Numri i personave të vdekur me koronavirus në Indi, ka kaluar shifrën 300,000.
Ekspertët paralajmërojnë se shifrat reale të viktimave mund të jenë shumë më të mëdha, pasi shumë vdekje nuk janë raportuar zyrtarisht.
India ka regjistruar 26 milionë raste të infektimit – vendi i dytë pas Shteteve të Bashkuara – dhe tani është epiqendër e pandemisë globale.
Ky shtet po ashtu është i treti në botë që ka regjistruar më shumë se 300,000 viktima – pas SHBA-së dhe Brazilit.
SHIKONI EDHE: Çfarë është varianti indian i koronavirusit?Indisë i është dashur më pak se një muaj për të regjistruar 100,000 vdekjet e fundit.
Vala e dytë e pandemisë ka mbingarkuar sistemin shëndetësor të këtij shteti, pasi spitalet me vështirësi janë përballur me fluksin e pacientëve dhe mungesën e oksigjenit.
Në disa zona edhe krematoriumet kanë qenë të mbushura dhe njerëzit janë detyruar të krijojnë krematoriume të improvizuara nëpër parqe, për familjarët e tyre.
Aktualisht, as shkalla e vaksinimit nuk është duke shënuar përparim të madh në Indi, çka do të mund të ndikonte në lehtësim të krizës.