Zgjidhje në Kuvend ose zgjedhje të reja

Kuvendi i Maqedonisë

Partitë kryesore politike, LSDM dhe VMRO DPMNE në mbledhjet e kryesive qendrore partiake kanë dhënë vlerësime të ndryshme mbi referendumin e së dielës, por edhe mbi mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Opozita referendumin e ka shpallur të pavlefshëm duke marrë parasysh sipas saj, “daljen në votime vetëm 36 për qind të qytetarëve, që tregoi vullnetin e qartë të popullit kundër pranimit të kësaj marrëveshjeje”. Në bazë të kësaj, sipas VMRO-së, edhe marrëveshja me Greqinë për emrin është hedhur poshtë. Kjo parti ka thënë se është e gatshme për zgjedhje, por me përmbushjen paraprake të kushteve në bazë të ligjin për qeverinë.

“Nëse Zaev e ka ndërmend të shpallë zgjedhje, dua të them se ne do ta fitojmë. Për mbajtjen e zgjedhjeve është e nevojshme që menjëherë të respektohet marrëveshja dhe Ligji për zgjedhjet, që parasheh formimin e një qeverie teknike, sipas modelit të “Marrëveshjes së Përzhinës”, me një mandat prej 100 ditësh".

"Kjo nënkupton dorëheqjet e kryeministrit Zoran Zaev, dhe të ministrave të punëve të brendshme dhe të punës e politikës sociale, Oliver Spasovski dhe Milla Carevska. Pra, zgjedhjen e një kryeministri të ri teknik dhe dy kuadro të VMRO-së të drejtojnë këto ministri, si parakusht për zgjedhje të lira dhe demokratike”, ka deklaruar Aleksandar Nikollovski, nënkryetar i VMRO DPMNE-së.

Kjo parti nuk mbështet ndryshimet kushtetuese të paralajmëruara nga kryeministri, Zoran Zaev ndërsa ka njoftuar formimin e një komisionit për ligjshmërinë dhe rregullshmërinë e referendumit.

Por, kërkesat e opozitës janë hedhur poshtë nga kreu i qeverisë, Zoran Zaev.

“Nuk ka arsyeje, e as nevojë të diskutohet për çështje të tilla. Institucionet kanë dhënë vlerësimet. Të kërkohet komisioni për të kontrolluar nëse referendumi ka qenë ligjor në kohën kur KSHZ-ja është udhëhiqet nga VMRO-ja, sikur edhe Gjykata administrative që ende është me anëtarët e vjetër, flet se çfarë në të vërtet dëshiron ajo me këto kërkesa”, ka deklaruar Zaev duke paralajmëruar takime me deputetët në Kuvend në ditët në vijim për të parë nëse do të ketë rezultat në sigurimin e mbështetjes për ndryshimeve kushtetuese.

“Besojmë se do të kemi ndonjë rezultat deri në fund të javës apo fillimin e javës së ardhshme. Diku rreth datës 10 tetor duhet ti kumtojnë opinionit se cilët do të jenë hapat e mëtejmë. Shpresoj se do të kemi mundësinë të kumtojnë se është siguruar shumica e nevojshme prej dy të tretave”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Për të kaluar ndryshimet kushtetuese nevojiten 80 vota të deputetëve nga 120 sa ka Kuvendi, por shumica parlamentare aktualisht ka 72 deputetë. Ajo llogaritë edhe në votat e disa deputetëve të partive tjera të vogla, që janë në koalicion me VMRO-në, por për të arritur numrin e nevojshëm i duhen edhe disa vota të deputetëve të VMRO-së.

Debati për zgjedhje të parakohshme vjen pas referendumit të së dielës në të cilin nuk u arrit të kalohet pragu prej 50 për qind të daljes në votime.

Zbatimi i marrëveshjes me Greqinë është vendimtar për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

SHIKONI EDHE: Ivanov: Populli e hodhi poshtë Marrëveshjen me Greqinë