Kosova është e gatshme të arrijë marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë, por jo të bëjë kompromise të reja në dëm të sovranitetit dhe shtetësisë së saj, është thënë sot pas takimit të Delegacionit të Kosovës me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe udhëheqës tjerë të institucioneve.
Edhe ky takim, i thirrur nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, u bojkotua nga dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Bashkëdrejtuesi i Delegacionit të Kosovës nga radhët e opozitës, Shpend Ahmeti, kryetar i Partisë Socialdemokrate tha se pas takimit të Delegacionit me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian më 8 janar në Bruksel, janë bërë të qarta edhe objektivat nga dialogu me Serbinë.
“Për Kosovën, është e qartë se nuk ka më dialog teknik dhe se ky dialog duhet të sjellë njohje të ndërsjellë dhe anëtarësim të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, tha Ahmeti.
SHIKONI EDHE: Mogherini dhe Ekipi negociator biseduan për dialogun dhe taksënSipas tij, nëse nuk garantohen këto dy qëllime, atëherë nuk do të vlejnë as pikat tjera të dialogut.
Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve nëse një marrëveshje ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq tashmë është e gatshme, Ahmeti tha se askush nuk mund të nënshkruajë krye më vete, pasi që ky do të jetë një proces gjithëpërfshirës.
“Nuk mundet një njeri ta nënshkruajë apo të thotë se u mora vesh, e pastaj presioni të bëhet në Kuvend. Arsyeja e krijimit të Delegacionit shtetëror ka qenë pikërisht kjo, që të ndërtohet konsensusi herët në proces, që të flasim me një zë, sepse në fund të fundit, ne kemi dallime politike edhe me PDK-në, edhe me LDK-në edhe me Vetëvendosjen, por ideja është që ta kemi një emërues të përbashkët kur bëhet fjalë për Kosovën”, tha Ahmeti.
“Këto janë interesa të Kosovës të cilat ne duhet t’i mbrojmë dhe pastaj të mos kemi nevojë për presione për të pranuar ndonjë marrëveshje, të cilën dikush mund ta konsiderojë të mirë apo të keqe dhe këtu e shoh rëndësinë e kyçje së LDK-së dhe Vetëvendosjes në proces”, theksoi Ahmeti.
SHIKONI EDHE: Bërnabiq: Beogradi dhe Prishtina, larg kompromisitNë anën tjetër, kryetari i Kuvendit, njëherësh edhe i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli tha se marrëveshja me Serbinë duhet të jetë në interesin e Kosovës.
Pothuajse çdo ditë, theksoi ai, liderët kosovarë po marrin letra nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në lidhje me dialogun. Andaj, tha Veseli, opozita duhet ta dijë se nuk është në rend dite çështja e zgjedhjeve të parakohshme.
Ndërkaq, në lidhje me marrëveshjen finale me Serbinë, Veseli tha se askush nuk do të mund të anashkalojë Kuvendin e Kosovës dhe nuk e përjashtoi as mundësinë e organizimit të referendumit.
“Të mos lejojmë asnjë keqkuptim, ka vetëm një epilog prej procesit të dialogut; Kosova shtet i pavarur e sovran, me territor të plotë, Kosova shtet anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe me emër të Zotit, kështu e ashtu, Serbia do ta njohë Kosovën”, tha Veseli.
SHIKONI EDHE: Në dialog, me taksëNë kohën kur autoritetet ndërkombëtare kanë shtuar trysninë mbi Prishtinën dhe Beogradin që të arrijnë deri te një marrëveshje për normalizimin e raporteve, në Kosovë mbetet sfidë arritja fillimisht e një konsensusi të brendshëm politik.
Partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës ka përsëritur edhe sot se nuk do të bëhet pjesë e dialogut, përderisa procesi vazhdon me këtë format.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se partia e tij nuk e ka ndërmend të bëhet pjesë, si tha ai, dekoruese e dialogut. Ai kërkoi që Qeveria të marrë përgjegjësi dhe të udhëheqë me këtë proces, por nuk e përjashtoi mundësinë që LDK të përfshihet, nëse ka një ofertë dhe formë tjetër të organizimit të këtij procesi.
“Në qoftë se nuk shkohet në zgjedhje duhet të mendohet në rikonfigurim total të qeverisjes ose të institucioneve të tanishme të vendit, në mënyrë që të sigurohet shumica e domosdoshme ose e përfaqësimit të domosdoshëm, i cili do të mundësonte më pastaj ratifikimin e marrëveshjeve, por edhe rolin që i takon secilit subjekt politik mbi bazën e fuqisë politike dhe si tani në Bruksel ta përfaqësojnë Kosovën ata që nuk kanë përkrahje”, tha Mustafa.
Ndryshe, Delegacioni i Kosovës është zotuar se së shpejti do të paraqesë para Kuvendit edhe platformën për bisedimet me Serbinë. Në këtë kuadër, janë formuar edhe gjashtë komisione të cilat do të trajtojnë temat e ndryshme që mund të ngriten në kuadër të bisedimeve me Serbinë.
SHIKONI EDHE: Platformë e re për dialogun me SerbinëBashkëdrejtuesi i Delegacionit, Shpend Ahmeti konfirmoi se në Kosovë po qëndron edhe një përfaqësues i Federica Mogherinit i cili po diskuton orarin e takimeve për dy – tre muajt e ardhshëm.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po lehtësohet nga Bashkimi Evropian dhe, siç është thënë, ka si synim normalizimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit si kusht i domosdoshëm i përafrimin e të dy vendeve me procesin integrues në Bashkimin Evropian.