Çdo përpjekje për të minimizuar rëndësinë e drejtësisë është problematike dhe komuniteti ndërkombëtar, por edhe publiku, duhet të dinë më shumë për këtë dhe kush qëndron pas saj.
Kështu tha në një bisedë me Radion Evropa e Lirë (REL), Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër, duke komentuar paralajmërimet që Gjykata Speciale në Hagë (Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar) përballet me presione të vazhdueshme, të cilat kanë për qëllim minimin e këtij institucioni.
Lidhur me këto presione ndaj gjykatës që po heton krimet e luftës në Kosovë, më 11 shkurt ka folur kryetarja e gjykatës, Ekatarina Trendafilova, në një takim me diplomatët evropianë në Hagë, pa specifikuar se nga kush kanë ardhur ato presione.
Bazuar në transkriptin nga takimi, në të cilin REL ka pasur qasje, Trendafilova tha se ka thirrje të përsëritura që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të shqyrtojë vendimin e Kuvendit të Kosovës të vitit 2015, në bazë të të cilit u formua gjykata. Ajo paralajmëroi se është e mundur të ketë një përpjekje për të ndryshuar ligjin, në mënyrë që të mundësohet falja për ata që janë të dënuar nga gjykata ose që gjykata dhe arkivat e saj të transferohen në Kosovë.
SHIKONI EDHE: Gjykata Speciale e shqetësuar me "trysninë në rritje" në KosovëSipas saj, është e mundshme që përderisa proceset gjyqësore të përparojnë, të rriten edhe presionet.
“Duhet të angazhohemi për informacione shtesë, lidhur me atë se kush po e kërkon këtë dhe kush po sugjeron që duhet të ketë një qasje tjetër ndaj kësaj çështjeje të drejtësisë. Mendoj se kjo është e rëndësishme për të gjithë qytetarët e Kosovës”, komentoi Dr. Ellis në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Gjykata Speciale ose Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar zyrtarisht po hetojnë krimet e pretenduara se janë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, ndërmjet janarit të vitit 1998 dhe dhjetorit të vitit 2000, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran Dick Marty. Kjo gjykatë është formuar me vendimin e Kuvendit të Kosovës më 2015, me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, ndërkaq që financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.
Your browser doesn’t support HTML5
Deri më tani, tri aktakuza janë ngritur dhe konfirmuar në gjykatë, përfshirë edhe një kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi (ish-presidenti i Kosovës), Kadri Veseli (ish-kryetar i kuvendit dhe ish-udhëheqës i Partisë Demokratike të Kosovës), Jakup Krasniqi (ish-kryetar i kuvendit) dhe Rexhep Selimi (ish-deputet). Që të gjithë, aktualisht, janë në paraburgim në Hagë dhe data e fillimit të gjyqit nuk dihet për momentin.
Mbi çfarë baze foli Trendafilova?
Nga Zyra për media e Dhomave të Specializuara i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se fjalimi i Trendafilovas ishte bazuar në informacionet, të cilat janë të qasshme për publikun, siç janë vendimet publike të Dhomave të Specializuara. Çështjet për të cilat ka folur Trendafilova, kryesisht ndërlidhen me Thaçin, i cili aktualisht gjendet në Hagë ku ishte dorëzuar vetë pasi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës.
Në njërën prej atyre vendimeve, falja përmendet në kontekstin që Thaçi i fali dy persona (Shpresim Ukën dhe Bekim Sylajn) në ditën e shkuarjes së tij për në Hagë, e të cilët ishin dënuar për vrasje dhe vrasje në tentativë, brenda afatit kohor për të cilin gjykata ka juridiksion.
Për gjykatësin e procedurës paraprake, kjo ishte një nga çështjet relevante “kur bëhet fjalë për përpjekjet për të minuar Dhomat e Specializuara” dhe që ndërlidhet me rastin kur u vendos për lirimin ose jo të përkohshëm të Thaçit, gjë që u refuzua.
Në urdhrin për arrestimin e Thaçit, gjithashtu, përmendet që Thaçi ka lobuar për “reformimin” e gjykatës dhe se ka thënë se i takonte Qeverisë së Kosovës të vendoste për “mandatin, punën dhe pozicionin gjeografik” të këtij institucioni.
Në lidhje me këtë, gjykata iu referua letrës që Thaçi i dërgoi ish-Sekretarit të amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, në nëntor të vitit 2019.
