Pas afër dy muaj që nga vendosja e tarifës doganore 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, udhëheqësit më të lartë të shtetit të Kosovës thonë se kjo taksë nuk do të shfuqizohet.
Ata në takime të ndryshme kanë ripërsëritur se taksa do të mbetet në fuqi deri në nënshkrimin e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë që do të rezultojë me njohjen e ndërsjellë.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka ripërsëritur se taksa ndaj importeve serbe, hiqet vetëm pasi të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke.
“Mendoj që është lajm i mirë taksa për produktet e Serbisë. Ne nuk vendosëm menjëherë taksën 100 për qind, fillimisht ishte 10 për qind në mënyrë që të tërheqim vërejtjen Serbisë, por gjendja nuk ndryshoi. Jam i bindur se interesi ekonomik po i vendos edhe interesat tjera. Jam i bindur se për Serbinë nuk është asgjë njohja e Kosovës shtet sa ka rëndësi tregu i Kosovës për ta”, tha Haradinaj.
Vendosja e taksës ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina është kritikuar në vazhdimësi nga Bashkimi Evropian, derisa edhe zyrtarë amerikanë kanë bërë thirrje për shfuqizim të kësaj mase.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli të premten pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka folur edhe në lidhje me çështjen e tarifës.
“Taksa 100 për qind i ka bërë mirë Serbisë dhe ka qenë reaksion i agresivitetit të cilin e ka sjellë Serbia. Serbia për një kohë të gjatë ka qenë tepër agresive dhe nuk e ka respektuar Kosovën. Kemi më bërë që Serbia të dëgjojë dhe respektojë këtë shtet të pavarur dhe sovran. Çdo vendim dhe veprim i yni nuk është i drejtuar kundër asnjë qytetari asnjë komuniteti etnik”, tha Veseli.
Hashtag: Deri kur taksë 100 përqind?
Gjatë kësaj jave, mediat në Kosovë raportuan se Këshilli për Siguri Kombëtare dhe Departamenti i Shtetit iu kanë dërguar një dokument tetëpikësh institucioneve të Kosovës ku kërkojnë heqjen e menjëhershme të tarifës ndaj mallrave serbe, në të kundërtën institucionet kosovare do të përballen me sanksione amerikane.
SHIKONI EDHE: Taksa ‘ngrin’ dialogunI pyetur nga gazetarët, lidhur me këtë, Veseli ka thënë se ka një kërkesë nga Amerika, por jo për tërheqje të taksës.
“Ka një kërkesë që t’i jepet perspektivë dhe fuqi Kosovës në procesin e dialogut, por nuk ka kërkesë që të hiqet. Ka kërkesë që të jepet mundësi procesit të dialogut në të cilën do të veprojmë bashkërisht. Shqetësimet të cilat janë të Amerikës do të jenë edhe të tonat të përbashkëta”, tha Veseli, duke shtuar se Kosova ka një partneritet me Amerikën dhe nuk do të dëmtojmë këtë partneritet dhe nuk do të lejojë askënd që ta dëmton.
Ndërkohë, Serbia, e cila para vendosjes së kësaj takse në ditë eksportonte në Kosovë mallra në vlerë mbi 1 milion euro, kërkoi heqjen e taksës si kusht për vazhdimin e dialogut ndërmjet dy shteteve.
Video nga arkivi: Ndalimi i qarkullimit të mallrave nga Serbia
Qeveria e Kosovës më 6 nëntor, të vitit të kaluar, fillimisht kishte vendosur taksë doganore 10 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kjo taksë doganore u ngrit në 100 për qind më 21 nëntor.
Përveç kësaj, më 28 dhjetor, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të vendosë taksë doganore 100 për qind edhe për produktet e importuara nga brendet ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.