Mbyllja e Qeverisë amerikane shmanget në çastin e fundit

Kongresi amerikan.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka shmangur mbylljen federale, pasi Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati u pajtuan për një marrëveshje financimi afatshkurtër të shtunën.

Një projektligj i cili e mban të financuar Qeverinë deri më 17 nëntor – por në të cilin nuk përfshihet mbështetja e re për Ukrainën – u miratua në Senat me 88 vota pro dhe nëntë kundër.

Presidenti Joe Biden e nënshkroi atë në ligj pak para se të skadonte afati në mesnatë.

“Ky është lajm i mirë për popullin amerikan”, tha Biden në një komunikatë.

Ky propozim u bë nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, i cili u përball me kundërshtime të mëdha nga ligjvënësit e ekstremit të djathtë nga partia e tij.

SHIKONI EDHE: Qeveria amerikane para mbylljes, Kongresi në krizë

Mbyllja e Qeverisë, e cila do t’i çonte dhjetëra mijëra punonjës federalë në pushim pa pagesë dhe do t’i pezullonte shërbimet e ndryshme qeveritare, pritej të ndodhte më 1 tetor.

Por, kthesa dramatike ndodhi të shtunën mbrëma, pasi republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve ia dolën ta miratojnë masën e financimit të përkohshëm, i cili do ta mbajë Qeverinë të hapur deri kah mesi i nëntorit dhe nuk do të bëjë më koncesione të mëdha për nivelet e shpenzimeve.

Kjo masë mori mbështetje më të madhe nga demokratët se nga republikanët, sepse hiç më pak se 90 republikanë votuan kundër saj.

SHIKONI EDHE: Çfarë nënkupton mbyllja e Qeverisë amerikane?

Për një grup të vogël të republikanëve të ekstremit të djathtë kjo ishte një goditje e rëndë, të cilët kishin mbajtur bisedime në Dhomën e Përfaqësuesve me kërkesa këmbëngulëse për uljen e shpenzimeve.

Megjithatë, duke qenë se shumica e ligjvënësve ishin të vendosur për ta shmangur mbylljen, njëra nga kërkesat kryesore e këtij grup – ndalja e financimit të luftës së Ukrainës kundër pushtuesit rus – reflektohet në këtë projektligj.

Biden theksoi se Shtetet e Bashkuara “nuk mund të lejojnë, në asnjë rrethanë, që përkrahja amerikane për Ukrainën të ndërpritet”, duke shtuar se pret nga McCarthy “të vazhdojë të jetë i përkushtuar ndaj popullit ukrainas dhe ta sigurojë miratimin e mbështetjes së nevojshme për ta ndihmuar Ukrainën në këtë çast kritik”.