MD mohon pezullimin e marrëveshjes me Danimarkën për burgjet

Burgu në Gjilan ku do të vendosen të burgosurit nga Danimarka.

Ministria e Drejtësisë në Kosovë tha se marrëveshja me Danimarkën për të sjellë në Kosovë 300 të burgosur është ende në fuqi.

Ky reagim i MD-së vjen pasi më 19 shtator u raportua se Danimarka kishte pezulluar marrëveshjen me Kosovën, të nënshkruar më herët gjatë këtij viti.

MD tha se “kemi marrë konfirmimin se bëhet fjalë për një keqkuptim nga një media lokale e atjeshme dhe pritet që kjo gjë të sqarohet tutje”.

Më 27 prill, Kosova dhe Danimarka u pajtuan që të sillen në Kosovë 300 të burgosur, si pjesë e përpjekjeve të Danimarkës për të reduktuar mbipopullimin në burgjet e saj.

Fillimisht, në dhjetorin e vitit të kaluar, dy shtetet u pajtuan që të merren me qira 300 qeli burgu, në këmbim të një tarife vjetore prej 15 milionë eurosh.

Marrëveshja ka një kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh dhe Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro.

SHIKONI EDHE:

Danimarka nënshkruan marrëveshjen për të sjellë 300 të burgosur në KosovëMD: Kosova fiton 210 milionë euro nga dhënia me qira e burgut për Danimarkën

Të burgosurit e huaj, sipas marrëveshjes, do të dërgohen në fillim të vitit 2023 në një burg në qytetin e Gjilanit.

Pas vuajtjes së dënimit, ata do të dëbohen nga Kosova.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes me Kosovën, ministri i Drejtësisë së Danimarkës, Nick Haekkerup, tha se pakti dërgon sinjal të qartë për të huajt "nga vendet e palëve të treta që janë dënuar me dëbim”.

“E ardhmja juaj nuk është në Danimarkë dhe për këtë arsye nuk do ta kryeni dënimin tuaj këtu", tha ai.

Shteti i Danimarkës ka qëndrime të ashpra për emigracionin dhe dy shtet planifikon që të transferojë menaxhimin e të huajve përtej kufijve të Bashkimit Evropian.