“Më dinaku fiton”: Këmbësoria ukrainase po e thyen dalëngadalë mbrojtjen ruse

Ushtarët ukrainas në pozitat e tyre në vijën e frontit në rajonin Zaporizhja.

“Ne e planifikuam ofensivën, e nisëm, i rrënuam dy brigada ruse dhe i rrahëm derisa ata i thirrën të gjitha rezervat”, tha në fillim të qershorit Anatoli, komandant i një batalioni nga Brigada e 37-të e Këmbësorisë Detare, pas një arritjeje në front në jug të Velika Novosilka, rajonin e Donjeckut në Ukrainë.

Përparimi 10 kilometra brenda asaj që ka qenë mbrojtja ruse përgjatë lumit Mokri Jali dhe çlirimi i shtatë vendbanimeve gjatë asaj kohe, është njëra nga episodet më të jashtëzakonshme deri tani të kundërofensivës së Ukrainës.

Brigadat e trajnuara nga NATO-ja dhe të pajisura nga Perëndimi që morën pjesë në të – e 35-të, e 36-të, 37-të dhe e 38-të – janë në mesin e forcave ofensive më të forta të vendit.

Lexoni edhe këtë: Stoltenberg: Kundërofensiva ukrainase po përparon

Gjatë luftimeve, batalioni i Anatoli përdori transportues të shpejtë perëndimorë, si autoblinda luftarake franceze AMX-10 RC dhe autoblinda amerikane rezistente ndaj minave, Oshkosh M-ATV. Ato gjuajtën në lëvizje për t’i tronditur forcat ruse derisa ua mundësuan marinsave të vendoseshin në këmbë, tha ai. Të udhëhequr nga dronët që e mbikëqyrnin nga lart fushëbetejën, marinsat iu vërsulën llogoreve të armikut dhe u angazhuan në një luftë të rrezikshme nga afërsia.

“Të ecësh drejt vijës së frontit të armikut me mina nën këmbë dhe me plumba që shkrepen drejt jush nga tri drejtime – nuk është ndjesi e mirë”, tha Anatoli për Radion Evropa e Lirë, duke i pushuar duart mbi një Kallashnikov, të cilin e kishte marrë si trofe nga beteja.

Anatoli, komandant i batalionit të Brigadës së 37-të të Marinës, duke shkuar për ta vizituar pozicionin e ushtarit të tij.

Mbiemri i tij, dhe i ushtarëve të tjerë të cituar në këtë rrëfim, janë mbajtur të fshehtë në përputhje me rregullat e ushtrisë ukrainase.

Pasi i kaloi disa vite në luftë dhe të gjithë jetën si i rritur në ushtri, komandanti 34-vjeçar tha se “romantizmi i rinisë” i është venitur, dhe se tani është mësuar me “punën e zakonshme për të vrarë armiq”.

“Nëse dikush pret të më shoh mua si një përgjegjës të këmbësorisë në stil të Budoyonny, apo si një tanke beteje e tipit sovjetik, më mirë lë të shkojë në kinema”, tha ai.

Në shtab dhe në llogore

Duke folur, Anatoli u fut në shtabin e njësisë, i cili është i groposur thellë në dheun e zi të stepës së Donbasit. Kjo gropë e rregullt, e gjerë dhe e ftohtë strehon një grup njerëzish, të cilët vendosin për veprimet e ushtarëve ukrainas në vijën e frontit.

“E gjithë kjo luftë po ndodh në kohë reale”, tha Anatoli, duke e vendosur gishtin në një katror të vogël ngjyre të kuqe, i cili shënjon një pozicion rus në hartë. “Këta do t’i eliminoj nesër”.

“Ne do të vazhdojmë përpara derisa të jem në gjendje ta ndez një cigare në një shtrat të varur në bregdetin e Detit Azov”

Pika më e afërt jeshile në hartë është një pozicion ukrainas 194 metra larg nga rusët. Llogorja, e rimarrë nën kontroll më herët dhe e thelluar së fundmi, është zënë nga rreth 10 ushtarë, përfshirë 23-vjeçarin Yuri, 36-vjeçarin Viktor dhe 42-vjeçarin Serhi, të gjithë të thirrur dhe trajnuar së fundmi.

