SHBA u shet armë sauditëve, për herë të parë nën Bidenin

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

Departamenti amerikan i Shtetit miratoi shitjen e raketave ajër-ajër, me vlerë prej 650 milionë dollarësh, në Arabinë Saudite.

Kjo është marrëveshja e parë e tillë nën administratën e presidentit Joe Biden.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se marrëveshja do të “rimbushë inventarin ekzistues të Arabisë Saudite”.

Marrëveshja do të lejojë blerjen e 280 raketave AIM-12OC ajër-ajër dhe pajisjeve të ngjashme, tha zëdhënësi.

Arabia Saudite është një aleat i vjetër i SHBA-së, pasi konkurron me Iranin për ndikim në Lindjen e Mesme.

Lidhjet e Riadit me Uashingtonin kanë mbetur të forta gjatë administratës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Por, shqetësimet për shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut e kanë bërë Bidenin të mbajë një qëndrim më të distancuar.

Biden ka shprehur zemërim me luftën e udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen, kundër rebelëve Huthi, që janë të lidhur me Iranin.

Konflikti ka vrarë më shumë se 130,000 njerëz dhe ka krijuar një nga krizat më të këqija humanitare në botë.

SHIKONI EDHE: Rebelët huthi thonë se kanë sulmuar objektiva saudite

Rebelët Huthi kanë hedhur raketa dhe dronë drejt qyteteve saudite, duke bërë që një koalicion i forcave të udhëhequra nga Arabia Saudite të përgjigjet me sulme ajrore.

“Kemi parë rritje të sulmeve ndërkufitare kundër Arabisë Saudite gjatë vitit të kaluar”, tha zëdhënësi amerikan.

“Raketat saudite AIM-120C, të dislokuara nga avionët sauditë, kanë luajtur rol të rëndësishëm në ndërprerjen e sulmeve të vazhdueshme, që kanë vënë në rrezik forcat amerikane dhe kanë kërcënuar më shumë se 70,000 qytetarë amerikanë në Mbretërinë saudite”, tha zëdhënësi.

SHIKONI EDHE: Si e zgjeron Hezbollahu shtrirjen e Iranit në Lindje të Mesme?