.
“Konsideroj se kjo prodhon klientelizëm shumë të madh në fushën e medias dhe se sistemi mediatik vuan nga ky sistem destruktiv që është i pranishëm edhe në vende tjera, por që në dhjetëvjeçarin e fundit në Maqedoni ka qenë shumë i dukshëm”, thekson Tahiri.
Në një situatë të tillë, vijon ai, në mungesë të një tregu të gjerë, mediat tentojnë të gjejnë forma të ndryshme, përfshirë edhe fondet buxhetore përmes klientelizmit duke shkelur parimet gazetareske.
Ndërkaq, Nebojsha Ilievski nga Asociacioni për Hulumtime, Komunikim dhe Zhvillim thotë se ekziston një gjendje ku mediat shkëmbejnë të mira dhe shërbime me politikën dhe ekonominë.
“Këto sjellje mund të ndikojnë në politikën e tyre redaktuese thënë kushtimisht, gjë që nuk guxon të ndodhë”, thotë Ilievski.
Sipas tij, shteti ende ka vështirësi që të definoj, vërej dhe reagoj ndaj klientalizmit në media. Një konstatim i tillë ka ardhur si rezultat i një hulumtimi të realizuar nga kjo organizatë mbi matjen e tretë të indeksit të klientelizmit në media. Por, për dallim nga dy vitet e para, tani matja tregon një hapje të lehtë të institucioneve në raport me opinionin
Sa i përket reformave, Sefer Tahiri thotë se ato po zhvillohen në vështirësi për shkak të problemeve të shumta të grumbulluara ndër vite, por edhe interesave të ndryshme të cilat i promovojnë qoftë mediat apo politika.
“Konsideroj se në bashkëveprim me Shoqatën e Gazetarëve duhet të arrihet një model i reformimit mediatik i cili do të mundësoj që të depolitizohet agjencia e mediave, të depolitizohen transmetuesit radiodifuziv publik dhe të ketë një prodhim cilësor. Në anën tjetër ajo që është e rëndësishme që të mos ketë ndikim ndaj televizioneve komerciale që të njëjtat të mos korruptohen përmes formave të ndryshme të dhënies së ndihmës financiare apo formave tjera klienteliste”, thotë Tahiri.
Kuvendi i Maqedonisë pritet të miratojë disa ndryshime ligjore për mediat, e që kryesisht kanë të bëjnë me përbërjen e agjencisë së mediave, transmetuesin publik, prodhimet vendore në media, reklamat e çështje tjera. Nga shoqata e gazetarëve kanë thënë se edhe pushteti sërish tenton të vendosë kontrollin mbi mediat, pasi sipas tyre, mediat nuk kanë nevojë për ligje, por për vet-rregullim në punën e tyre.
Sa i përket lirisë së mediave, Maqedonia në të gjitha raportet ndërkombëtarë është radhitur në grupin e shteteve me liri të kufizuar.