SHIKONI EDHE: Thaçi nuk tërheq kritikat ndaj Gjykatës SpecialeNë dhjetorin e vitit 2017, partitë që atëherë ishin në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, iniciuan thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për heqjen e ligjit në bazë të të cilit është formuar Gjykata Speciale, por pas presionit të ambasadave të huaja në Prishtinë, ajo iniciativë u tërhoq.
"Komuniteti ndërkombëtar nuk do të pranojë transferimin e gjykatës"
Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, thotë se bashkësia ndërkombëtare do të vazhdojë të kundërshtojë çdo përpjekje për të ndryshuar mandatin e gjykatës. Sipas tij, Gjykata Speciale u formua dhe u vendos në Hagë për “arsye të përshtatshme”.
"Bazuar në histori, ne e dimë që është shumë e vështirë të gjykosh njerëz të profilit të lartë në vendin ku ata kanë lindur ose jetojnë. Për këtë arsye, këto lloj gjykatash themelohen jashtë këtyre kufijve kombëtarë. Është më e lehtë dhe gjykata lejohet të merret, për shembull, me mbrojtjen e dëshmitarëve”, thotë Ellis.
Ai konsideron se pikërisht mbrojtja, por edhe frikësimi i dëshmitarëve, është më së shumti problematike. Për këtë ka folur edhe Trendafilova në një konferencë me diplomatët evropianë, duke theksuar nevojën për të arritur një marrëveshje me vendet e BE-së për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe nëse është e nevojshme, zhvendosjen e familjeve të tyre.
“Pa këto marrëveshje, do të jetë shumë vështirë e mbase edhe e pamundur në disa raste që të sigurohen dëshmitë, të cilat mund të jepen lirshëm dhe pa frikë”, ka thënë Trendafilova.
SHIKONI EDHE: Përgjegjësitë individuale për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”Mark Ellis konsideron se Evropa duhet ta sigurojë këtë mbështetje sepse në të kundërtën, “ky do të jetë një problem i madh për gjykatën”.
Sa i përket faljes, Ellis thekson që edhe vendet e tjera kanë qenë në situata të ngjashme.
“Mendoj që çdo diskutim lidhur me këtë, në këtë moment, kaq herët në proces, të flasësh për faljen e të dënuarve, është tejet e parakohshme. Nuk do të thotë se nuk ekzistojnë mundësitë që të lëvizet në atë drejtim, sepse edhe vendet tjera kanë vepruar ngjashëm, por këtë duhet bërë me shumë kujdes. Qëndrimi im është që falja të mos jetë në tryezë. Fokusi duhet të jetë në sigurimin e kushteve që ata që kanë kryer krime, të sillen para drejtësisë dhe të vuajnë dënimin e tyre. Mendoj që ky është drejtimi në të cilin Kosova duhet të fokusohet”, thekson Ellis.
Deri ku është arritur me lëndën e Thaçit?
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ngarkohen me akuzën për krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës gjatë luftës në Kosovë ndërmjet viteve 1998-1999.
Aktualisht, nuk dihet se kur do të fillojë gjykimi dhe qëndrimet e prokurorisë dhe mbrojtjes për këtë çështje janë krejtësisht të kundërta. Prokuroria konsideron që kjo duhet të ndodhë gjatë këtij viti, në shtator, ndërkaq që mbrojtja kërkon më shumë kohë dhe propozon verën e vitit 2022.
Edhe Trendafilova, gjatë konferencës me diplomatët evropianë, ka tërhequr vëmendjen për “kompleksitetin dhe vëllimin e madh” të kësaj çështjeje.
SHIKONI EDHE: Mbrojtja e krerëve të UÇK-së këmbëngul për shtyrjen e fillimit të gjykimit në HagëNë konferencën e tretë statusore, të mbajtur më 16 shkurt, e të cilat po mbahen pas konfirmimit të aktakuzës dhe para fillimit të gjykimit, me qëllim të shkëmbimit të materialeve ndërmjet palëve, mbrojtja akuzoi prokurorinë se nuk po i dorëzon provat në mënyrë të organizuar. Sipas mendimit të mbrojtjes, kjo po e vështirëson punën e saj në hetim. Gjithashtu, është theksuar që në atë mënyrë “po dëshirohet që mbrojtja të mbahet në mosdije sa më gjatë”.
Në anën tjetër, prokuroria e ka akuzuar mbrojtjen se po përpiqet që të vë në pikëpyetje integritetin e saj.
