Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (MCC) ka pauzuar (pezulluar) programet të cilat kanë qenë në zbatim në Kosovë, si pasojë e mosbindjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për heqjen e tarifës 100 për qind pa kushte ndaj produkteve të importuara nga Serbia.
Radio Evropa e Lirë mëson se një nga programet e pezulluara nga MCC-ja është ai në vlerë prej rreth 50 milionë dollarë amerikan.
Ky program tanimë i pezulluar ishte fokusuar në reformat e dy fushave më kritike të identifikuara si pengesa për zhvillim në Kosovë, siç janë: mungesa e qëndrueshmërisë së energjisë elektrike si dhe dobësitë dhe mangësitë reale në sundimin e ligjit.
Bëhet fjalë për një grant të MCC-së i fokusuar në avancimin e politikave dhe reformave institucionale që u ndihmojnë shteteve partnere për t'i shërbyer më mirë popullit. Investimet MCC-së promovojnë rritje ekonomike si dhe ndihmojnë njerëzit të dalin nga varfëria, duke krijuar shtete më stabile, më të sigurta, me mundësi të reja për biznese.
SHIKONI EDHE: Ndihma për Kosovën në luftimin e korrupsionitDrejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë, se çfarëdo pezullimi apo tërheqje e ndihmës financiare të cilën Kosova e merr përmes Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar apo edhe të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit do të ishte shenjë e keqe për Kosovën dhe shenjë e përkeqësimit të raporteve mes Kosovës dhe SHBA-së.
“Përkeqësimi i raporteve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është në interes të Kosovës duke e ditur tërë kontributin dhe përkrahjen që ka marrë Kosova nga SHBA-ja edhe në procesin e çlirimit të vendit edhe në procesin e shpalljes së pavarësisë dhe me vonë edhe në procesin e ndërtimit dhe fuqizimit të shtetit”, thotë Zeka.
SHIKONI EDHE: Thaçi i kërkon qeverisë që urgjentisht të plotësojë kërkesat amerikane“SHBA-ja ka investuar si në aspektin ekonomik, si në aspektin e fuqizimit të demokracisë, fuqizimit të sundimit të rendit dhe ligjit, anëtarësimit të Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare, por edhe në procesin e njohjeve, prandaj Kosova gjithsesi duhet të merrte në konsideratë këshillat dhe rekomandimet e vazhdueshme të SHBA-së dhe të shfuqizonte vendimin për tarifat në mënyrë të pakushtëzuar ashtu siç është kërkuara nga administrata e SHBA-së”, thekson ai.
Qeveria e Kosovës, shton Zeka, duhet të veprojë në mënyrë të përgjegjshme, duke marrë në konsideratë këshillat e aleatit më të rëndësishëm të Kosovës, në këtë rast, SHBA-së.
*Video: Largim i taksës apo trupave amerikane?
Your browser doesn’t support HTML5
MCC-ja, është një agjenci qeveritare amerikane e asistencës së jashtme e themeluar nga Kongresi në vitin 2004.
Përzgjedhja e shteteve që përfitojnë nga asistenca e MCC-së bazohet në një proces rigoroz që matë progresin e arritur në 20 indikatorë të pavarur dhe objektivë, në fushat si liritë ekonomike, të drejtat demokratike, kontrolli i korrupsionit, sundimi i ligjit, qeverisja e mirë dhe investimit në njerëz.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i pyetur nga gazetarët për pezullimin e fondeve të MCC-së ka thënë se nuk ka ndonjë informacion lidhur me këtë.
“Nuk kam një njoftim të tillë zyrtar dhe jam i hendikepuar për shkak se njoftimet dhe lajmet që vinë të paverifikuara apo gjysmë të verifikuara, nuk e kam as për së afërmi kohën e dikurshme që t’i ndjek”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 27 shkurt pati propozuar që më 15 mars të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, si "shenjë e vullnetit të mirë" dhe e gatishmërisë “për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”.
Ky plan i Kurtit është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, i cili pati deklaruar se kryeministri i Kosovës bën “gabim serioz”, pasi sipas tij, kërkesa e SHBA-së është që tarifat të hiqen plotësisht.
SHIKONI EDHE: Grenell mbështet qasjen e Mustafës për heqjen e taksësTarifa 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës është vendosur nga Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018, por ajo ishte vlerësuar si pengesë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi kjo e fundit ka refuzuar që të kthehet në tavolinën e bisedimeve pa u hequr tarifa.
Që atëherë, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, në vazhdimësi u kanë kërkuar autoriteteve të Kosovës që të heqin tarifën, për t’i hapur rrugë rinisjes së dialogut.