Krerët shtetëror dhe politik të Maqedonisë diskutuan propozimet e ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimic, për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë, por nuk u dhanë detaje nga ky takim që ka zgjatur deri në orët e mesnatës të ditës së shtunë.
Kryeministri Zoran Zaev tha pas takimit se është optimist se mund të arrihet një kompromis nacional për kontestin rreth emrit, por gjithashtu bëri thirrje për kujdes apo përmbajtje nga komentet, me qëllim që të mos dëmtohet procesi i bisedimeve.
“Ishte një takim informativ lidhur me idetë e propozuara nga ana e ndërmjetësit Metju Nimic. Ky proces kërkon përgjegjësi. Kemi për qëllim të sigurojmë përparim dhe mbrojtjen e interesave nacionale. Me rëndësi është përfshirja e të gjithëve në këtë proces”, deklaroi Zaev duke theksuar se zgjidhja është e mundshme nëse, sipas tij, ka vullnet edhe nga pala greke.
Kreu i Qeverisë nuk ka dashur të komentojë pozicionet greke, ndërsa paralajmëroi formimin e grupeve të punës edhe për çështjen e teksteve shkollore.
Edhe presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, nuk dha detaje nga bisedimet e kreut shtetëror dhe politik, por tha se është realist nga përvoja e tij politike.
“Pres që Qeveria të na informojë me të gjitha aktivitetet. Ky proces vazhdim të zhvillohet në korniza të Kombeve të Bashkuara. Që të mos ketë presione, jemi marrë vesh që të mos e komentojmë propozimin”, theksoi presidenti Ivanov.
Your browser doesn’t support HTML5
Lideri i VMRO DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickovski, tha se partia e tij mbështet integrimin, por gjithashtu theksoi gatishmërinë për, siç u shpreh, mbrojtjen e interesave kombëtare, ndërsa përgjegjësinë për arritjen e marrëveshjes ia ka lënë Qeverisë.
“Maqedonia duhet të jetë pjesë e NATO-s dhe e BE-së, ndërsa VMRO DPMNE-ja mbetet muri mbrojtës i interesave shtetërore dhe kombëtare. Propozimet që janë paraqitur nga kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, pak a shumë janë të njohura për opinionin. Ky takim duhet të ndodhte më herët, tani ne i kemi informatat dhe tani përgjegjësia për procesin i takon qeverisë”, tha Mickovski, duke iu shmangur pyetjes nëse ky qëndrim nënkupton edhe distancimin e opozitës nga procesi për arritjen e konsensusit nacional.
Në këtë takim, nga partitë politike shqiptare mori pjesë vetëm se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili takimin e vlerësoi si më të frytshmin deri më tani të mbajtur për çështjen e emrit.
“Ky ishte një nga takimet më të frytshme . Jeni informuar për takimin Zaev - Cipras. E vlerësoj dialogun në kërkim të zgjidhjes. Ky është fillimi i fundit të këtij procesi. Është me rëndësi që të jemi pjesë e NATO-s, në paqe dhe stabilitet”, deklaroi Ahmeti.
Takimi i krerëve shtetërorë erdhi pas takimit të kryeministrave Zorav Zaev dhe Aleksis Cipras në Davos, ku theksuan përkushtimin për zgjidhjen e kontestit 25- vjeçar.
Si shenjë të vullnetit të mirë dhe përkushtimit për mbylljen e kontestit kryeministri Zaev njoftoi vendimin e Qeverisë për ndryshimin e emërtimit të aeroportit të Shkupit dhe të autostradës që mbajnë emrin e Aleksandrit të Madh, heroit të të dyja shteteve, ndërsa Greqia ka pranuar të mundësojë anëtarësimin e Maqedonisë në disa nisma që i kishte bllokuar më parë.
Athina, ndërkohë, ka përsëritur qëndrimin se dëshiron gjetjen e një emri për përdorim të gjithanshme, që nënkupton edhe ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë.
Ndërmjetësi Nimic, siç kanë njoftuar mediat në të dyja vendet, ka propozuar pesë emra të mundshëm si Maqedonia e Re, Maqedonia e Veriut, Maqedonia e Epërme, Maqedonia e Vardarit dhe Maqedonia e Shkupit. Por, të gjithë këta emra, siç kanë transmetuar mediat, do të jenë një gjuhën maqedonase, si për përdorim të brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.