Shefi i OKB-së i kërkon Rusisë të rinovojë marrëveshjen e grurit me Ukrainën

Punëtorët ngarkojnë grurë në një port drithi në Izmail, Ukrainë, fotografi nga prilli i vitit 2023.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres të hënën i kërkoi Rusisë të rinovojë marrëveshjen e ndërmjetësuar ndërkombëtarisht në mënyrë që drithërat të mund të transportohen nga portet e Detit të Zi të Ukrainës.

Ai tha se në të kundërtën, njerëzit e uritur në botë do të vuajnë pasojat më të rënda.

Shefi i OKB-së bëri këtë thirrje gjatë një fjalimi në Romë, në hapjen e një samiti tre-ditor për sistemet ushqimore.

Me largimin e Rusisë nga marrëveshja e grurit me Ukrainën, "më të cenuarit do të paguajnë çmimin më të lartë", tha Guterres.

Ai u ankua se tashmë ka efekte negative në çmimet globale të grurit dhe misrit, megjithëse nuk përmendi shifra.

SHIKONI EDHE: OKB: Shumë persona mund të vdesin pas skadimit të marrëveshjes për drithërat

Si Rusia ashtu edhe Ukraina janë "thelbësore për sigurinë globale të ushqimit", tha udhëheqësi i OKB-së.

Ai vuri në dukje se në këto dy shtete është llogaritur historikisht 30% e eksporteve globale të grurit dhe elbit, një të pestën e gjithë misrit dhe më shumë se gjysmën e të gjithë vajit të lulediellit.

"Nga ana ime, unë mbetem i përkushtuar për të lehtësuar aksesin e papenguar në tregjet globale për produktet ushqimore dhe plehrat si nga Ukraina ashtu edhe nga Rusia dhe për të ofruar sigurinë ushqimore që çdo person meriton," tha udhëheqësi i OKB-së.

“I bëj thirrje Rusisë që të kthehet në zbatimin e Iniciativës së Detit të Zi, në përputhje me propozimin tim të fundit”, tha Guterres, duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar të qëndrojë i bashkuar për të gjetur zgjidhje për këtë çështje.

SHIKONI EDHE: Rusia sulmon Odesën, shkatërron qindra tonë rezerva ushqimore

Refuzimi i Rusisë për të rinovuar marrëveshjen në fillim të këtij muaji, ka bërë që anijet të mos mund të kalojnë nga portet e Ukrainës.

Marrëveshja ishte ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia si një mënyrë për të dërguar grurin në vendet në zhvillim, veçanërisht në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, pavarësisht luftës së nisur nga Moska kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Kur u arrit marrëveshja e grurit, Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së rifitoi një furnizues kryesor, duke lejuar 725,000 tonë ndihma ushqimore humanitare të largoheshin nga Ukraina dhe të arrinin në vendet në prag të urisë, duke përfshirë Etiopinë, Afganistanin dhe Jemenin.