Inspektorati i tregut në Kosovë ka gjobitur më shumë se 30 biznese, të cilat nuk e kanë respektuar vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për vendosjen e flamujve të origjinës së produktit,
Ky vendim, i cili ka hyrë në fuqi gjashtë muaj më parë, kishte obliguar subjektet afariste që t'i vendosin flamurin e origjinës së produktit në mënyrë që konsumatorët të njoftohen me origjinën e mallrave që blejnë.
Kryeinspektori i tregut në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Lulzim Syla, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi për vendosjen e flamujve të origjinës po respektohet në përqindje të lartë nga bizneset, porse ende ka raste kur disa subjekte afariste nuk zbatojnë një vendim të tillë.
“Vendosja e flamujve të origjinës së produktit po realizohet si proces në afër 100 për qind. Ne, gjatë javës, kemi pasur inspektime shtesë në gjithë territorin e Kosovës, kemi hasur te disa biznese që nuk i kanë vendosur flamujt dhe ne, si Inspektorat, i kemi marrë masat dhe bizneset ekonomike i kemi gjobitur. Sa i përket numrit janë mbi 30 biznese që janë dënuar dhe disa prej tyre lënda iu është dërguar në gjykatë”, thotë Syla.
SHIKONI EDHE: Manipulime me flamujt e origjinës së produkteveAi shton se gjoba për subjektet afariste, të cilat nuk i vendosin flamujt e origjinë së produktit apo për ndërrim të flamujve të origjinës së produktit, janë nga 1000 mijë euro deri në 20 mijë euro.
Kohë më parë Radio Evropa e Lirë kishte evidentuar një rast në një dyqan në Prishtinë kur flamuri i Kosovës ishte i vendosur te produkti, i cili ishte brend ndërkombëtar, por që prodhohet në Serbi.
Për të gjitha këto raste të tilla, Syla thotë se janë marrë veprimet e nevojshme.
“Kur kemi hasur në raste të ndryshimeve të flamujve rastet i kemi dërguar në gjykatat kompetente. Për evidentimin e rasteve të tilla jemi ndihmuar shumë nga mediat dhe konsumatorët, të cilat sapo kanë hasur në raste të tilla na kanë lajmëruar dhe ne kemi marrë masat e nevojshme”, sqaron Syla.
SHIKONI EDHE: Respektim i pjesshëm i vendosjes së flamujve të origjinës së mallitUdhëzimi administrativ për vendosjen e flamujve të origjinës së produktit pati hyrë në fuqi pak kohë pas vendosjes së taksës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Vendosja e taksës 100 për qind vazhdon të jetë në fuqi. Qeveria e Kosovës, deri më tani, nuk është zmbrapsur nga ky vendim edhe pas shumë kërkesave nga Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pezullimin apo anulimin e kësaj takse.
SHIKONI EDHE: Përfitimet dhe humbjet nga taksaKryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se mospërputhja e flamurit të shtetit me origjinën e produktit, në të shumtën e rasteve ka ndodhur kur bëhej fjalë për prodhimet nga Serbia.
Mirëpo, sipas tij, vendimi për vendosjen e flamujve të origjinës së produktit ka pasur një ndikim të madh në treg. Ai thotë se konsumatorët tani janë më të vetëdijshëm se produktet e cilit vend i konsumojnë.
“Nga hulumtimet që i kemi bërë në treg, kemi parë se vendimi për vendosjen e flamujve, ka pasur një efekt ashtu sa ka pasur edhe taksa 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kjo ka bërë që qytetarët, të cilët në të kaluarën kanë marrë produktin pa e lexuar prej nga e ka origjinën, tani e shohim qysh në momentin kur e marrin atë. Kjo ka ndikuar që qytetarët të vetëdijesohen dhe të blejnë edhe produktet vendore. Tregtarët në disa raste po tentojnë të falsifikojnë disa produkte duke i vendosur afër flamujve të vendeve tjera. Ka raste kur vendoset flamuri i shtetit shqiptar te produktet e një vendi tjetër”, thotë Shahini.
Sipas udhëzimit administrativ të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, flamuri i origjinës së produktit duhet të vendoset në anën e majtë të çmimit të shitjes apo çmimit për njësi jo më larg se 1 centimetër nga çmimi i produktit.
Madhësia e flamurit që tregon origjinën e produktit, duhet të jetë në madhësi proporcionale me çmimin e produktit.