Afati për aplikim për subvencionimin e izolimit të kushtueshëm të shtëpive është mbyllur pak më shumë se një muaj para kohe, për shkak të mijërave aplikimeve, tha të dielën Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE).
“Nga sot, aplikimi në platformën e-Kosova është mbyllur, ndërsa FKEE është në proces të shqyrtimit te aplikimeve te pranuara”, njoftoi Fondi më 25 gusht në një postim në Facebook.
Më 8 gusht, FKEE-ja e hapi thirrjen publike për aplikim për masa të efiçencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit.
Afati për aplikimin u caktua të ishte i hapur deri më 25 shtator 2023.
Por, Fondi tha se gjatë 13 ditëve i ka pranuar “mbi 2000 aplikime të cilat përmbushin buxhetin e paraparë për projektin ‘Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit’".
SHIKONI EDHE: Interesim i madh për izolimin e kushtueshëm të shtëpiveQeveria do t’i subvencionojë rreth 2.000 familje deri në 50 për qind të kostos së investimit, e kufizuar në shumën prej 5.500 eurosh.
Ky subvencion përfshin koston e izolimit të jashtëm të shtëpisë, ndërrimin e dritareve dhe të derës së hyrjes, si dhe izolimin e kulmit.
Për këtë projekt janë ndarë gjithsej 10 milionë euro.
SHIKONI EDHE: Si mund të përfitoni subvencion për izolimin e shtëpisë?Projekti mbështetet nga Bashkimi Evropian, në kuadër të programit IPA [Instrumenti i Para-anëtarësimit] - Pako për Mbështetjen e Energjisë, i aranzhuar nga Qeveria e Kosovës dhe i zbatuar nga FKEE.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se indeksi i tërësishëm i kostos së ndërtimit ka pësuar rritje për 3.3 për qind në tremujorin e parë të vitit 2023, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022.