Dashuri, mashtrim dhe pasaportë e re: Martesat mes uzbekeve dhe turqve

Një uzbekeje iu premtua një jetë e mirë në Turqi, por ajo përfundoi duke jetuar në një fshat të largët të burrit të saj të ri.

Nargiza Unal u takua me bashkëshortin e saj, Adnanin, 13 vjet më parë kur ajo punonte në Turqi me një vizë të përkohshme dhe me shpresën se do të fitonte para dhe do të kthehej në vendlindjen e saj, Uzbekistan.

Planet e Nargizas ndryshuan dhe ajo qëndroi në Stamboll pasi Adnani i propozoi për martesë pak kohë pasi ata u njohën.

Nargiza kujton se Adnani i kishte thënë asaj se nuk ishte i pasur dhe nuk mund t’i premtonte gjëra jorealiste. Por, ai i kishte thënë se ishte i vendosur që të ndërtonin një familje stabile dhe se do të bëhej një burrë që do ta mbështeste.

“I kam besuar dhe e dija që ky burrë kurrë nuk do të më linte apo do të më tradhtonte”, tha Nargiza. “Por, familjarët e tij mendonin se unë po martohesha me të vetëm për shtetësinë turke. Ata i thoshin bashkëshortit tim se ‘je shumë më i madh se ajo, je i varfër, gruaja do të të lërë sapo të marrë pasaportën turke’”.

Trembëdhjetë vjet më vonë, martesa e çiftit është ende e fortë dhe situata e tyre financiare është përmirësuar, tha Nargiza. Që atëherë, ata kanë blerë një shtëpi në Stamboll, ku po rrisin tre fëmijët e tyre.

Nargiza Unal.

Sipas të dhënave turke, martesat mes grave uzbeke dhe burrave turq janë definitivisht në rritje. Sipas statistikave të Qeverisë për vitin 2022, gratë uzbeke ishin të dytat për nga numri më i madh i nuseve të huaja në Turqi, pas sirianeve.

Gratë uzbeke përbëjnë mbi 11 për qind nga 28.571 nuset e huaja që u martuan me turq më 2022.

Përputhje?

Barriera gjuhësore nuk është e pakalueshme, duke pasur parasysh që gjuha uzbeke dhe ajo turke i përkasin të njëjtës familje gjuhësore. Të dy grupet janë me shumicës myslimane shiite dhe ndajnë vlera të ngjashme familjare.

Shumë çifte uzbeke-turke deklarojnë se janë martuar me dashuri, ndërkaq disa gra uzbeke kanë pranuar se janë martuar me shpresën se do të rrinin në Turqi dhe të kishin mundësi më të mira ekonomike. Me pagat e ulëta dhe papunësinë e lartë në Uzbekistan, martesa me një turk, nga shumë gra shihet si biletë për të dalë nga varfëria.

Por, jo të gjitha martesat kanë funksionuar aq mirë sa ajo mes Nargizas dhe Adnanit.

Në dy vjetët e fundit, Shoqata për të Drejtat e Grave Uzbeke, me seli në Stamboll, ka ofruar ndihmë ligjore, psikologjike dhe financiare për mbi 3.500 uzbeke, të cilat janë përballur me probleme pas martesave në Turqi, tha udhëheqësja e shoqatës, Ozoda Islomova.

Ozoda Islamova

Ka pasur shumë raste kur gratë uzbeke janë martuar “me shpejtësi” me burrat turq “pasi i kanë takuar online, apo janë njoftuar përmes miqve të përbashkët”, pa i njohur mirë ata, tha Islomova për Radion Evropa e Lirë.

“Do kohë, por disa persona duket se nuk kanë durim dhe thjesht nuk duan të presin”, tha Islomova.

“Të virgjëra nga Fergana”

Një nga gratë që ka kërkuar ndihmë tek organizata, ishte një 20-vjeçare uzbeke që ishte martuar me një burrë, të cilin ia kishte prezantuar një fqinje e saj në Uzbekistan. Islomova tha se gruas i ishte premtuar “një jetë e bukur familjare në Turqi”.

“Por, në realitet burri i saj i ri e dërgoi në shtëpinë e tij në një fshat të largët, ku ajo u desh të kujdesej për bagëtinë dhe të punonte në fermë”, tha Islomova. “Ne mundëm ta ndihmonim atë përmes agjencive ligjzbatuese të Turqisë”.

Por, ajo nuk është uzbekja e vetme që ka rënë viktimë e premtimeve të rreme.

Një kanal televiziv turk së fundi ka transmetuar një program lidhur me disa burra në Turqi që supozohet se kanë paguar mijëra dollarë mashtruesve të cilët u kanë premtuar nuse nga Uzbekistani.

Burrat – që ishin nga provincat Afjonkarahisar, Burdur, Denizli dhe Isparta – i thanë televizionit STAR se ata kanë paguar nga 3.000 deri në 12.000 dollarë në një agjenci të martesave në këmbim të një nuseje.

Dy gratë që udhëheqin agjencinë – që sipas televizionit turk janë identifikuar si Rabiya Gekce dhe Barno Celik – supozohet se u thanë burrave turq që nuset e tyre të ardhshme ishin “të virgjëra” nga Fergana, një provincë fetare konservatore në lindje të Uzbekistanit.

Këta persona thanë për programin televiziv se “nuset” uzbeke u sollën nga Gekce dhe Celik, u zhdukën nga shtëpitë e tyre të reja pas disa javësh, duke marrë me vete bizhuteritë dhe dhuratat e tjera që ata u kishin dhënë.

Programi televiziv raportoi se qindra burra në Turqi njëjtë kishin pësuar nga ky lloj mashtrimi. Në program u shfaqën edhe dy mashtrues të dyshuar duke u arrestuar nga policia.

REL-i nuk ka mundur të konfirmojë në mënyrë të pavarur këtë pretendim.

Martesa nuk do të thotë pasaportë

Yulduz Uzunaslan udhëheq firmën ligjore Yildiz Permit në Stamboll, që ofron këshilla ligjore për uzbekët në Turqi. Në mesin e klientëve të saj janë edhe gratë uzbeke që planifikojnë të martohen me turq.

Uzunaslan, një uzbeke që u martua me një turk 18 vjet më parë, tha se disa nga klientet e saj uzbeke në mënyrë të rreme besojnë se martesa me një turk “u mundëson atyre shtetësinë turke për tre vjet”.

“Kjo është e pasaktë. Pasi zyrtarisht të martohesh me një shtetas turk, si shtetas i huaj mund të marrësh leje qëndrimi për një vit, dhe më pas leja mund të zgjatet edhe për dy vjet”, shpjegoi ajo.

Yulduz Uzunaslan

“Policia turke – pa i njoftuar çiftet – bën hetime për të përcaktuar se nëse është martesë e mirëfilltë... apo një bashkim i rremë për qëllime të imigrimit”, tha Uzunaslan.

Sipas saj, “më herët ishte më lehtë” për uzbekët që të merrnin pasaporta turke përmes martesave të rreme, por “tani është bërë praktikisht e pamundur” për shkak të kontrolleve të rrepta policore.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
Artikull i shkruar nga Farangis Najibullah bazuar në raportimet e Shërbimet Uzbek të REL-it