MASHTI publikon planin e kompensimit të orëve

Dy nxënës në Prishtinë.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), njoftoi se orët e humbura gjatë grevës në arsim, do të zëvendësohen.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se i ka propozuar Minsitrisë së Financave, që të shqyrtojë mundësinë e pagesës në avans për mësimdhënësit që do të respektojnë këtë vendim.

“Duke qenë të bindur se punëtorët e arsimit do të respektojnë vendimin e ri për kalendarin e Vitit Shkollor dhe do të kryejnë punën, dhe duke marrë parasysh faktin se shumë prej tyre janë vënë në lajthitje ose kanë pasur paqartësi rreth dispozitave ligjore, i kemi propozuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që të shqyrtojnë mundësinë e pagesës në avans, ashtu që familjet e mësimdhënësve, të mos mbesin pa paga deri në fund të muajit, kur edhe dalin pagat për muajin tetor”, tha Nagavci.

Sipas vendimit, tetë orë mësimore të pambajtura për nxënësit nga klasa e parë deri në të tetën do të zëvendësohen gjatë të shtunave. Ndërkaq, gjysmëvjetori i parë për nivelin parauniversitar do të përfundojë më 27 janar dhe pushimi dimëror do të nisë më 30 janar dhe do të zgjasë deri më 3 shkurt të vitit 2023.

Gjysmëvjetori i dytë për vitin shkollor 2022-2023 do të nisë më 6 shkurt dhe pesë ditët e mbetura mësimore do të mbahen gjatë pushtimit pranveror "në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar”.

Viti shkollor do të përfundojë në data të ndryshme për nivelin e arsimit parauniversitar. Maturantët do ta përfundojnë vitin shkollor më 5 qershor, klasët e nënta, dhjeta dhe njëmbëdhjeta më 27 qershor dhe parafillorët më 30 qershor të vitit 2023.

SHIKONI EDHE: Nagavci për pagat: Komunat nuk i raportuan Ministrisë së Financave

Sektori i arsimit ishte në grevë nga 25 gushti deri më 1 tetor, duke kërkuar nga 100 euro çdo muaj për mësimdhënësit. Sindikalistët në arsim, dhe ata të administratës publike, pezulluan grevën deri në janar të vitit të ri.

Sindikalistët në arsim kanë thënë se nuk do të kompensojnë orët e humbura, sepse siç kanë argumentuar ata, kompensimi nuk parashihet me Ligjin për greva.

Njëkohësisht, sektori i arsimit, që ishte në grevë, ende nuk ka marrë pagën për muajin shtator.