Ellis: Pres që të lëshohen urdhra arrestimi për liderët e Izraelit dhe Hamasit

Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve. Fotografi nga arkivi.

Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër, shpreh bindjen se prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale ka mbledhur prova të mjaftueshme për të siguruar lëshimin e urdhrave për arrestim për udhëheqësit e Izraelit dhe të Hamasit - grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, Ellis thotë se i takon, megjithatë, trupit të procedurës paraprake që ta konfirmojë ose jo kërkesën.

Sipas tij, mund të ndodhë që kërkesa të konfirmohet vetëm për njërën palë dhe jo për tjetrën.

Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, tha të hënën se ka kërkuar urdhra arrestimi për disa udhëheqës të Izraelit dhe Hamasit, pasi beson se janë përgjegjës për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe në Izrael.

Njoftimi nxiti reagime të ndryshme në botë - për dhe kundër.

Lufta mes dy palëve është përshkallëzuar në tetor të vitit të kaluar, kur Hamasi ka sulmuar i pari tokën izraelite, duke vrarë mbi 1.200 njerëz.

Në përgjigje, Izraeli ka ndërmarrë një fushatë intensive sulmesh që, sipas autoriteteve në Gazë, kanë vrarë mbi 35.000 njerëz.

Radio Evropa e Lirë: Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) kërkoi të lëshohen urdhra arrestimi për udhëheqësit izraelitë - mes tyre edhe kryeministri Benjamin Netanyahu - si dhe për udhëheqësit e Hamasit - grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera. Thuhet se kjo është hera e parë që një gjë e tillë i ndodh një shteti demokratik, siç është Izraeli. Ministri i Jashtëm izraelit tha se “ky është një turp historik që do të mbahet mend përgjithmonë”. Zyrtarët e Hamasit thanë se vendimi i GJNP-së “i barazon viktimat me vrasësit”. Cili është qëndrimi juaj për këtë kërkesë të prokurorit të GJNP-së?

Mark Ellis: Nuk mendoj se është befasi. Prokurori sigurisht që ka mbledhur prova dhe dëshmi për krimet që supozohet se janë kryer - përfshirë sulmin e 7 tetorit nga Hamasi kundër Izraelit dhe pastaj përgjigjen e Izraelit ndaj atij sulmi, që vazhdon tash e sa muaj.

Pra, prokurori vetëm duhet të tregojë se ka një lloj baze të arsyeshme që po kryhen krime, e cila i mundëson atij të bëjë hetime dhe pastaj të bëjë kërkesë për urdhra të arrestimit.

Pra, kjo nuk më habit.

Mendoj se prokurori ka qenë korrekt, duke i shikuar të dyja anët e këtij konflikti dhe akuzat tani ndaj të dyja palëve janë mjaft të rënda.

Sipas mendimit tim, kjo edhe është ajo për të cilën është krijuar GJNP-ja - për t’i ndjekur provat dhe për ta ndjekur drejtësinë.

SHIKONI EDHE: Prokurori i GJNP-së kërkon fletarrestime për Netanyahun dhe liderët e Hamasit

Radio Evropa e Lirë: Udhëheqësit e Hamasit akuzohen, mes tjerash, për shfarosje, vrasje, marrje pengjesh, përdhunim. Për udhëheqësit izraelitë ka pretendime se kanë përdorur urinë si metodë lufte, ndër të tjera. A mund të vërtetohen këto me prova dhe sa e vështirë është?

Mark Ellis: Prokurori nuk i merr lehtësisht këto vendime. Ai do të sigurohet që jo vetëm të ketë bazë të arsyeshme për lëshimin e urdhrave për arrestim, por edhe prova të mjaftueshme që dëshmojnë se akuzat janë të vërteta.

