Maqedonia pret të jetë pjesë e strategjisë së zgjerimit të KE-së

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev në mbledhje me kabinetin e tij qeveritar. Foto nga arkivi

Drejtuesit e Qeverisë së Maqedonisë synojnë që vendi të jetë pjesë e strategjisë për zgjerim të Komisionit Evropian (KE), që pritet të publikohet në muajin shkurt të këtij viti.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani për Radion Evropa e Lirë thotë se 2018-a paraqet vit jashtëzakonisht të rëndësishëm për perspektivat e Maqedonisë si shtet, si në aspektin e integrimeve të vendit drejt strukturave euroatlantike, si dhe kohezionit të brendshëm politik.

“Natyrisht, si fillim presim që në shkurt të marrim një raport të pakushtëzuar. Pra, në shkurt Republika e Maqedonisë të bëhet pjesë e strategjisë për zgjerim të Komisionit Evropian, përkatësisht strategjisë të paralajmëruar nga zoti [Jean-Claude] Juncker dhe në samitin e 17 majit të 2018-ës që planifikohet të mbahet në Sofje, të verifikohet perspektiva evropiane e Maqedonisë. Natyrisht se pritjet tona janë që në qershor të po këtij viti të marrim edhe datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin Maqedonisë në Bashkimin Evropian”, thotë Osmani.

Por, drejtoresha e Institutit të Politikave Evropiane, Simonida Kacarska për Radion Evropa e Lirë thotë se realizimi i aspiratave të Maqedonisë si shtet për të qenë pjesë e familjes evropiane, kryekëput varet nga ajo se sa strukturat udhëheqëse të vendit do të arrijnë të realizojnë obligimet e përcaktuara qartë nga Brukseli, edhe atë në një listë të precizuar në tre pika: reformat në gjyqësor, reformat në shërbimet e inteligjencës dhe reformat në administratën publike.

“Me rëndësi të veçantë është që Qeveria e Maqedonisë gjatë kësaj periudhe kohore të shënojë progres të dukshëm në këto tre fusha, veçanërisht sa i përket realizimit të reformave në gjyqësor, si dhe reformat që kanë të bëjnë me ndjekjen e komunikimeve , për t’i shtruar si argument para Komisionit Evropian se Maqedonia është e përkushtuar në përmbushjen e obligimeve të përcaktuara sa i përket proceseve eurointegruese”, thotë Kacarska.

Njohësit e zhvillimeve politike njëherësh theksojnë se Brukseli kësaj radhe në asnjë mënyrë nuk do të shoh përmes gishtërinjve ngecjet që pëson Maqedonia si shtet, për shkak të bllokimit të Kuvendit, shumicës së brishtë parlamentare pas largimit nga koalicioni qeverisës të njërit nga partnerët e Qeverisë, Aleancës për Shqiptarët, si dhe bojkotit të punës së institucionit ligjvënës nga ana e partisë më të madhe maqedonase VMRO-DPMNE-së.

Në këtë drejtim, zëvendëskryeministri i Maqedonisë për çështje të integrimeve Bujar Osmani thotë se për të shtyrë përpara proceset eurointegruese që kanë të bëjnë me realizmin e reformave, është më se e nevojshme arritja e një konsensusi të gjerë shoqëror, i cili do të jetë mbipartiak, mbietnik dhe mbi interesat individuale.

“Andaj, unë kam kërkuar dhe kam bërë thirrje publike që të ngrijmë agjendat partiake, ata individuale dhe etnike, të paktën vetëm për gjashtë muaj, dhe të kapim këtë shans historik për Maqedoninë që të bëhemi anëtar të NATO-s, të fillojmë bisedimet për anëtarësim me BE, dhe pastaj do të kemi kohë që të bëjë gara politike dhe partiake ndërmjet vete”.

“Nuk guxojmë, thjeshtë kemi përgjegjësi historike si politikan, por edhe si qytetarë që këtë mundësi që na është dhënë , siç do të parafrazoj zonjën –[Federica] Mogherini në pjesën e parë të 2018, ky tren që do të kalojë në Ballkanin Perëndimorë dhe cili shtet do të arrijë të ngjitet, do të varet kryekëput nga puna që ka bërë çdo shtet në veçanti”, thotë Osmani.

“Dhe më e rëndësishmja është se ky tren nuk do të përsëritet për një kohë të gjatë, andaj duhet të bëjmë çmos ne si pozitë bashkërisht me opozitën, që të ngjitemi në këtë tren që çon kah Brukseli sepse Maqedonia s`ka alternativë tjetër”, thotë tutje ai.

Ndryshe, kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev në Bruksel në dhjetorin e vitit të kaluar, ka vlerësuar lartë raportet e instaluara së fundmi të Maqedonisë me vendet fqinje, veçanërisht nënshkrimin e marrëveshjes me Bullgarinë si dhe krijimin e marrëdhënieve më të relaksuara mes Shkupit dhe Athinës zyrtare. Megjithëse Juncker ka nënvizuar se Brukseli pret që Maqedonia të hapërrojë me vendosmëri drejt realizimit të plotë të reformave të përcaktuara në planin e Qeverisë, të njohur si plani 3-6-9.