Buxheti i Kosovës rrezikon të humbë rreth 200 milionë euro

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Masat që Kosova ka ndërmarrë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, siç janë kufizimet në ushtrimin e aktiviteteve ekonomike, shlyerja dhe shtyrja e obligimeve tatimore dhe masa tjera, vlerësohet se do të ndikojnë në uljen e të hyrave për buxhetin e Kosovës.

Institucionet përgjegjëse për mbledhjen e taksave, tatimeve dhe detyrimeve të ndryshme financiare janë Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës.

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka bërë të ditur se nga parashikimet e bëra, buxheti i shtetit mund të ketë deri në 200 milionë euro më pak të hyra.

“Varësisht nga kohëzgjatja e problemit me pandeminë, në baza vjetore, parashikimet flasin për një rënie të mundshme kumulative të të hyrave tatimore nga 7,5 e deri në 12,5 për qind të buxhetit vjetor. Në terma monetar, kjo nënkupton që buxheti i shtetit mund të ketë deri në 200 milionë euro më pak të hyra se sa ato të kalkuluara në muajin shkurt”, ka thënë Bislimi.

SHIKONI EDHE: Qeveria në detyrë miraton Pakon Emergjente Fiskale

Dy institucionet që kontribuojnë më së shumti në mbushjen e buxhetit të Kosovës janë Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës.

Buxheti i Kosovës për vitin 2020 është 2,3 miliardë euro. Sipas këtij buxheti, Doganat e Kosovë për arkën e shtetit duhet të grumbullojë mbi 1,2 miliard euro, ndërsa nga Administrata Tatimore e Kosovës rreth 600 milionë euro.

Grumbullimi i këtyre të hyrave pas gjendjes së krijuar nga pandemia e koronavirusit, konsiderohet të jetë vështirë e realizueshme, thonë zyrtarë të këtyre dy institucioneve.

Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj tha për Radion Evropa e Lirë se nuk kanë bërë ndonjë parashikim se sa mund të jenë më pak të hyrat, por që në muajin mars vetëm se është vërejtur që ka rënie.

Murtezaj shton se për muajin mars në Administratën Tatimore të Kosovës, si pasojë e pandemisë, të hyrat do të jenë deri në 14 milionë euro më pak.

“Dëmi do të jetë shumëdimensional jo vetëm në aspektin e të hyrave, por do të jetë edhe në aspektin e zvogëlimit të likuiditetit të biznesit privat. Bazuar në planin e buxhetit për vitin 2020, është planifikuar që ATK-ja të mbledhë nga të hyrat një vlerë prej 557,5 milionë euro. Sikur të ishte në një ekonomi normale si para pandemisë, ne do të kishim arritur të realizojmë deri në fund të vitit këtë plan”, thotë Murtezaj.

SHIKONI EDHE: Mehmeti: COVID-19 do të ndikojë në punësimin dhe të ardhurat e qytetarëve

Më pak ndikim nga pandemia me koronaviursion pritet të kenë të hyrat doganore. Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, tha për Radion Evropa e Lirë se deri më tani nuk është vërejtur ndonjë rënie e të hyrave nga doganat, por ka rënie të importit.

“Si në të gjitha aspektet tjera, pandemia ka ndikuar edhe në Doganën e Kosovës, rrjedhimisht kemi një rënie të lehte të importit, por performanca e të hyrave për momentin është mbi vitin e kaluar. Për momentin jemi mbi vitin e kaluar, rreth 3,6 për qind apo 8 milionë euro më shumë”, tha Stavileci.

Qeveria e Kosovës ka marrë masa të shumta me qëllim të ndaljes së përhapjes së koronavirusit. Shumë biznese private të cilat kanë ushtruar veprimtari të ndryshme janë mbyllur.

Masat kundër përhapjes së koronavirusit kanë nisur që nga 13 marsi, kur edhe ishin paraqitur rastet e para me infeksionin, COVOD-19.