SHIKONI EDHE: Këshilli i Sigurimit i kërkon Izraelit “të bëjë më shumë” për ndihmën në Gazë

Kjo nuk do të thotë se nuk do të hasë në një mbrojtje të fortë, nëse Izraeli vendos të mbrojë veten ose edhe Hamasi. Por, unë mendoj se prokurori ka qenë gjithmonë mjaft i kujdesshëm për të siguruar se ka prova për t’i çuar gjërat përpara.

Ju e keni vënë re se në deklaratën e tij nuk ka pasur asnjë kërkesë për urdhër arrestimi për krimin e gjenocidit - temë e cila është diskutuar nga shumëkush që nga fillimi i kësaj lufte. Por, ka krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, të cilat janë mjaft të rënda.

Radio Evropa e Lirë: A mund të na i tregoni hapat - kush do ta marrë vendimin dhe kur?

Mark Ellis: Fillimisht ka një ekzaminim paraprak, që është ajo që ka bërë prokurori. Ai ka bërë një ekzaminim, për të përcaktuar nëse ka bazë të arsyeshme për të vazhduar me hetime. Pra, ai do të ketë filluar ta bëjë këtë shpejt pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi kundër Izraelit.

Më pas ai shikon nëse ka bazë të arsyeshme për të vazhduar, që në këtë rast ka pasur. Pastaj i nis hetimet, i mbledh të gjitha provat dhe i interviston të gjithë dëshmitarët, sa më shumë dëshmitarë që mundet. Këtë tha se e ka bërë - përmes deklaratës që lëshoi sot.

Më pas, bazuar në ato prova, ai kërkon nga trupi i procedurës paraprake që t’i lëshojë urdhrat për arrestime.

Është dhoma e procedurës paraprake ajo që vendos ta konfirmojë kërkesën e prokurorit. Dhe, dhoma e procedurës paraprake do të sigurojë që të ketë prova të mjaftueshme për të vazhduar me gjykimin.

Pastaj, çështja kalon në fazën e provave dhe më pas bëhet gjykimi, ku vërtetohet nëse të pandehurit i kanë kryer, në fakt, krimet për të cilat i akuzon prokurori.

SHIKONI EDHE: Bota reagon pas kërkesës për fletarrestime për Netanyahun dhe liderët e Hamasit

Radio Evropa e Lirë: Si zgjidhen gjyqtarët e procedurës paraprake dhe sa kohë mund t’iu duhet për të vazhduar tutje me procedurat?

Mark Ellis: Kjo u takon atyre. Dhoma të procedurës paraprake tashmë ka dhe ato veprojnë me një lloj rotacioni. U takon atyre të vendosin se sa kohë u duhet për të siguruar se provat kundër të të dyshuarve janë të mjaftueshme.

Nuk do të duhej të merrte shumë kohë, sepse, siç e thashë edhe më herët, prokurori do t’i ketë krijuar tashmë dosjet e tij në atë mënyrë që t’ia sigurojë dhomës së procedurës paraprake të gjitha informacionet e nevojshme.

Por, sigurisht, i takon dhomës së procedurës paraprake. Dhe, kështu, prokurori tani tërhiqet për t’i mundësuar dhomës së procedurës paraprake që të procedojë tutje.

Radio Evropa e Lirë: A prisni të ketë urdhra për arrestime?

Mark Ellis: Pres që kërkesa për urdhra arrestimi të mbështetet nga trupi i procedurës paraprake. E them këtë, sepse mendoj se prokurori është siguruar që t’i paraqesë të gjitha provat e nevojshme te trupi i procedurës paraprake.

Kështu që do të thosha ‘po’ - trupi i procedurës paraprake do ta konfirmojë kërkesën. Por, e përsëris, i takon dhomës së procedurës paraprake ta marrë vendimin. Por, besoj se do ta konfirmojë.

Radio Evropa e Lirë: E, nëse konfirmohet, çfarë do të thotë kjo për liderët izraelitë dhe të Hamasit?

Mark Ellis: Unë e shoh këtë si medalje me dy anë.

