Të padrejta sipas institucioneve të Kosovës, të dëmshme sipas ekspertëve.
Kështu komentohen masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ia shqiptoi Kosovës, për shkak të, siç u tha, mospërfilljes së kërkesave për shtensionimin e situatës në veri të vendit.
Në këtë zonë të banuar me shumicë serbe, tensionet janë të larta qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave hynë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.
Protestat e tyre u përshkallëzuan edhe në përleshje të dhunshme, me dhjetëra të plagosur - në mesin e të cilëve edhe ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR.
*Video nga përleshjet në Zveçan
Me gjithë thirrjet e komunitetit ndërkombëtar që Kosova t’i tërheqë kryetarët shqiptarë dhe të organizojë zgjedhje të reja, hapa në këtë drejtim nuk ka ende.
Në përgjigje, BE-ja pezulloi përkohësisht punën e të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) - që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok - si dhe ftesat për pjesëmarrjen e Kosovës në takime të nivelit të lartë.
BE-ja pezulloi, po ashtu, programimin e fondeve për Kosovën, përfshirë ato nga IPA (Instrumentet e Para-Anëtarësimit në BE) dhe nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor.
Rrezik nga përshkallëzimi i masave
Demush Shasha, nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se masat e BE-së mund të përshkallëzohen gradualisht, nëse Qeveria e Kosovës nuk ndryshon qëndrim.
“Sot kemi masa që i pezullojnë fondet, nuk i anulojnë ato. Shkalla e ardhshme do të jetë anulimi i fondeve”, thotë Shasha.
“Duke qenë se jemi një ekonomi në zhvillim, një ekonomi ende fragjile në shumë aspekte, unë gjykoj se ato [masat ndëshkuese] do ta dëmtojnë shumë Kosovën”, thotë Emrush Ujkani, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë në Kosovë, për Radion Evropa e Lirë.
Nga Fondet IPA - që kanë për qëllim t’i ndihmojnë vendet që janë në procesin e anëtarësimit në BE në zbatimin e reformave - Kosova ka filluar të përfitojë mjete nga viti 2007. Nga ajo kohë deri në vitin 2022, vendi ka fituar në total 1.21 miliard euro.
Kosova, nga viti 2009, mbështetet edhe nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor, e cila është një iniciativë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare dhe donatorëve, që synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në një dokument të këtij mekanizimi thuhet se në Kosovë janë mbështetur 30 projekte në vlerë prej 1.8 miliard eurosh deri në shtator të vitit 2021.
Projektet përfshijnë ndërtimin e rrugëve, rehabilitimin e hekurudhave, sistemet e ngrohjes qendrore dhe përmirësimin e sistemit të ujërave të zeza.
Si i komentoi Qeveria masat ndëshkuese?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili vazhdimisht insiston se “nuk mund të bëjë kompromise me kushtetutshmërinë e vendit”, tha se masat ndëshkuese të BE-së janë “të padrejta”.
SHIKONI EDHE: Kurti i quan “të padrejta” masat ndëshkuese të BE-sëAi shfaqi shpresën se ato do të jenë afatshkurtra, pasi, siç tha, “Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”.
“Është e vërtetë që janë masa të përkohshme, por të padrejta, për shkak se Kosova dhe Qeveria e saj janë edhe shteti, edhe ekzekutivi më demokratik, pro-evropian dhe progresist”, tha Kurti në fundjavë.
Çfarë në lidhje me procesin integrues?
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në fund të vitit 2022.
Në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ajo është e fundit në rrugën drejt BE-së.Deri më tani ka të nënshkruar vetëm një marrëveshje kontraktuale me bllokun, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
Blerta Deliu, anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se dy takime, të parapara të mbahen në kuadër të MSA-së në Bruksel, janë anuluar tashmë.
SHIKONI EDHE:
Gërvalla për masat ndëshkuese të BE-së: Dërgojnë mesazh të rrezikshëmKurti reagon pas masave ndëshkuese të BE-sëVogel: Sanksione joproporcionale, por situata duhet të shtensionohet Çka humbi Kosova që u pezullua nga “Defender Europe ‘23”?Sipas saj, bëhet fjalë për takimin e Nënkomitetit për drejtësi, liri dhe siguri BE-Kosovë, si dhe të Nënkomitetit për tregti, industri, dogana dhe taksa.
“Mospjesëmarrja e Kosovës në forume të tilla nuk i kontribuon agjendës sonë të forcimit të mekanizmave që e përafrojnë Kosovën me Bashkimin Evropian. Përkundrazi, e minon Kosovën në fuqizim, në rrugën e saj euroatlantike dhe perëndimore”, thotë Deliu, e cila vjen nga radhët e opozitës.
Shasha thotë se do të anulohet edhe një takim politik, përkatësisht ai i Këshillit të MSA-së, ku, sipas tij, marrin pjesë ministrja e Jashtme dhe kryeministri i Kosovës, ndërsa nga BE-ja merr pjesë përfaqësuesi i politikës së jashtme.
Nëse nuk gjendet gjuhë e përbashkët, thotë Shasha, BE-ja mund të marrë masa edhe më represive.
“Çka mund të bëjë? Mund të bëjë pezullimin e pjesëve të caktuara të MSA-së. P.sh. ta ndalojë hyrjen e produkteve të Kosovës që kanë të drejtë të hyjnë në BE pa asnjë tarifë, falë MSA-së... si produktet e drurit, metalit, tekstilit...”, thotë Shasha.
Ai shton se çdo masë represive e BE-së ndaj Kosovës, e dëmton kredibilitetin ndërkombëtar të vendit.
SHIKONI EDHE: Liderët e BE-së kërkojnë shtensionim në Kosovë, ndryshe do të ketë pasojaPlani i BE-së për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, përfshin: tërheqjen e njësive speciale të policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale në veri, zhvendosjen e kryetarëve nga objektet komunale - që shfrytëzohen edhe nga strukturat paralele serbe - në ndërtesa alternative, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në veri dhe fillimin e procedurave gjyqësore kundër demonstruesve që sulmuan trupat e KFOR-it.
Për mospërfilljen e kërkesave për uljen e tensioneve, SHBA-ja ka ndërmarrë, po ashtu, masa ndëshkuese kundër Kosovës, duke e përjashtuar atë nga një stërvitje e madhe ndërkombëtare, e njohur si “Defender Europe 2023”.
Kurti përsëriti të hënën se masat ndëshkuese, “për bindjen time të fuqishme, janë të padrejta”.
SHIKONI EDHE: Lajçak këtë javë në Kosovë dhe Serbi