Mbipesha dhe obeziteti në rritje te fëmijët 

Ilustrim.

Mbipesha dhe obeziteti te fëmijët, sipas mjekëve pediatër, vijnë si pasojë e kequshqyerjes apo marrjes së kalorive të tepërta përmes ushqimit të shpejtë. Për pasojë, obeziteti, theksojnë profesionistët shëndetësorë, shkakton sëmundje kardiovaskulate, diabetin e madje edhe disa lloje të kancerit.

Në qytetin e Gjakovës me rrethinë, së fundmi është bërë një hulumtim lidhur me atë se a ka rritje të numrit të fëmijëve me mbipeshë dhe fëmijëve obezë.

Ramush Beiqi, pediatër, i tha Radios Evropa e Lirë, se hulumtimi i fundit i bërë në këtë qytet të Kosovës, ka rezultuar se 68 për qind e fëmijëve kishin mbipeshë në qytetin e Gjakovës, kurse në fshatrat e kësaj komune 58 për qind.

“Kjo tregon pak a shumë edhe situatën në gjithë Kosovën. Pra, ne kemi rritje të numrit të fëmijëve me mbipeshë si pasojë e shumë shkaktarëve, duke filluar nga edukimi në shkollë, familje, në shoqëri, konsumimi i ushqimit joadekuat, mungesa e aktiviteteve fizike dhe gjithë këto kanë rezultuar që ne tash të kemi fëmijë obez”, thotë Beiqi.

SHIKONI EDHE: Mbipesha, shkaktar i shumë sëmundjeve te fëmijët

“Ajo që na shqetëson më së shumti është se nuk kemi shqetësime të prindërve që i kanë fëmijët obez, por kemi shqetësime tek ata prindër që i kanë fëmijët me peshë normale dhe janë të shqetësuar pse fëmija i tyre nuk është i plotë, çka mendoj se është paradoksale”, tha Beiqi

Beiqi flet edhe për pasojat për shëndetin që kanë mbipesha dhe obeziteti, duke potencuar disa nga sëmundjet që sjell, si ato kardiovaskulare, diabeti etj.

“Pasojat e obezitetit janë të shumta, duke filluar nga sëmundjet kardiovaskulare, indi dhjamor që formohet, ai asnjëherë më nuk reduktohet, qelizat janë aty gjithmonë dhe presin të mbushen me yndyrë. Pra, humbet indi aktiv. Gjithashtu shkakton sëmundje të zemrës, diabet. Pra, janë fëmijë potencialisht pacientë me disa sëmundje”, tha Beiqi.

Sami Uka, kryeshef në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, bëri të ditur se në bazë të vizitave sistematike të nxënësve në shkollat e Prishtinës, që përfshijnë klasat e para, të pesta dhe të nënta, ka rezultuar se në aspektin e mbipeshës dhe obezitetit është vërejtur një shkallë në rritje nga gjenerata në gjeneratë. Rreth 12.5 për qind e tyre fëmijëve, të tri klasave, janë me mbipeshë, nga rreth 10 mijë fëmijë të ekzaminuar. Derisa 9.9 për qind janë obez dhe 1.3 për qind kanë obezitet të theksuar, thekson ai.

“Rezultatet janë shumë të dobishme dhe informuese për vlerësimin e gjendjes jo vetëm shëndetësore, por edhe gjendjes së ushqyerjes së fëmijëve. E keqja e gjithë kësaj është se obeziteti në fëmijëri, sipas të dhënave shkencore, përcjellet në shumicën e rasteve edhe në moshë të rritur dhe bart më vete rrezik për sëmundje kardiovaskulare, diabet dhe disa lloje të kancerit. Prandaj, në shoqëri është mirë të marrin masa dhe ta eliminojmë, pasi jo rastësisht është cilësuar si epidemi globale”, theksoi Uka.

“Prindërit duhet pasur kujdes, të eliminojnë sheqernat, t’i ushqejnë fëmijët me pemë, perime sa më shumë, arra, lajthia pra leguminoza dhe gjithsesi rritjen e aktivitetit fizik”, tha ai.

SHIKONI EDHE: UNICEF: Kequshqyerja problem për miliona fëmijë në botë

Teuta Mehmeti, infermiere, njëherësh pjesëmarrëse në kontrollimin e fëmijëve në shkollat e Prishtinës, thotë se sidomos fëmijët e klasave të nënta, kanë dominuar me mbipeshë.

Ajo shton se te këta fëmijë të moshës 14-15 vjeç prindërit nuk kanë kontroll të plotë te ta, andaj edhe ushqehen me ushqime të shpejta, çka ndikon në shtimin e peshës së tyre.

“Në të gjitha shkollat e Prishtinës janë bërë kontrolle sistematike te fëmijët e klasave të para, pesta dhe nënta. Ajo çka mund të them është sidomos fëmijët e klasave të nënta, ushqehen jashtë dhe prindërit kanë më pak ndikim në këto mosha. Andaj edhe rezultatet kanë dalë se numri i fëmijëve me mbipeshë dhe obez është më i theksuar te kjo moshë. Pra, stili dhe mënyra e të ushqyerit është gjithçka”, tha Mehmeti.

Statistikat flasin se në nivel global, rreth 41 milionë fëmijë të moshës nën 5 vjeç janë me mbipeshë, tha Sami Uka, sipas të cilit jo rastësisht mbipesha është cilësuar si epidemi globale nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ndërkaq, në krahasimet afatgjate të mjekëve thuhet se përderisa në vitin 2007, numri i fëmijëve që ishin diagnostikuar me diabet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka qenë 12 raste, kurse viteve të fundit janë shfaqur nga rreth 50 raste të reja në vit me diabet. Obeziteti është një nga faktorët që ndikon në paraqitjen e kësaj sëmundjeje.