Shkëmbimi i akuzave ndërmjet mbrojtjes dhe prokurorisë
Për shembull, avokati i Thaçit, David Hooper, ka deklaruar që mënyra e nxjerrjes së materialeve në këtë institucion është nga më pak të dobishmet, krahasuar me të gjitha institucionet e tjera të ngjashme. Ai ka theksuar se ky problem është veçanërisht i pranishëm kur bëhet fjalë për sasi të mëdha të materialeve që sigurohen pa udhëzimet e nevojshme.
Sipas Hooperit, në këtë rast janë 124 dëshmitarë, që janë me pseudonime, dhe për të cilët nuk ka asnjë përmbledhje, kështu që nuk dihet se për çfarë do të flasin këta dëshmitarë.
Your browser doesn’t support HTML5
Edhe avokati i Veselit, Ben Emmerson, e vlerësoi mënyrën e nxjerrjes së materialeve si të paorganizuar dhe shtoi se mbrojtja po pranon “numër të madh të informacioneve në mënyrë kaotike”, e të cilat duhet të analizohen që të vërtetohet teza e prokurorisë dhe të fillojë hetimi.
“Ne e kuptojmë që ekziston nevoja për të mbrojtur dëshmitarët, por nuk e kuptojmë pse nga ne pritet që të rindërtojmë tezën e prokurorisë nga një mal me materiale, të cilat ndoshta (prokuroria) do të dojë ose nuk do të dojë t’i shfrytëzojë në gjykim. Kjo na e bën të vështirë që të fillojmë me hetimin dhe të jemi të gatshëm për gjykim”, theksoi Emmerson.
Ai, gjithashtu, tha se prokuroria po refuzon që të paraqesë një dosje paraprake deri në fillimin e gjykimit. Dosja paraprake përmban për çdo akuzë një përmbledhje të provave, të cilat Prokurori i Specializuar synon t’i paraqesë në lidhje me kryerjen e veprës penale të pretenduar.
Lidhur me këtë, kryeprokurori Jack Smith tha se mbrojtja po përpiqej të vinte në pikëpyetje integritetin e prokurorisë. Sipas tij, kërcënimi dhe pengimi i dëshmitarëve janë realitet në këtë rast dhe ai beson se do të vazhdojë të jetë kështu edhe më tej.
Ai shtoi se nëse ka një periudhë të gjatë kohore midis nxjerrjes së përgjithshme të materialeve të çështjes së prokurorisë dhe fillimit të gjykimit, kjo mund t'i rrezikojë dëshmitarët.
Mark Ellis thekson se bëhet fjalë për betejat ligjore ndërmjet prokurorisë dhe mbrojtjes, por thotë se është e rëndësishme për besueshmërinë e gjykatës që mbrojtja të ketë kohë dhe burime të mjaftueshme për të përcaktuar çështjen e saj.
“Unë jam gjithmonë në favor të asaj që mbrojtjes t’i sigurohet mbështetje sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që të sigurohet që në fund të gjykimit të mos ketë pyetje lidhur me rregullsinë e procedurës. Kjo është mënyra e vetme që mund të fitohet një shkallë e besueshmërisë së procesit, pasi që çështja të ketë mbaruar”, vlerëson Ellis.
Your browser doesn’t support HTML5
Megjithatë, ai nuk është i sigurt lidhur me argumentet e prokurorit që mbrojtjes të mos i mundësohen burime dhe kohë të mjaftueshme, si pretendime se kjo gjë që do të zgjaste gjyqin dhe do të përkeqësonte problemin e frikësimit të dëshmitarëve.
“Argumenti i vërtetë është përgjegjësia e të gjitha palëve dhe bashkësisë ndërkombëtare për të siguruar që dëshmitarët të mos janë të frikësuar dhe të jenë të mbrojtur. Kjo, siç mendoj unë, nuk ka asnjë lidhje me kohëzgjatjen e gjykimit. Sado që të zgjasë gjykimi – është e parëndësishme. Fundja, dëshmitarët duhet të mbrohen dhe nuk guxohet që të frikësohen dhe kjo është përgjegjësi që u takon të gjitha palëve”, thekson Ellis.
Gjykata është në Hagë, për shkak të drojës nga frikësimi i dëshmitarëve, “marrë parasysh që bëhet fjalë për çështje të ndjeshme dhe për shkak se të dyshuarit e mundshëm, nga pjesë të caktuara të shoqërisë së Kosovës mund të konsiderohen si luftëtarë të lirisë”, kishte deklaruar Qeveria e Holandës qysh në vitin 2016, kur mori vendimin e saj për të vendosur këtë gjykatë në këtë shtet.