Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës (MASHTI) do t’ua transferojë paratë prindërve edhe sivjet, në mënyrë që ata t’i blejnë pastaj tekstet shkollore për fëmijët e tyre për vitin e ri shkollor, tha të martën ministrja Arbërie Nagavci.
Ky është viti i dytë radhazi që Ministria do t’u ndajë mjete në llogaritë e tyre bankare prindërve që ata t’i blejnë vetë librat shkollore për fëmijët e tyre në shkollë fillore.
“Edhe sivjet, tekstet dhe mjetet mësimore do të ofrohen si në praktikën e vitit të kaluar duke subvencionuar prindërit”, tha Nagavci në një konferencë për media.
Ajo tha se prindërit mund të fillojnë të aplikojnë online qysh nga e mërkura e 14 gushtit në platformën E-Kosova për rimbursim.
Vendimi i MASHT-it u kundërshtua nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK), e cila tha në një reagim se ky "është një gabim i përsëritur" i Ministrisë për librat shkollore.
"Ky vendim i gabuar krijoi probleme dhe shtatori e tetori i vitit të kaluar shkollor i gjeti një numër të konsideruar të nxënësve ende pa të gjitha tekstet shkollore. SBASHK-u këtë kundërshtim e ka përsëritur edhe në takimin e kryetarit Jasharaj me zëvendësministrin Taulant Kelmendi duke e lutur që mos të veprohet njëjtë me tekstet shkollore, por që ato të dërgohen me kohë në shkolla nga botuesit", tha SHBAK-u.
SHIKONI EDHE: "Loja" me tekstet shkolloreNxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë do të subvencionohen me nga 80 euro, ndërsa ata nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë do të subvencionohen me 110 euro, njoftoi ajo.
Nagavci zbuloi se në vend do ta ndjekin mësimin nga klasa e parë deri në klasën e pestë 218.696 nxënës. Por, ajo nuk tregoi numrin e përgjithshëm të nxënësve nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.
Ministria i kishte blerë librat direkt nëpër shtëpi botuese, nga ku ato u shpërndante nxënësve nëpër shkolla, prej vitit 2008 deri vitin e kaluar, kur e ndryshoi strategjinë.
SHIKONI EDHE: Opozita kërkon shkarkime pas planit të ri për furnizim të nxënësve me tekste shkollore
Në vendimin e saj për ndryshimin e praktikës vitin e kaluar, Nagavci kishte thënë se ndryshimi ndodhi për shkak të dështimit të marrëveshjes me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me libra, duke thënë se shtëpitë botuese kishin ofertuar çmime shumë më të larta se ato që i vendosin në libraritë e tyre.
Vendimi i vitit të kaluar ishte kundërshtuar nga nga opozita, e cila kishte kërkuar dorëheqjen e ministers Nagavci, si dhe nga vetë Këshilli i Prindërve i Kosovës.
Viti i ri shkollor në Kosovë do të nisë më 1 shtator.