Kosova dhe Serbia heqin dokumentet për hyrje-dalje

Takimi i fundit në kuadër të dialogut, ku Kosova dhe Serbia kishin diskutuar për dokumentet për targat serbe, por nuk kishin arritur marrëveshje. Bruksel, 18 gusht 2022.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve, bëri të ditur shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Krerët në Kosovë thanë se reciprociteti është thelbi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, ndërkaq zyrtarët serbë nënvizuan se kjo marrëveshje nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Kjo marrëveshje nënkupton se Serbia, pas 11 vjetësh, do të ndalë së lëshuari dokument për hyrje-dalje për shtetasit e Kosovës, kur ata hyjnë në territorin e saj.

Kosova, më 1 gusht, për disa orë lëshoi dokumente të tilla, por vendimi u përcoll me barrikada nga serbët në veri të Kosovës. Pasi ata hoqën barrikadat, Qeveria në Prishtinë, shtyu vendimin për 1 shtator. Ndërkaq, për çështjen tjetër, atë të targave, palët ende nuk kanë marrëveshje dhe ky vendim pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator.

Deri te marrëveshje për dokumentet erdhi pas angazhimit të diplomatëve evropianë dhe amerikanë të cilët kërkuan nga palët që të arrinin një ujdi dhe të shmangnin dhunën në veri të Kosovës.

Borrell tha se kjo marrëveshje do të mundësojë që qytetarët e Kosovës dhe Serbisë të lëvizin me letërnjoftimet përkatëse.

“Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Serbia është pajtuar që të heqë dokumentet për hyrje-dalje për qytetarët me letërnjoftime të Kosovës dhe Kosova është pajtuar që të mos lëshojë dokumente të tilla për qytetarët që posedojnë karta të identitetit të Serbisë. Serbët e Kosovës, por edhe të gjithë qytetarët, do të mund të lëvizin lirshëm mes Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE-ja sapo ka marrë garanci nga kryeministri Kurti për këtë çështje", tha ai përmes një postimi në Twitter.

Sipas Borrell kjo ishte një zgjidhje evropiane.

Borrell: Puna për lirinë e lëvizjes nuk ka përfunduar

Më pas, përmes një video-mesazhi, Borrell tha se kjo marrëveshje është në interes të qytetarëve të të dyja shteteve.

"Dua të falënderoj të dy liderët që e arritën marrëveshjen, dhe në veçanti presidentin Vuçiq që ka treguar përgjegjësi për lidership", tha ai.

Borrell falënderoi edhe Shtetet e Bashkuara për mbështetjen dhe shtoi se puna për lirinë e lëvizjes ende "nuk ka përfunduar".

"Ka ende probleme të pazgjidhur. Pres nga dy liderët që të vazhdojnë të tregojnë pragmatizëm dhe konstruktivitet në mënyrë që të zgjidhet problemi i targave. E kam thënë disa herë, në kohën e luftës në Ukrainë, me sfidat që po përballen evropianët, ne në Evropë nuk na duhen probleme të tjera, nuk na duhen më tensione. Na duhen zgjidhje. Na duhet zgjidhje për Ballkanin Perëndimor dhe sot kemi arritur një zgjidhje, por ka ende probleme të pazgjidhura dhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë për t’i zgjidhur ato", tha ai.

Kurti: Fryma e bisedimeve parimore është reciprociteti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se me marrëveshjen e arritur do të mundësohet që qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë të mund të kalojnë “pa pengesa” pikëkalimet kufitare midis dy shteteve.

“Fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti. Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë”, shkroi Kurti në Facebook.

Kurti falënderoi zyrtarët e BE-së, Borrell e Lajçak, por edhe emisarin amerikan, Escobar dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier për angazhimin dhe kontributin e dhënë për arritjen e kësaj marrëveshjeje.

Osmani falënderon SHBA-në dhe BE-në për mbështetjen në arritjen e marrëveshjes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar SHBA-në dhe BE-në për mbështetjen e tyre në arritjen e kësaj marrëveshjeje, duke shtuar reciprociteti nënkupton barazi.

“Liria e lëvizjes është themeli i shoqërive demokratike e i vlerave evropiane. Republika e Kosovës çdo ditë e më shumë po kontribuon në paqe dhe stabilitet”, shkroi ajo në Facebook.

Osmani shtoi se Kosova do të vazhdojë angazhimin e saj “drejt njohjes reciproke”.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Kosova është e interesuar që të promovojë lirinë e lëvizjes “për të gjithë qytetarët pa dallim”.

“Ne kemi shprehur vazhdimisht vullnetin tonë që të mos kemi fare këtë lloj dokumenti, as nga ne dhe as nga autoritetet serbe për sa kohë që kjo bazohet në një raport të drejtë mes dy shtetesh”, shkroi Sveçla në Facebook.

Ndërkaq, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, falënderoi të dërguarin e Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për arritjen e kësaj marrëveshjeje.

“E falënderoj emisarin Escobar dhe diplomacinë amerikane për përkushtimin e fuqishëm të tyre në mbështetjen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, shkroi ai në Twitter.

