Mbyten 8 imigrantë në një ishull grek

Rhodes, njëri nga disa ishujt e mëdhenj grekë që shtrihet pranë bregdetit të Turqisë, është rrugë e dendur për trafikim me imigrantë në lindje të Detit Mesdhe.

Tetë imigrantë janë mbytur të premten në mëngjes pranë ishullit Rodos në Greqi, pasi anija e shpejtë me të cilën po lundronin u përmbys, thanë autoritetet greke.

Roja bregdetare tha se incidenti ndodhi pasi anija e shpejtë bëri “lëvizje të rrezikshme” në përpjekje për t’i ikur një anijeje patrulluese, duke i hedhur imigrantët në ujë.

Autoritetet greke thanë se 18 imigrantë të tjerë u shpëtuan dhe se kërkimet për shpëtimin e imigrantëve të tjerë janë duke vazhduar. Nuk është e qartë se sa imigrantë po barte anija kur u përmbys, sipas tyre.

SHIKONI EDHE: Gjashtë imigrantë mbyten në përpjekje për të mbërritur në Ishujt Kanari të Spanjës

Rodosi, njëri nga disa ishujt e mëdhenj grekë, që shtrihet pranë bregdetit të Turqisë, është rrugë e dendur për trafikim me imigrantë në lindje të Detit Mesdhe.

Ky është incidenti i dytë vdekjeprurës me imigrantë në këtë ishull këtë javë.

Shtatë imigrantë humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë besohet se janë zhdukur kur anija e tyre u fundos pjesërisht në jug të ishullit të Kretës gjatë fundjavës së kaluar.

Numri i imigrantëve që shkojnë në Greqi jashtëligjshëm pritet të rritet në 60.000 këtë vit.

Sirianët përbëjnë numrin më të madh të tyre, të ndjekur nga afganët, egjiptianët, eritrianët dhe palestinezët, sipas të dhënave qeveritare.