MSA në favor të prodhimeve të Kosovës

Ilustrim

Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit (MSA) e cila ka hyrë në fuqi në prill të vitit 2016, në aspektin ekonomik nga përfaqësues të bizneseve në Kosovë vlerësohet të kenë shënuar efektet e para pozitive, por, jo në nivelin e dëshiruar.

MSA është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila ishte konsideruar si hapi i parë në kuadër të proceseve integruese evropiane për Kosovën.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane Arian Zeka në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit ka bërë që eksportet e Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian të shënojnë rritje.

“Në bazë të informatave që i kemi marrë nga bizneset ka një rritje të eksportit drejt shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, por jo në masën të cilën do të duhej të ishin dhe kjo jo për shkak të pengesave tarifore të cilat mund të ekzistonin, por, për shkak të standardeve të cilësisë që bizneset tonë ende ndoshta nuk mund të arrijnë t’i përmbushin ashtu që mund të eksportojnë në shtetet e Bashkimit Evropian pa ndonjë pengesë”, thotë Zeka.

Qasja e lirë në tregun e BE-së ka hapur mundësi të reja për bizneset e Kosovës, për investime dhe për import dhe eksport. MSA-ja ua hapi dyert bizneseve të Kosovës për pjesëmarrje në tregun prej 500 milionë banorësh.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për muajin janar të këtij viti thuhet se eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 6.3 milionë euro me një rritje prej 15.5 për qind.

Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania pasuar nga Holanda, Bullgaria dhe Italia.

Ndërkaq, për të rritur nivelin e eksporteve, shton Zeka, kompanitë prodhuese në Kosovë duhet të rrisin standardet e cilësisë, kritere, këto siç thotë Zeka, kërkojnë shtetet e BE-së.

“Janë standardet e cilësisë që duhet të zbatohen brenda kompanive që të përmbushin kriteret për eksport nëpër shtetet e BE-së. Ne si Odë Amerikane kemi kërkuar para hyrjes në fuqi të MSA-së që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes skemave të ndryshme të përkrahjes të fokusohet në këtë aspekt që të ndihmonte bizneset që të rrisnin cilësinë e tyre ashtu që marrëveshja kur të hynte në fuqi ato të ishin të gatshme të eksportonin që në ditën e parë”, thotë Zeka.

Ndërkohë, të martën Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Ministria e Integrimit Evropian kanë prezantuar projektin “Mbështetja e institucioneve të Kosovës në zbatimin e MSA-së”.

Ky projekt synon krijimin e një administrate publike efikase që është në gjendje të përmbushë detyrimet që dalin nga MSA-ja dhe të ofrojë shërbime më të mira për qytetarët dhe bizneset.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova theksoi se ky projekt do të asistojë Kosovën në rrugën drejt integrimit.

“Është shumë e rëndësishme që kjo marrëveshje ishte lidhje e partneritetit mes Kosovës dhe vendeve anëtare të BE-së. Vendet anëtare të BE-së janë të gatshëm të ju mbështesin në arritjen e objektivave të përcaktuara në këtë marrëveshje si dhe në zbatimin e dispozitave të saj”.

“Nga ana e Zyrës së BE-së i dimë vështirësitë e koordinimit të projektit prandaj duke i përfshirë ministritë e linjës dhe institucionet tjera sfida është e madhe, megjithatë, një prej qëllimeve dhe objektivave të projektit është koordinimi mes ministrive të linjës dhe Ministrisë së Integrimeve Evropiane”, tha Apostolova.

MSA-ja kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë që mekanizmat e tij të qeverisjes dhe të shoqërisë civile t’i përmbushin standardet e aplikuara të Bashkimit Evropian.