Mbretëria e Bashkuar do t’i dërgojë tanke Ukrainës

Kryeministri britanik, Rishi Sunak (majtas) dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në Kiev. Fotografi nga arkivi.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, ka thënë të shtunën se Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë tanke në Ukrainë, për t’iu ndihmuar forcave ukrainase që të “zmbrapsin forcat ruse”.

Sunak e ka bërë këtë zotim duke përmendur tanket Challenger 2 dhe sisteme shtesë të artilerisë.

Sipas tij, kjo është shenjë e “ambicieve të Mbretërisë së Bashkuar për të rritur mbështetjen për Ukrainën”.

Njoftimi për mediat është bërë pas një bisede që ka realizuar Sunak me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ky vendim e bën Mbretërinë e Bashkuar fuqinë e parë perëndimore që e furnizon Ukrainën me tanke luftarake.

Franca ka thënë më 4 janar se do t’i japë Kievit, modelin më të lehtë të tankeve AMX-10 RC.

SHIKONI EDHE: Perëndimi do t’i dhurojë Ukrainës autoblinda

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.