Nuk ka kaluar ditë pa pasur granatime me artileri, mortaja dhe raketa, tha Serhi për Radion Evropa e Lirë, i cili e ka mbrojtur këtë pozicion për më shumë se tri javë. Ai e vari fanellën e vet në një degë peme për t’u tharë në diell një ditë më parë – e cila u bë shoshë sikur të ishte djathë zviceran.

Sipas Viktorit, i cili operon një armë anti-dron, një dron i armikut fluturon mbi ta çdo gjysmë ore, për t’i gjetur caqet për sulme me artileri, apo për të hedhur eksplozivë. Nganjëherë, ushtarët detyrohen ta dëgjojnë himnin rusë që këndohet nga ushtarët në anën tjetër të vijës së frontit. Ata qeshin me të dhe tregojnë shakatë e veta, megjithëse të dërrmuar dhe nervozë.

Yuri (djathtas) dhe Viktori (majtas) duke i ruajtur llogoret rreth 200 metra larg pozicioneve ruse.

Viktori i pi dy pako cigare në ditë. Serhi mendon se lufta do të zgjasë për “një kohë të papërcaktuar”. Yuri beson se “ajo do të përfundojë së shpejti me fitoren tonë”.

Tani për tani, ata vendosin dyer druri në gropën e tyre dhe e futën një shporet brenda.

“Ne po rehatohemi këtu qetësisht, zotëri komandant”, Serhi i tha Anatolit gjatë vizitës së tij në këtë pozicion. “Ju premtoj se do të shkoni në pushim sapo ta gjej zëvendësuesin tuaj”, iu përgjigj komandanti.

Me hapa të ngadaltë por të sigurt përpara

Kjo mund të marrë kohë: kundërofensiva ukrainase, tashmë në muajin e katërt dhe duke lëvizur përpara ngadalë, nuk pritet të përfundojë së shpejti – çfarëdo qoftë rezultati. Shtytja strategjike drejt Detit të Azovit, që ka për qëllim t’i shërbejë “urës tokësore” – pjesës së territorit të uzurpuar nga kufiri rus deri të Gadishulli i Krimesë – nuk duket se do të arrihet së shpejti.

Deri tani, forcat ukrainase të vendosura në frontin jugor – i cili është më dinamik se fronti lindor – kanë hasur në vështirësi për t’i thyer mbrojtjet e forta ruse, të njohura si vijat Surovikin.

Anatoli tha për REL-in se rusët kanë mësuar nga gabimet të cilat i ndihmuan Ukrainës ta çlirojë një pjesë të madhe të territorit të okupuar në fillim të pushtimit rus në shkurt 2022. Tani, thotë ai, rusët kanë ndërtuar mbrojtje të qëndrueshme dhe të menduar, dhe i kanë kopjuar disa prej taktikave ukrainase.

Lexoni edhe këtë: Ish-oficeri i lartë i NATO-s: Ukraina e ka rimarrë iniciativën nga armiku

“Ka shumë hollësi sesi të dy palët e kryejnë këtë luftë, dhe përfundimisht fitues del ai që është më dinaku”, tha ai.

Që nga qershori, forcat ukrainase kanë bërë përparim të madh në dy pika: pranë Velika Novosilka, një qytet në rajon të Donjeckut në afërsi të kufirit administrativ me rajonin e Zaporizhjas dhe afër me Robotinen e çliruar së voni në pjesën perëndimore të rajonit Zaporizhja.

Në të dy rastet, përparimi nga fshati në fshat është bërë me luftime të shpejta nga një vijë fronti në tjetrën. Në mes të tyre shtrihen fusha të gjera të mbushura me mina, të cilat e zbulojnë çdo objekt lëvizës për zjarrin e armikut, përveç rrezikut për shpërthimet vdekjeprurëse nën këmbë.

Brigada e 37-të e Marinës është pajisur pothuajse vetëm me artileri dhe automjete të prodhuara nga Perëndimi.