Njëra anë është procesi ligjor i analizimit të provave dhe përcaktimit nëse ka ose jo prova të mjaftueshme për të besuar se të pandehurit i kanë kryer krimet, për të cilat akuzohen. Ky është një hap i rëndësishëm. Është hapi që po shohim tani.

Ana tjetër ka të bëjë me konfirmimin dhe lëshimin e urdhrave për arrestim. Atëherë, për mua kjo bëhet çështje politike, sepse Izraeli nuk është palë në Statutin e Romës, Palestina është, Hamasi nuk është.

Ç'është Gjykata Ndërkombëtare Penale?

GJNP-ja është themeluar më 2002, si gjykatë e përhershme e nivelit më të lartë për ndjekjen penale të individëve përgjegjës për krimet më të rënda në botë – krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, gjenocidin dhe krimin e agresionit.

Statuti i Romës, i cili ka paraparë krijimin e GJNP-së, është miratuar më 1998, dhe ka hyrë në fuqi kur ka arritur 60 ratifikime, më 1 korrik të vitit 2002. Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) e ka mbështetur GJNP-në, por gjykata është e pavarur.

Shtetet anëtare të GJNP-së, gjithsej 124, e kanë nënshkruar Statutin e Romës. Dhjetëra vende nuk e kanë nënshkruar dhe nuk e pranojnë juridiksionin e gjykatës për krime lufte, gjenocid dhe krime të tjera. Ndër to janë Izraeli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia dhe Kina.

Pa një forcë policore, GJNP-ja varet nga shtetet anëtare për arrestimin e të dyshuarve, gjë që është dëshmuar të jetë pengesë e madhe për ndjekje penale.

GJNP-ja përfshihet kur vendet nuk munden apo nuk shprehin vullnet t’i ndjekin penalisht krimet e kryera në territorin e tyre.

Këtu ka lojtarë të ndryshëm dhe do të jetë në dorë të komunitetit ndërkombëtar që ta mbështesë gjykatën në lëshimin e urdhrave për arrestim.

Dhe, siç e dimë, ky nuk është një udhëtim i lehtë dhe qeveritë shpesh refuzojnë ta bëjnë këtë.

Këtë e kemi parë edhe në rastin e lëshimit të urdhërarrestimit për [presidentin rus] Vladimir Putin, ku një numër vendesh, thjesht, refuzojnë ta mbështesnin gjykatën.

SHIKONI EDHE: Bota e Putinit bëhet më e vogël

Do të jetë një vendim shumë serioz nëse lëshohen urdhrat për arrestime [në rastin e Izraelit dhe Hamasit], sepse çdo shteti palë në Statutin e Romës do t’i kërkohet t’i mbështesë dhe zbatojë vendimet e gjykatës.

Kjo do ta vinte kryeministrin Netanyahu në një pozitë të vështirë, e ashtu edhe udhëheqësit e Hamasit.

Radio Evropa e Lirë: A mund të vendosë gjyqtari i procedurës paraprake për urdhra arrestimi vetëm për njërën palë dhe jo për tjetrën?

Mark Ellis: Po, mund të ndodhë. Mund të vendosë se nuk ka prova të mjaftueshme për njërën palë dhe, kështu, mund të kërkojë informacione të mëtejshme nga prokurori. Kjo mund të ndodhë.

Radio Evropa e Lirë: A mund ta ndikojnë këtë hapa të GJNP-së luftën mes Hamasit dhe Izraelit?

Mark Ellis: Në përgjithësi, historia ka treguar se, që nga krijimi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, ndikimi i saj në një konflikt ka qenë shumë minimal.

Mendoj se është e rëndësishme që të mos ketë shumë pritshmëri për atë se si mund të ndikojë një urdhër për arrestim në një konflikt në përgjithësi.

Do të doja të mund të thosha se urdhri për arrestim do ta ndalonte menjëherë konfliktin, por nuk ka asnjë histori reale që sugjeron se do të ndodhë një gjë e tillë.

Përgatiti: Valona Tela