Sindikalistët e sektorëve të ndryshëm publik në Kosovë prapë po kërkojnë rritje të pagave.
Kërkesën e njëjtë sindikalistët në Kosovë e kanë pasur edhe më 8 prill kur kanë protestuar në Prishtinë. Qeveria e Kosovës disa ditë më vonë, në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, vendosi të ndajë nga 100 euro shtesë për muajin prill, ndër të tjerë, edhe për punëtorët në sektorin publik dhe privat.
Por, punëtorët e sektorit publik vazhdojnë të insistojnë që të rritet paga për 100 euro, deri në miratimin e Ligjit të pagave. Ky projektligj është ende në proces të hartimit nga Qeveria e Kosovës.
SHIKONI EDHE: Pse po protestojnë sindikalistët?Në kuadër të kësaj, në disa institucione publike siç janë ato të arsimit, administrata publike, energjetika, Dogana, më 12 maj do të mbahet një grevë njëorëshe gjatë paradites.
Organizatorët janë nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë. Ata, po ashtu, paralajmëruan se nëse Qeveria nuk i plotëson kërkesat e tyre, më 20 maj do të organizohet protestë me të punësuarit e sektorit publik.
“Kurrë më shumë se sot nuk kemi qenë më unikë për këtë çështje”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Atdhe Hykolli, kryetar i BSPK-së.
Megjithatë, kjo formë e reagimit të sindikatave nuk po shihet adekuate për të rritur presionin te Qeveria për zgjidhje të përhershme, thotë Ali Dragusha, ish-përfaqësues i sindikatave të punëtorëve.
SHIKONI EDHE: Ligji për paga rikthen grevat në KosovëSipas tij, sindikatat nuk janë njëzëri në mbrojtjen e interesave të punëtorëve dhe për këtë arsye,po i krijojnë hapësirë Qeverisë që të manipulojë me punëtorë.
Pas çdo greve apo proteste, thotë Dragusha, Qeveria po bën ndonjë lëvizje me ndarje të shtesave materiale për kategori të caktuara, por nuk po i rritë pagat.
Rritja e pagave, sipas tij, është e domosdoshme për shkak të ngritjes së çmimeve të konsumit.
Çmimet e produkteve të konsumit në muajin prill, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, janë rritur për 11.2 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Paga mesatare bruto në Kosovë llogaritet të jetë rreth 460 euro.
“Qeveria nuk i përfill sindikatat sepse po i sheh si subjekte të vogla, të pafuqishme për të bërë një ndryshim, ashtu qysh duhet. Kështu që, Qeveria hesht dhe nuk bën ngritje të të ardhurave personale, merr vendim për ndonjë ndihmë financiare me nga 100 euro dhe hesht për një periudhë. Dhe, prapë mbetet kjo situatë”, thekson Dragusha.
SHIKONI EDHE:
Rritja e pagës mund të rrezikojë kontratën Projektligji për pagat konfronton Qeverinë me sindikatatQeveria e Kosovës e kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë nuk ka dhënë ndonjë shpjegim se si do t’u përgjigjet kërkesave të sindikalistëve.
A ka Kosova buxhet për t’i rritur pagat?
Edhe profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, thotë se Qeveria duhet të gjejë zgjidhje të përhershme për problemet e parashtruara nga sindikalistët dhe jo të ndajë mjete financiare për një muaj.
“Unë jam kundër zgjidhjeve parciale, që të punësuarave t’iu falen nga 100 euro, sepse më mirë do ishte këto mjete të investohen në prodhim ose në subvencionimin e produkteve elementare”, thekson ai.
Ai beson se me rritjen e të hyrave nga Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës , Qeveria ka mundësi që të miratojë dhe zbatojë Ligjin e pagave. Ai thotë se kjo është e nevojshme për të ruajtur “qetësinë sociale”.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
“Mos të harrojmë se protestat dhe pakënaqësitë sociale kushtëzojnë largimin e eventual të investitorëve të huaj për shkak të pasigurisë politike dhe sociale në vendin tonë”, shton ai.
Tani për tani, nuk dihet sa do të ishin implikimet buxhetore për zbatimin eventual të Ligjit për paga.
Ndryshe, buxheti i Kosovës varet nga të hyrat e Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganës. Në të dy këto institucione gjatë këtij viti ka pasur rritje të të hyrave.
Administrata Tatimore e Kosovës të mërkurën ka njoftuar se në katër muajt e parë të këtij viti janë grumbulluar rreth 270 milionë euro tatime, ose 68.5 milionë euro më shumë në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Sipas ATK-së, në këtë ka ndikuar parandalimi i evazionit fiskal në vend, si dhe mbledhja e borxheve ndaj këtij institucioni.
Edhe Dogana e Kosovës ka arritur që në dy muajt e parë të vitit 2022 të grumbullojë 26 milionë euro më shumë të hyra sesa vitin e kaluar, apo rreth 185.3 milionë euro në total.
Në grevë edhe punëtorët e KEDS-it
Përveç punëtorëve të sektorit publik që do të mbajnë grevë më 12 maj, edhe sindikata e punëtorëve të Kompanisë Kosovare për Shpërndarje të Energjisë Elektrike (KEDS), të mërkurën ka filluar grevën, e cila do të zgjasë deri të premten, nga një deri në tri orë. Kërkesë e tyre po ashtu është rritja e pagave për nga 100 euro në muaj.
KEDS është privatizuar në vitin 2013 nga konsorciumi turko-amerikan “Çalik -Limak”, i cili e ka blerë distribucionin për 26.3 milionë euro. Aktualisht, kompania ka rreth 2,000 punëtorë me pagë mesatare prej 450 eurosh.