Gjatë kësaj jave, Escobar dhe Lajçak qëndruan në Kosovë dhe Serbi, ku diskutuan me liderët shtetërorë dhe partiakë për çështjen e dokumenteve dhe targave. Ata thanë se palët duhet të zotohen se do të shmangin dhunën më 1 shtator.

Petkoviq: Marrëveshja ruan praninë e Serbisë në Kosovë

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se marrëveshja e arritur për dokumentet për hyrje-dalje, siguron paqe dhe stabilitet.

“Falë përpjekjeve të fuqishme diplomatike të presidentit Aleksandar Vuçiq, sot arritëm të marrim garancitë e nevojshme nga BE-ja dhe në këtë mënyrë të arrijmë marrëveshje për lirinë e lëvizjes dhe dokumentet serbe. Me të, ne arritëm të sigurojmë paqe dhe stabilitet në Kosovë e Mehtohi dhe të ruajmë letërnjoftimet serbe për serbët në krahinën jugore, si në veri ashtu edhe në jug të Ibrit. Prandaj mund të them se kemi lajme të rëndësishme”, tha ai përmes një deklarate me shkrime.

SHIKONI EDHE: “Diplomacia me tensione, lojë e rrezikshme në Ballkan”

Sipas tij, me këtë marrje është ruajtur prania e shtetit të Serbisë në Kosovë.

“Kjo do të thotë se çdo qytetar i Serbisë që jeton në Kosovë dhe Metohi do të mund të lëvizë lirshëm me letërnjoftim serb. Çdo serb në jug dhe veri të Ibrit, pa përjashtim, do të mund të jetojë, punojë normalisht me serbët e tjerë dhe të përdorë letërnjoftimet për të kaluar vendkalimet administrative”, tha ai.

Ai tha se marrëveshja që njeh dokumentet do të shoqërohet me një tekst, ku thuhet:

“Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga Prishtina [Kosova] bëhet vetëm për arsye praktike për të lehtësuar pozitën e qytetarëve dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes, në përputhje me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes të arritur në dialog më 2011. Kjo nuk mund të interpretohet si njohje për pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme nga Kosova, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovë dhe nuk interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga Rezoluta 1244 e OKB-së”.

Petkoviq shtoi se në të ardhmen pret sfida për Serbinë sa i përket çështjes së targave serbe.

Vendimet që rritën tensionet

Vendimi i 26 qershorit i Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe rriti tensionet në veri të vendit.

Më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë vendosën barrikada në rrugë në shenjë pakënaqësie për këto dy vendime. Kosova, pas heqjes së barrikadave, shtyu zbatimin e tyre deri më 1 shtator.

Më 18 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë rundit të dialogut në Bruksel, dështuan të arrinin marrëveshje për targat dhe dokumentet, që rritën tensionet mes shteteve.

Por, bashkësia ndërkombëtare u angazhua për të bindur palët që të arrinin marrëveshje për të shmangur përshkallëzimin e situatës më 1 shtator, kur duhej të hynte në fuqi vendimi për dokumentet serbe, por edhe për targat.

Kosova për disa orë më 1 gusht zbatoi vendimin për dokumentin për hyrje-dalje, derisa serbët hoqën barrikadat.

Prishtina ka argumentuar se lëshimi i një dokumenti të tillë u bë duke respektuar një marrëveshje që Kosova dhe Serbia kishin arritur më 2011, në kuadër të dialogut. Serbia që nga ajo kohë kishte lëshuar një dokument të tillë për të gjithë shtetasit e Kosovës.

Your browser doesn’t support HTML5

Gjithçka që duhet të dini për dokumentin për hyrje/dalje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar më herët se ishte i gatshëm të hiqte dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë, nëse edhe Beogradi do të vepronte njësoj.

Ndërkaq, më 27 gusht, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në Beograd se Serbia do të pranonte dokumentet e Kosovës, vetëm nëse në kufi do të lëshohej një deklaratë ku bëhej e ditur se kjo nuk do të nënkuptojë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Por, sa i përket targave, Vuçiq tha se ky vendim do të nisë së zbatuari më 1 shtator, pasi Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur, siç tha ai, një "zgjidhje kompromisi".

Vendimi për targat serbe konsiston në riregjistirmin e tyre në RKS (Republika e Kosovës). Vlerësohet se 10.000 targa që lëshohen nga Serbia, me akronime të qyteteve të Kosovës, qarkullojnë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Your browser doesn’t support HTML5

Përfitimet nga riregjistrimi i makinave në RKS

Targat sikurse KM, PR, PZ, UR e të ngjashme konsiderohen të jashtëligjshme nga Kosova dhe Prishtina kërkon që pronarët e makinave me targa të tilla t’i konvertojnë ato në RKS brenda një periudhe prej 61 ditësh.

Serbia ka kërkuar që këto targa të zëvendësohen me targat e mëhershme KS, që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës, por kjo është kundërshtuar nga kryeministri Kurti.