Armenia pret që të vendosen raportet diplomatike me Turqinë dhe kufijtë mes dy shteteve të hapen si rezultat i bisedimeve për normalizimin e raporteve. Bisedimet do të nisin më 14 janar në Moskë, tha Ministria e Jashtme e Armenisë.
Të dy shtetet, vitin e kaluar kanë emëruar përfaqësues të posaçëm për normalizimin e marrëdhënieve dhe po kërkojnë që të përmirësojnë raportet pas tensionimeve disa vjeçare. Rundi i parë i bisedimeve pritet të nisë si pjesë e një përpjekje më të gjerë për paqe rajonale në rajonin e Kaukazit Jugor, nën ndërmjetësimin e Rusisë.
“Sipas mendimit tonë, Qeveria turke gjithashtu ndan qasjen për nisjen e dialogut pa parakushte”, tha Vahan Hunanyan, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme armene.
Hunanyan theksoi se Rusia do të jetë nikoqir i takimit dhe rundi i parë i bisedimeve do të jetë i natyrës eksploruese.
“Është e vështirë të pritet që si rezultat i një takimi të mund të arrihen rezultate të prekshme, por procesi do të nisë”, tha ai.
SHIKONI EDHE: Turqia dhe Armenia bëjnë hapa drejt normalizimit të raporteveNë dhjetor të vitit 2021, Jerevani dhe Ankaraja njoftuan se do të emërojnë përfaqësues të posaçëm që do të udhëheqin bisedimet. Ish-ambasadori turk në Shtetet e Bashkuara, Serdar Kilic do ta përfaqësojë Ankaranë dhe zëvendëskryetari i Asamblesë Kombëtare të Armenisë, Ruben Rubinian do të udhëheqë bisedimet për palën armene.
Pas emërimit të përfaqësuesve të posaçëm, Armenia hoqi ndalesën për importin e mallrave turke dhe Turqia njoftoi se do të lejohen fluturimet për në Armeni.
Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian dhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev gjithashtu kanë zhvilluar një sërë rundesh të bisedimeve me Bashkimin Evropian dhe me ndërmjetësimin e Rusisë, që prej luftës së vitit 2020 për rajonin e Nagorno-Karabakhut.
Raportet mes Armenisë dhe Turqisë historikisht kanë qenë të komplikuara lidhur me vrasjen e vitit 1915 të armenëve nga otomanët.
Por, lufta ndërmjet separatistëve armenë dhe Azerbajxhanit mbi rajonin e Nagorno-Karabakhut gjatë ndarjes së Bashkimit Sovjetik më 1991, përkeqësoi raportet mes Ankarasë dhe Jerevanit.