James Mattis të hënën për vizitë në Maqedoni

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, të hënën pritet të arrijë për vizitë në Maqedoni, që vlerësohet si një nga vizitat më të rëndësishme të personaliteteve ndërkombëtare në mbështetje të referendumit të 30 shtatorit, për ndryshimin e emrit të shtetit dhe me këtë, zhbllokimin e procesit të integrimit euro-atlantik.

Para vizitës në Shkup, Mattis në një prononcim ka shprehur shqetësimin e tij mbi informacionet e ndërhyrjes së mundshme të Rusisë në procesin e referendumin, andaj edhe ka thënë se do të shkojë në Shkup për të bërë të qartë së SHBA-ja qëndron pranë popullit të Maqedonisë.

Vizita e zyrtarit të lartë amerikan është vlerësuar si shumë e rëndësishme nga ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

“Kjo vizitë është një sinjal i madh, pasi procesi i këtushëm është i rëndësishëm edhe për Uashingtonin pasi interesi kryesor për Uashingtonin është stabilitetit i Ballkanit, të mos ketë probleme të reja, përkundrazi të ketë paqe dhe stabilitet”, ka deklaruar Dimitrov.

SHIKONI EDHE: Liderët perëndimorë, në rresht për të vizituar Maqedoninë

Para vizitës të së hënës të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, Maqedonia javën e kaluar është vizituar edhe nga personalitete tjera evropiane, përfshirë edhe atë të kancelares gjermane, Angela Merkel.

Njohësit e çështjeve politike, thonë se vizitat e diplomatëve perëndimor paraqesin sinjal të fuqishëm dhe shtytje për Maqedoninë, stabilitetin dhe integrimin euroatlantik.

“Kjo vizitë gjithsesi se është një impuls i fuqishëm në drejtim që referendumi të jetë i suksesshëm sikur edhe integrimi euroatlantik i vendit. Besoj se mesazhet e tij do të kenë sukses si tek opinioni, ashtu edhe te partitë politike. Është një nga vizitat më të larta që po realizohen në Maqedoni viteve të fundit, apo në procesin zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë, problem ky që ka bllokuar anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE”, ka deklaruar analisti Petar Arsovski.

Your browser doesn’t support HTML5

Merkel: Referendumi për emrin, mundësi historike për Maqedoninë

Bekim Kadriu, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare, thotë se vizitat e zyrtarëve të lartë evropianë dhe amerikanë tregojnë shqetësimin e tyre për rritjen e ndikimit të lindjes, përkatësisht të Rusisë në Ballkan, andaj edhe me çdo kusht synojnë të rrisin sigurinë, e kjo sipas Kadriut, mund të arrihet me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

“Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe SHBA-të kanë parë se Maqedonia nuk ka arritur një stabilitet të duhur të institucioneve që të mund të përballoj ndikimet nga shtetet e tjera, sidomos nga ato të lindjes, pra nga Rusia dhe për këtë arsye mendoj se bashkësia ndërkombëtare tani më është e bindur se Maqedonia domosdo duhet të bëhet anëtare e NATO-s dhe të fillojë negociatat me BE-në me qëllim që të bëhet më e fuqishme në aspekt në rezistencës ndaj ndikimeve që mund të vinë nga shtetet tjera”, thotë Kadriu.

Të gjitha personalitet ndërkombëtare që kanë vizituar Maqedoninë, si sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Wess Mitchell, por edhe të tjerë, kanë bërë thirrje për dalje në referendum, si shans historik drejt së ardhmes evropiane të Maqedonisë.

Këtë porosi ata ia kanë dërguar edhe opozitës, e cila ka vendosur që të mos bëjë thirrje për dalje apo mosdalje në votimin e 30 shtatorit.