“Maqedonia nga sot është edhe një hap më afër Bashkimit Evropian”. Kështu kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev e ka vlerësuar Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, që rekomandoi hapjen e negociatave për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.
“Sot jemi më afër BE-së dhe arritjes së standardeve ekonomike të Unionit, për qytetarët e vendit tonë. Ky është sukses i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë të cilët në zgjedhjet e fundit zgjodhën demokracinë, dhe me zgjedhjen e kësaj Qeverise vendosën që Maqedonia të integrohet në BE dhe NATO sa më shpejt që të jetë e mundur. Ata janë më meritorët për të këtë arritur”.
“Ne si Qeveri, që nga fillimi jemi transparent dhe nuk e fshehim faktin se ende kemi probleme. Nga Komisioni Evropian theksuan se problemet të cilat janë të pranishme në ekonomi, sferën e sigurisë, administratën publike, gjyqësor dhe problemet me korrupsionin duhet të zgjidhen”, tha Zaev në një paraqitje para opinionit menjëherë pas publikimit të raportit në Bruksel.
Ai tha se me marrjen e rekomandimit të pakushtëzuar për hapjen e negociatave, Maqedonia përfundimisht ka kapërcyer krizën politikën, e cila kishte bërë që në dy vjetët e fundit vendi të merrte rekomandimin të kushtëzuar.
“Ky rekomandim nënkupton sigurimin e standardeve evropiane të cilat do të zbatohen në të gjitha institucionet e shtetit, e që nënkuptojnë kushte më të mira për qytetarët”, tha Zaev.
Raporti pozitiv i Komisionit Evropian është mirëpritur edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim, parti që është pjesë e koalicionit qeveriës.
“Guximi për të zgjidhur çështjet e hapura shpërblehet, prandaj do të vijojmë guximshëm në javët para nesh edhe drejt zgjidhjes së çështjes së emrit si pengesa jonë e fundit drejt BE-së dhe të NATO-s”, thuhet në reagimin e partisë së që drejtohet nga Ali Ahmeti, e cila thekson përkushtimin për të vijuar me reformat dhe për t’i përforcuar përpjekjet për sundim të plotë të së drejtës si dhe për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Ndërkaq, shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini, gjatë prezantimit të Raportit të Progresit, rikonfirmoi të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
“Ballkani Perëndimor është Evropë dhe do të jetë në të ardhmen pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Mogherini.
Njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se Maqedoninë e pret një punë edhe më e madhe edhe pas marrjes së raportit pozitiv, në veçanti për reformat në drejtësi dhe të drejtat dhe liritë e njeriut.
“Thellimi i kursit të deritanishëm për reformat urgjente prioritare do të jetë vendimtar për përparimin e ardhshëm të vendit. Që të mbështetet kjo, Komisioni Evropian do të përforcojë qasjen për bisedimet kryesisht lidhur me kapitujt që kanë të bëjnë me gjyqësinë, të drejtat fundamentale, lirinë dhe sigurinë e vendit”, thotë Bojan Mariçiq, njohës i çështjeve evropiane.
Maqedonia statusin e shtetit kandidat e ka marrë në vitin 2005, ndërsa rekomandimin e parë për nisjen e bisedimeve në vitin 2009. Në dy vjetët e fundit, për shkak të krizës politike ajo ka marrë dy rekomandime të kushtëzuara, për gjendjen e rëndë në gjyqësor, parregullsitë në proceset zgjedhore, presionet ndaj mediave si dhe ngecjen e reformave në sfera tjera.