Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se gjatë takimeve të kaluara me të dërguarin e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka diskutuar se çfarë mund të bëhet sa i përket normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Por nëse dikush nuk është i gatshëm as të bisedojë, e lëre më të zbatojë Asociacionin e komunave serbe, atëherë kjo nuk ka kuptim”, ka thënë Vuçiq më 23 mars, para takimit me Lajçakun në Beograd.
Ai ka bërë të ditur se në prag të udhëtimit të tij në Ohër, për të takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si dhe Lajçakun, ai do t’i adresohet popullit rreth pozicionit të tij për Kosovën.
“Do ta them si i shoh gjërat dhe çfarë mund të bëjmë në të ardhmen. Të mërkurën dhe të enjten, do të flas sa u përket Kosovës dhe Metohisë”, ka thënë Vuçiq.
Sa i përket pozicionit të Shteteve të Bashkuara se Kosova duhet ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Vuçiq ka thënë se “nuk mund ta kritikojë dikë para se të bëjë diçka, nuk mund të paragjykoj diçka të keqe”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja dhe BE-ja “shtrëngojnë lakun” rreth Kosovës dhe SerbisëTakimi i radhës mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian do të mbahet më 18 mars në Ohër.
Para vizitës në Beograd, Lajçak ka qëndruar në Kosovë më 13 dhe 14 mars, me qëllim të mbledhjes së informacionit sesi do të zbatohet e ashtuquajtura Marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, për të cilën palët kanë arritur pajtueshmëri, sipas kryediplomatit evropian, Josep Borell.
Dokumenti prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashhkimi Evropian – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.
Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t'i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
SHIKONI EDHE: Kurti, i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë në takimin e OhritMë 9 mars, Lajçak ka thënë se ka pasur bisedime konstruktive dhe shumë të rëndësishme me Kurtin për zbatimin e Marrëveshjes, dhe ka shtuar se takimi i ka përmbushur pritshmëritë e tij.
Pas takimit me Kurtin, diplomati sllovak ka thënë se të dyja palët duhet të pajtohen për aneksin e zbatimit, sepse Marrëveshja nuk do të jetë ligjërisht obliguese pa të.
Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.
Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale.
Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.