Si pasojë, operacioneve të sulmeve iu paraprin puna e çminimit, e cila shpesh kryhet gjatë natës, dhe nga fazat e zgjatura të granatimeve me artileri dhe sulmeve me raketa që kanë për qëllim ta pastrojnë rrugën për luftime nga afër.

Kjo strategji, e adaptuar pas tentimeve fillestare për të depërtuar në vijat e mbrojtjes me forca mekanizuara dhe blinduara, ka ndihmuar në kufizimin e humbjeve në njerëz dhe në pajisje. Por, kjo nënkupton se edhe përparimi është i kufizuar: mund të nevojitet një javë luftime për ta çliruar një kilometër territor.

Lexoni edhe këtë: Ukraina thotë se ka fituar më shumë kontroll në territoret lindore e jugore

Sipas Anatolit, brigadat e këmbësorisë detare janë të pajisura dhe me staf të mjaftueshëm për detyrat të cilat u caktohen atyre nga komandantët dhe se ato do të vazhdojnë me operacione ofensive edhe në të ardhmen.

“Ne do të vazhdojmë përpara derisa të jem në gjendje ta ndez një cigare në një shtrat të varur në bregdetin e Detit Azov”, tha ai.

Brigada e 37-të e Këmbësorisë Detare përbëhet vetëm nga rekrutë të cilët u stërvitën jo vetëm në Ukrainë, por edhe së paku në njërin prej disa vendeve të NATO-s: Poloni, Norvegji, Britani e Madhe, Francë dhe Spanjë.

Shumica e anëtarëve të Brigadës së 37-të të Marinës u thirrën dhe u stërvitën së fundmi.

Ukrainë formoi brigada të ndara të këmbësorisë detare në maj, me urdhër të presidenti Volodymyr Zelensky. “Ato janë forcë e fuqishme që e shkatërron armikun, i çliron tokat ukrainase dhe i kryen detyrat më të vështira në kushtet më të vështira”, tha Zelensky asokohe.

“Lufta do të vazhdojë”

Se çfarë i pret këto njësi elitare nuk është bash e qartë, por ajo që është pothuajse e sigurt është se luftë më e madhe, të paktën për disa javë.

Gjenerali amerikan Mark Milley, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, tha për BBC më 10 shtator se kanë mbetur “mbase 30 apo 45 ditë për luftime para se të prishet moti, prandaj ukrainasit nuk kanë mbaruar ende. Pastaj, do të vijë shiu, do të këtë shumë baltë dhe do të jetë shumë e vështirë të manovrohet në atë kohë”.

Por, shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, gjenerali Kyrylo Budanov, tha se forcat ukrainase do t’i përshtaten motit dhe se “luftimet do të vazhdojnë në një mënyrë apo tjetër”.

Tanket rrugës drejt vijës së frontit.

Ekspertët ushtarakë thonë se betejat në afërsi të Tokmakut, në rajonin e Zaporizhjas në anën perëndimore, do të luajnë rol vendimtar shumë shpejt, pasi përparimi i Ukrainës atje do ta hapte rrugën për Melitopol, një tjetër qytet jugor i uzurpuar, i cili është jetik për “urën tokësore”.

Përparimet në të dy zonat e sjellin artilerinë ukrainase më afër linjave ruse të furnizimit, që nënkupton se Ukraina do të kishte mundësi për ta penguar furnizimin armikut me gjëra logjistike.

Lexoni edhe këtë: SHBA thotë se ka “përparim të dukshëm” në kundërofensivën ukrainase

“Nuk e di se çfarë do të ndodhë brenda një apo dy muajve, s’e di çfarë do të ndodhë nesër. Të jem i saktë, e di se çfarë do të ndodhë nesër, por nuk do t’ju tregoj”, tha Anatoli për REL-in.

Një javë më vonë, burime publike treguan pozicionet e gjata të shënjuara me të kuqe rreth 194 metra larg nga llogores së Yurit, Viktorit dhe Serhit, u shënjua me ngjyrë jeshile, pra tani është nën kontrollin e Ukrainës, e jo më të Rusisë.

Përgatiti: Ekrem Idrizi